Alarmi: sitet pro anoreksisë Skeletet që ndihen seksi
Për disa vajza dobësia është sëmundje, ndërsa për të tjerat “lotari”. Edhe pse nuk e kuptojnë kjo është një e keqe e madhe jo vetëm për shëndetin fizik, por edhe atë psikologjik. Vajzat e sotme e adhurojnë dobësinë dhe janë të gatshme të rrezikojnë jetën e tyre për t’u treguar të tjerëve kockat. Ajo që të bën më shumë përshtypje është numri i blogeve dhe sajteve pro anoreksisë që qarkullojnë në internet. Në ditarët e tyre, vajzat tregojnë për vdekjen e ngadaltë dhe të dhimbshme, apo se sa shumë u pëlqen t’u shfaqin të tjerëve dobësinë, kockat, herët që vrapojnë në banjë për të nxjerrë të gjithë ushqimin e ngrënë, darkat që hanë vetëm një kokërr mollë ose një karrotë, ndjesinë e fajit se përse hëngrën një biskotë dhe ekstazën që ndiejnë kur shohin shigjetën e peshores të ulet. “Që prej ditës së nesërme nuk duhet të marr më shumë se 200 kalori në ditë”; “Duhet të rrëzoj nga pesha 40 kilogramë dhe këshillat e mira duhen pranuar”; “Tani kam vendosur të ha shumë më pak. Në shkollë do të pi vetëm ujë, nuk do të ha më fare mëngjes, do të bëj shumë gjimnastikë dhe ëmbëlsirat do t’i nxjerr përfundimisht nga jeta ime”: këto janë disa nga çmenduritë që lexohen në internet.
Sajtet pro anoreksisë dhe pro bulimisë shtohen çdo ditë. Këtë e konfirmon edhe një studim i bërë nga Johns Hopkins “Bloomberg School of Public Health”, i cili është publikuar në revistën amerikane të shëndetit publik. Studimi ka marrë në ekzaminim 180 sajte, të cilat nxisin sjelljet e pazakonta të të ushqyerit. Së bashku me sugjerimet për nxitjen e çrregullimeve në ushqim, u zbulua edhe një fenomen i ri: “thinspiration”, pamje të vajzave anoreksike në poza erotike, dhe jo vetëm kaq. Modelet që imitohen janë Amy Winehouse në kohërat e saj më të këqija, Victoria Beckham, Victoria e Suedisë (që fatmirësisht tani është shëruar), Nicole Ritchie, Lindsay Lohan, binjaket Olsen, Keira Knightley, Kate Moss, Teri Harcher. Foto që propozojnë modele jo të shëndetshme për vajzat të cilat ndjekin “thinspiration”. Për shumë prej tyre kjo fjalë është kthyer në filozofinë e jetës. Nuk hezitojnë të bëhen si ato fytyra pa jetë dhe trupa të thatë që duken aq të dobët saqë nga momenti në moment mund t’i marrë era. Ndërkohë janë shtuar kërkesat për llogaritjen e kalorive të marra, mënyrat për të provokuar të vjellat pa u vënë re nga prindërit dhe miqtë, këshillat për të rënë nga pesha në mënyrën më dënuese të mundshme. Ajo çka të bie në sy ndërsa sheh këto vajza, është thirrja e tyre e dëshpëruar për ndihmë, që edhe pse janë të vetëdijshme se po i bëjnë keq vetes, nuk arrijnë të heqin dorë. Për fat të keq për të gjithë të tjerat, anoreksia është “një stil jetese, jo një sëmundje dhe e vetmja gjë që ka vlerë në jetë është të qenët e dobët”.
Fillimisht vajzat kanë tendencë të reduktojnë ushqimin. Zakonisht ato preferojnë të ushqehen me gjëra të thata e të lehta, madje duke kaluar në ekstremitet, ku fillojnë të kontrollojnë edhe yndyrën e kosit. Hanë pak, gjithmonë e më pak. Pesha dhe fuqia bien. Anoreksia është një sëmundje e pabesë, e rëndë, që godet trupin e veçanërisht gjendjen psikologjike. Zakonisht vajzat janë të prirura të mos i pranojnë kurat, duke preferuar më shumë vdekjen sesa shtimin në peshë, ose humbjen e kontrollit të trupit të tyre. Më parë ishte një sëmundje shumë e rrallë. Sot, pjesa më e madhe e vuajtjeve psikike të femrës shprehet me shqetësime ushqimore: fenomen ky që ka të bëjë me adoleshencën, me formimin e personalitetit femëror dhe ndarjen nga familja. Kandidate për t‘u prekur nga ky shqetësim është një vajzë, e cila rritet me një perfeksion ideal ndaj suksesit. Fatkeqësisht, anoreksia është një sëmundje mendore, e cila ka të bëjë me imazhin që femra ka për vetveten dhe idealin që i imponohet nga mediat. Pra, sado të dobëta të jenë, ato mendojnë se janë mbi peshë. Aty ku të tjerët shohin kocka, personi vetë sheh dhjam e celulit. Konkretisht, më të prekura janë vajzat në moshën e adoleshencës, por edhe ato më të rritura, 20-25.
#