Heroina e “Tifozëve”, 2 “amerikanë” në pranga
TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arritur të identifikojë dhe vendosë në pranga edhe dy persona të tjerë të implikuar në trafikimin e drogës, e cila u bllokua të shtunën e javës së shkuar në Durrës, gjatë arrestimit të tre shqiptarëve të Maqedonisë. Françesk Shkëmbi, 27 vjeç, lindur në Shkodër e banues në Detroit, Amerikë, me kombësi shqiptare dhe shtetësi amerikane, si dhe Arif Kurti, 38 vjeç, lindur në Bronz, New York dhe banues në Gjakovë, me kombësi shqiptare e shtetësi amerikane, kanë rënë në pranga me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo e fundit filloi pak ditë më parë hetimin për kapjen e 4.2 kileve heroinë në Durrës në makinën me targa maqedonase, në të cilën ndodheshin Isein Nasufi, 41 vjeç, lindur e banues në Strugë, Maqedoni, me detyrë punonjës i policisë kufitare maqedonase, Dritan Gjura, 33 vjeç, lindur e banues në Strugë, Maqedoni, me profesion mësues dhe Madrit Istrefi, 30 vjeç, lindur e banues në Strugë, Maqedoni, me arsim 8 klasë. Dy “amerikanët” e arrestuar mësohet se kishin lënë gjurmët e gishtave në qeset e drogës që iu kapën tre shqiptarëve të Maqedonisë.