E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deformimet e reformës

Alterteksti në analizë

Megjithëse ka tentativa që Reformën e Altertekstit ta datojnë si nismë nga viti 2005 dhe si meritë e forcës së majtë që ishte asokohe në pushtet, faktet dëshmojnë se Reforma e Altertekstit mori dimensionin real, për t’u quajtur e tillë vetëm në 2006-n, kur MASH-i, nën drejtimin e Genc Pollos, shpalli liberalizimin e tregut të librave shkollorë dhe ftoi si partnerë të gjitha shtëpitë botuese dhe grupet e autorëve, të vjetër dhe të rinj, për të nisur nga puna. Menjëherë u ngrit bordi i miratimit të teksteve (BOMIT-i), i cili ishte një strukturë autonome, modeste, por profesionale. Në përbërjen e këtij bordi kishte redaktorë shkencorë të ish-SHBLSH dhe njohës të fushës së botimeve shkollore, specialistë të mirënjohur në fushën e pedagogjisë, ish-punonjës të Institutit të Studimeve Pedagogjike dhe autorë programesh e tekstesh shkollore, mësues të përzgjedhur dhe të rekomanduar nga drejtoritë arsimore dhe zyrat rajonale, për rezultate të larta në procesin e mësimdhënies dhe aktivë në veprimtaritë e organizuara për hartimin dhe zbatimin e Kurrikulës Kombëtare. Rregullat e konkurrimit ishin “ligj” për të gjithë botuesit, pavarësisht nëse ishe botues i vogël ose i madh dhe për më tepër, për herë të parë që nga 1990 nuk pati preferenca ose përjashtime për ngjyrime politike, si për botuesit, ashtu dhe për autorët. Kriteri i vetëm për t’u shpallur tekst i përzgjedhur ishte cilësia e botimit që ofrohej. Kjo reformë kishte vështirësitë e saj, kishte mangësi dhe të meta, si çdo gjë që eksperimentohet për herë të parë, por me kontributin e të gjithë partnerëve të interesuar, me mirëkuptimin që, shkallë-shkallë dhe vit pas viti do të bëheshin korrigjime, azhurnime dhe përafrime me standardet europiane për të tilla ndërmarrje në nivel kombëtar, kjo reformë do të përmbushte suksesshëm misionin e saj. Suksesi u duk që vitin e parë, kur shkollës iu paraqitën disa alternativa për lëndë të ndryshme, me cilësi më të lartë, si nga ana shkencore, ashtu edhe nga ana e paraqitjes. Kërkesat teknike për tekstet e reja, të njëjta me ato të botimeve europiane, bënë që botuesit të konkurrojnë në treg edhe me paraqitjen fizike të botimeve.

çmimet e librave shkollorë, në fakt, nuk ishin një zgjedhje e botuesve, pasi, si rezultat i zbatimit të rregullit me koeficient të përcaktuar nga BOMIT-i, ishin çmimet më të ulëta në tregun e botimeve, si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Edhe sot që flasim, me gjithë indeksimin prej 3%, ato mbeten më të ulëtat. Madje, këto çmime kaq të ulëta, fyese, si për punën e autorëve, ashtu dhe për investimin e botuesve, janë bërë jo rrallëherë pika të nxehta debati për firmosjen e kontratave mes palëve, si dhe tërheqjen e partnerëve të huaj për bashkëpunim. Nuk duhet të na gëzojë gjithnjë çmimi i ulët i teksteve shkollore, kur kërkesat teknike për këto tekste janë përcaktuar nga MASH-i të barabarta me botimet në Europë; nuk duhet të fërkojmë barkun kur botuesit, sidomos ata që nuk kanë shtypshkronjë, rropaten të qëndrojnë në treg edhe me një fitim qindarkash; as nuk duhet t’i quajmë këto si nikoqirllëk të MASH-it për buxhetin e familjeve shqiptare ose për shtetin shqiptar, në kurriz të palës tjetër, pasi edhe kjo ka koston e vet, më të paktën morale. Fillimi i ndryshimeve të rregullave të “konkurrimit” me tekstet e reja e ka nismën kur MASH-i rihapi, në shtator 2008, një sezon të veçantë për “konkurrim” të teksteve të gjuhëve të huaja, të sjella nga jashtë, të përfaqësuara nga dy librari vendase, të cilat edhe më parë kishin tentuar t’u imponoheshin komisioneve lëndore dhe autorëve të Kurrikulës Kombëtare të Gjuhëve të Huaja dhe të programeve, por meqë këto metoda dolën se nuk përputheshin me programet tona mësimore dhe nuk u gjetën si metoda të përshtatshme për vetë sistemin tonë shkollor, mbetën si alternativa në minorancë. Realisht ato, si në vitin e parë të konkurrimit, që nuk u klasifikuan, nuk duhet të klasifikoheshin as në gjendjen e tyre në minorancë, sepse nuk i përmbushnin kriteret e klasifikimit, si: mospërputhje me programin në tema dhe në sasi orësh, shumë rubrika dhe ushtrime mbeteshin të parealizuara nëse nuk merrej dhe CD-ja që ishte pjesë e metodës. CD-ja kishte kosto plus, fletoret e tyre të punës ishin bardhezi dhe jo me 4 ngjyra, siç ishte kriteri i përcaktuar nga MASH-i, ishin me tel kaluar dhe jo me ngjitje, si dhe shumë probleme të tjera. Një vit më pas u përsërit e njëjta skemë, por me masa drastike për botuesit shqiptarë, të cilët nuk lejoheshin të konkurronin me alternativat e tyre, qoftë me autorë shqiptarë, qoftë me autorë të huaj dhe shqiptarë, ose vetëm me autorë të huaj, sipas gjuhëve.

Ekonomia e tregut i kishte ndërgjegjësuar shtëpitë botuese vendase të punonin edhe më shumë për rritjen e cilësisë së teksteve dhe për afrimin edhe të autorëve të huaj, të cilët ishin shprehur të gatshëm të bashkëpunonin me kushtet për altertekstin e gjuhëve të huaja. Por të gjitha planet e ngritura mbetën të parealizuara dhe madje me partnerët e huaj, autorë dhe redaktorë shkencorë, u vumë në një pozitë shumë të vështirë. Unë jam e hapur për konkurrim alternativash, qoftë të huaja, qoftë nga vendi. Por nuk jam dakord me glorifikimin e metodave të huaja duke hedhur poshtë metodat vendase, kur ato janë të hartuara sipas standardeve europiane. Ajo çfarë doja të tregoja ka të bëjë me faktin se shkollës iu imponua një metodë e vetme për çdo gjuhë të huaj për klasën X, XI... Kështu, për gjuhën frënge u soll metoda “Campus”, e hartuar nga dy autorë, pa grada shkencore dhe as nga ndonjë institut i veçantë studimor. Kjo metodë u fut si tekst i vetëm për nxënësit fillestarë (Campus 1), për nxënësit e përparuar, (Campus 2) dhe njëherazi edhe në shkollën e gjuhëve të huaja, si metoda bazë për nxënësit e kësaj shkolle profesionale. Specialistët e gjuhëve të huaja, por edhe çdo linguist, do ta kuptonin se sa joprofesionale, jopedagogjike është futja në shkollë e një metode të tillë, pa dallim niveli, moshe dhe kategorie shkolle. Në vetvete kjo metodë është konceptuar mirë për publikun që i drejtohet, por nuk i përgjigjet moshës së nxënësve ku po përdoret, 16-18 vjeç, pasi është për të rritur, gjë që vihet re që nga ilustrimet, fotot, personazhet dhe tematikat që ndërthuren në dialogët dhe pjesët për qytetërimin. Gjithashtu, mungon në të tri nivelet fjalori aktiv i evidentuar, gjë që do të kërkonte një punë shumë të madhe nga mësuesit dhe nxënësit, një kohë më e gjatë në dispozicion dhe një profesionalizëm në nxjerrjen e fjalëve të reja sipas kuptimit që ato kanë në kontekstin e dhënë. Sipas kuadrit të referencave, në përfundim të shkollë së mesme nxënësit duhet të kenë arritur nivelin B2, të zotërojnë 4500 fjalë aktive dhe 8 mijë vlera semantike. Nivelet C1 dhe C2 nuk janë për parauniversitarët. Me të drejtë shtrohet pyetja: “çfarë po ndodh? Gjetëm metodën e duhur për të gjithë tipat e shkollave dhe për të gjitha nivelet e nxënësve, apo i gjetëm metodës një treg të gjerë shitjeje” ?!

Përgjigjen e kësaj pyetjeje na e dha përfaqësuesi i MASH-it, para disa muajsh, në një tavolinë të rrumbullakët, lidhur me shumë probleme që botuesit kishin ngritur për paketën informuese të vitit shkollor 2009-2010. Pyetjes sonë se përse ishin përjashtuar nga konkurrimi tekstet alternative vendase, përfaqësuesi i MASH-it iu përgjigj: “Asnjë shtëpi botuese e huaj nuk do të na afrohej po të mos ju hiqnim nga konkurrimi. Se po të jeni edhe ju në treg, mësuesit do të porositnin tekstet tuaja dhe do të mbeten pa u shitur metodat e sjella nga jashtë”. Përse MASH-i është kaq e sigurt se mësuesit do të porositnin librat te shtëpitë botuese vendase dhe jo tek alternativat e huaja? Zotërinjtë e MASH-it mendojnë se ne mund të korruptojmë të gjithë mësuesit, në shkallë kombëtare, apo janë të ndërgjegjshëm se metodat e huaj, të sjella, janë të mira për vendet ku janë hartuar dhe e shumta për kurse intensive gjuhësh dhe aspak për shkollën tonë masive, për kushtet tona, për nivelin ende të ulët të ekonomisë së familjes shqiptare, që mezi blen librin dhe fletoren e punës, jo më të blejë fjalorë dygjuhësh të shtrenjtë, për të shqipëruar fjalët e reja. Mësimi me këto metoda kërkon numër më të reduktuar nxënësish në klasë dhe dyfishin e orëve mësimore në planin mësimor, në mënyrë që të mund të zhvillohen normalisht të gjitha rubrikat.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›