Zjarri i plehrave mbulon me tym qytetin
Fusha e mbetjeve urbane në qytetin e Lushnjës është kthyer në një problem tejet shqetësues për banorët përreth. Djegia e mbeturinave gjatë 24 orëve të fundit ka bërë që i gjithë qyteti, por sidomos zonat pranë fushës, të mbulohen nga tymi. Flakët në fushën e plehrave, sipas autoriteteve lokale, shkaktohen nga vetë mbetjet, ndërkohë që ndryshe nga një vit më parë, bashkia e këtij qyteti nuk ka vënë në dispozicion të ruajtjes së fushës as edhe një roje. Tymi nga zjarret në fushën e plehrave të Lushnjës ka dy javë që po shqetëson pa masë banorët që banojnë në këtë zonë. Përhapja është evidentuar në të gjithë territorin e qytetit dhe ka sjellë mjaft probleme në shëndetin e qytetarëve. Banorët thonë se e kanë të pamundur ta përballojnë jetën pranë fushës në këto ditë të nxehta. Tymi i dendur i fushës, sipas banorëve, si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë natës, u pushton ambientet e jashtme si dhe shtëpitë në brendësi. “Po na shqetësojnë shumë mbeturinat që na kanë rrethuar shtëpitë për kaq kohë me radhë. Jemi pleq dhe vuajmë nga probleme të ndryshme shëndetësore, madje kemi edhe fëmijë në shtëpi, të cilët rrezikojnë të sëmuren si pasojë e këtyre papastërtive”, tha Liria, banore e Lushnjës. Edhe pse ky problem sa po vjen e po kthehet në një fenomen tejet shqetësues, pushteti lokal nuk ka marrë ende asnjë masë për përmirësimin e kësaj gjendjeje. Në planin e ri rregullues të qytetit të Lushnjës është parashikuar që fusha e plehrave të kthehet në mjedis sportiv dhe argëtues. Fusha që mbledh plehrat e qytetit të Lushnjës ndodhet brenda vijës së verdhë të qytetit. Ajo zë një sipërfaqe prej 4 ha.
#