E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, shtohen të miturit e punësuar

28/03/2009  Studimi i kryer nga Inspektorati Shtetëror i Punë evidenton situatën problematike te fëmijët

Sektorët problematikë janë peshkimi me 76.6 % si dhe prodhimet e veshjeve këpucëve

Paraqiten shifra në rritje të numrit të fëmijëve që detyrohen të lënë shkollën për tu punësuar, kjo për shkak të kushteve të vështira ekonomike në të cilat gjendet familja e tyre. Mungesa e një studimi kombëtar në lidhje me praninë e këtij fenomeni ka bërë që herë pas herë të publikohen të dhëna të pjesshme, por që paraqiten tepër shqetësuese për përfshirjen e fëmijëve në punë. Ndonëse në shumë vende të Evropës është e ndaluar kategorikisht punësimi i fëmijëve, në Shqipëri llogaritet të jetë e lartë përqindja e të punësuarve te kjo kategori. Madje, shumë prej tyre i janë nënshtruar punës në sektorë ku janë të ekspozuar ndaj faktorëve të shumtë të rrezikut. Sipas një studimi të prezantuar gjatë ditës së djeshme nga Inspektorati Shtetëror i Punës, rezulton se më shumë se 8.2 për qind e fëmijëve në vendin tonë janë aktivizuar si punonjës pranë subjekteve të ndryshme të biznesit e veçanërisht atij privat, i cili në shumë raste rezulton të jetë abuziv kundrejt kësaj shtrese. Njëkohësisht janë evidentuar dhe sektorët më shqetësues, ku punësimi i fëmijëve paraqitet të jetë tepër i lartë. Ky studim u paraqit në një tryezë të rrumbullakët, që u mbajt pranë ISHP-së me pjesëmarrjen e zëvendësministrit të Punës Kastriot Sulka si dhe sindikalistëve, të cilët do të jenë aktorë në parandalimin e punës së fëmijëve.

Situata

Vëzhgimi i kryer nga Inspektoratit Shtetëror i Punës tregon se përqindja më e lartë e fëmijëve që punojnë janë të përqendruar në sektorët e prodhimit, si ato të veshjeve e këpucëve dhe në sektorin e peshkimit. Por nuk mungojnë edhe punësimet në të zezë, në sektorët e ndërtimit apo të tjera lloje profesionesh, ku jeta e tyre vihet në rrezik. Kushtet në të cilat ata detyrohen të punojnë janë tepër problematike, pasi në shumë raste mungojnë dhe masat elementare të sigurisë. Vitet e fundit shifrat tregojnë një rritje të numrit të fëmijëve në rreth 8,2 për qind që punojnë në bare apo restorante. “Pjesa dërrmuese e fëmijëve janë të punësuar në prodhimin e veshjeve, veçanërisht vajza nën moshën 18 vjeçe, që për vitin 2007 llogariteshin në 76.6 për qind, ndërsa për 2008 kjo shifër ka pësuar ulje deri në 52.8 për qind. Ndërsa fusha e dytë ku rezultojnë shumë të punësuar fëmijë është peshkimi apo përpunimi i peshkut, ku konstatohet se për vitin 2007 rezulton që 12 për qind të jenë fëmijë, ndërsa për vitin 2008 kjo shifër ka pësuar një rritje të ndjeshme, duke vajtur në 23.9 për qind e të punësuarve fëmijë”, - ka pohuar specialistja Evis Qaja. Punësimi në të zezë i fëmijëve bëhet jashtë çdo kriteri ligjor, ndërsa për ekzaminim të tyre shëndetësor as që bëhet fjalë. Ndërkohë pak kohë më parë edhe Sindikata e Arsimit ka prezantuar situatën alarmante të braktisjes së shkollës nga fëmijët, pjesa dërrmuese e të cilave bëhen kontingjente të forcës punëtore. "Duke u nisur nga evidentimi i nxënësve që nuk paraqiten në shkollë në periudha të gjata deri në dy vjet, rezultoi se numri i fëmijëve llogaritet në 7000, ndërsa numri i nxënësve që janë në rrezik për ta braktisur shkollën është 40 mijë nxënës, që janë të punësuar në sektorë të ndryshëm”, - është cituar nga drejtuesit e sindikatës. Situata problematike ka rezultuar të jetë më shumë në rrethe, duke qenë se pranë tyre evidentimi i këtyre rasteve shumë herë mbetet në heshtje.

Përmirësimi

Inspektorati i Lartë Shtetëror i Punës ka premtuar përmirësim të mëtejshëm të legjislacionit për sa i përket parandalimit të punës nga fëmijët nën moshën 18 vjeç. Kryeinspektori Thoma Melo tha se synimi është që fëmijët nën këtë moshë, pavarësisht kushteve të vështira të jetesës familjare apo faktorëve të tjerë, nuk duhet të punojnë, ashtu siç ndodh në vendet evropiane, “pranë këtyre të fundit është e ndaluar plotësisht që të punojnë fëmijët, as me leje, as pa leje, dhe ne drejt asaj do të shkojmë”, tha Melo.

Punësimi

Pak kohë më parë janë publikuar edhe të dhënat e para në lidhje me punësimin e fëmijëve. “Ndonëse të dhëna jo të plota, rezulton të jetë tepër i lartë numri i fëmijëve që lypin, shesin nëpër rrugë apo atyre që punojnë në të zezë nëpër ndërmarrje të ndryshme private, ku shfrytëzohen në maksimum. Monitorimet tregojnë se janë evidentuar rreth 8 mijë fëmijë të punësuar në sektorët të ndryshëm, që realisht duhej të ishin duke ndjekur mësimin së bashku me moshatarët e tyre. Shifrat mund të jenë edhe më të larta për shkak të mosevidentimit të të gjithë atyre fëmijëve që kanë braktisur shkollën.

Sektorët

Sipas vëzhgimit të kryer nga Inspektorati Shtetëror i Punës janë evidentuar dhe sektorët më problematikë. “Pjesa dërrmuese e fëmijëve janë të punësuar në prodhimin e veshjeve veçanërisht vajza nën moshën 18 vjeç, që për vitin 2007 llogariteshin në 76.6 për qind, ndërsa për 2008 kjo shifër ka pësuar ulje deri në 52.8 për qind. Ndërsa fusha e dytë ku rezultojnë shumë të punësuar fëmijë është peshkimi apo përpunimi i peshkut, ku konstatohet se për vitin 2007 rezulton që 12 për qind të jenë fëmijë, ndërsa për vitin 2008 kjo shifër ka pësuar një rritje të ndjeshme, duke vajtur në 23.9 për qind.”

Organizata Ndërkombëtare e Punës

Kërkohet specializim i inspektorëve të punës

Një delegacion i Organizatës Ndërkombëtare të Punës prej tri ditësh ndodhet në vendin tonë për inspektimin e situatës aktuale në fushën e së drejtës së punës dhe performancës së strukturave të Inspektoratit Shtetëror të Punës. Gjatë takimit të zhvilluar me kreun e Ministrisë së Punës delegacioni i ILO-së ka bërë dhe rekomandimet në fushën e punësimit. Megjithatë, delegacioni u tregua i gatshëm të ofrojë asistencë me ekspertët më të mirë dhe me eksperiencat më pozitive në procesin e hartimit të projektligjit “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”. Duke u ndalur tek organizimi dhe funksionimi i strukturave të Inspektoratit Shtetëror të Punës, përfaqësuesit e ILO-së theksuan rëndësinë e përgatitjes së një plani të organizuar rekrutimi e trajnimi të inspektorëve dhe përgatitjen e një karriere për ta, si element i rëndësishëm për rritjen e motivimit dhe të performancës së punës së Inspektoratit. “Ka ardhur koha, - u shprehën përfaqësuesit e ILO-së - që tu kërkohet punëdhënësve të përcaktojnë, në bashkëpunim me punëmarrësit, koeficientin e riskut në të gjitha proceset e prodhimit në ndërmarrje, pasi kjo do të forconte masat e sigurisë dhe shëndetit në punë të punonjësve dhe do të reduktonte numrin e aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale.”

Nisma e UNICEF/it

Dhuna ndaj fëmijëve, linjë telefonike për denoncim

Fëmijët tashmë do të kenë mundësinë që nëpërmjet një linje telefonike të denoncojnë vetë rastet e keqtrajtimit apo dhunës që do të ushtrohet tek ata. Për herë të parë në vendin tonë në ndihmë të kësaj shtrese do të sigurohet një linjë kombëtare telefonike, e cila do të jetë e hapur gjatë 24 orëve për marrjen e denoncimeve apo evidentimit të çdo fenomeni keqtrajtimi që do të ushtrohet tek të vegjlit. Gjatë ditës së djeshme është bërë dhe prezantimi i kësaj nisme nga UNICEF-i, përfaqësuesit e të cilit kanë deklaruar se “linja 116 do të jetë në dispozicion të çdo fëmije nëpërmjet këshillimit dhe ndihmës në raste emergjente 24 orë gjatë 7 ditëve të javës”. Ndërkohë statistikat në vend tregojnë se rastet e dhunës te fëmijët viteve e fundit kanë ardhur në rritje, por shumë pak prej tyre evidentohen, pasi mbyllen brenda mureve të shtëpisë. Statistikat tregojnë se rreth 50 për qind e fëmijëve në vendin tonë bien pre e dhunës në forma të ndryshme, e ambienti ku ata dhunohen më shpesh cilësohet familja. Feneomeni paraqitet më shqetësues veçanërisht në rrethe, ku evidentimi i rasteve pothuajse është i pamundur. Por ajo çfarë cilësohet si më problematike, mbetet ripërsëritja e vazhdueshme e këtyre rasteve të dhunës te kjo shtresë. Megjithatë, hapja e një linje të veçantë telefonike për denoncimin e këtyre rasteve do të ndihmojë në rritjen e shërbimeve që duhet të ofrohen për fëmijët në vend, si dhe zgjidhjen e problematikave që ndeshin kjo kategori në lidhje me keqtrajtimin. Ndërkohë do të mundësohet edhe sigurimi i bashkëpunimit të institucioneve publike dhe private në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në vendin tonë. Koordinimi ndërmjet këtyre të fundit shpesh është cilësuar si i papërfillshëm, çka është faktuar me shtimin e rasteve të keqtrajtimeve që pësojnë fëmijët në ambiente të caktuara.

Monitorimi i subjekteve të biznesit

Kreu i Inspektoratit Shtetërore të Punës, Thoma Melo, ka deklaruar se do të ndërmerren të gjitha hapat e duhur ligjorë për ndalimin e punësimit të fëmijëve dhe veçanërisht në sektorët ku jeta e tyre vihet në rrezik për shkak të kushteve të pakta të sigurisë. Megjithatë, është pohuar se Inspektorati do të vijojë rreptësisht inspektimet pranë subjekteve, veçanërisht atyre private për moslejimin e fëmijëve nën moshën 18 vjeç që të përfshihen në forcat aktive të punës. “Përfitimet nga parandalimi i punës së fëmijëve janë shtatë herë më të larta sesa kostot, nëse fëmijëve do tu japim arsim, përfitimi që do të kemi prej tyre do të jetë shumë herë më i madh sesa po ti çojmë të punojnë në ato ndërmarrje ku kushtet e punës nuk janë në ato nivele që ne do të shpresonim”, - ka pohuar Melo.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›