E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti i arsimit, anomali për studentët e masterit

Dekani i Shkencave Sociale: Projekti ngurtëson burimet financiare. Kreu i Filologjisë: Krijon probleme për diplomat

Projektligji për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë, problematikat, cenimet kushtetuese me të gjitha substancat e reja të përfshira në të, janë dërguar për informacion në të gjitha universitetet publike në vend. Komunikimi në fundjavë ka qenë i vazhdueshëm mes krerëve të dekanateve dhe rektorateve. është në proces e sipër informimi i studentëve, interesat e të cilëve preken drejtpërdrejt nga ndryshimet e përfshira në draft. Konkretisht janë studentët në proces masteri të nivelit të dytë ata të cilët humbasin nga ky projektvendim, të cilëve titulli nuk do t’u jepet master shkencor, por thjesht master. Ata duhet të plotësojnë kredite të tjera, duhet të shpenzojnë më shumë kohë, si dhe duhet të paguajnë tarifa të reja shkollimi për të marrë prapashtesën “shkencor”. Ndërkohë që pasuniversitarëve u është thënë se masteri që po ndiqni do t’ju ekuivalentohet me një pjesë të procesit të doktoraturës. Për të ndjekur më pas këtë cikël studimi, do të ndiqen rregullat dhe do të plotësohen kreditet e kërkuara për të përfituar titullin. Sakaq, kjo do të jetë java e informimit të qeverive studentore dhe informimin e tyre në detaje për cenimet, për problematikat që ndeshin ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë dhe njëkohësisht edhe për masat që do të merren për mosmiratimin e tij në Parlament.

Dekanët e universitetit të Tiranës kanë kundërshtuar projektligjin e arsimit të lartë, i cili sipas tyre cenon lirinë akademike dhe financiare. Dekani i Shkencave Sociale, Dhori Karaj, sqaron se ky projektligj ngurtëson të gjitha burimet financiare, çka e bën të vështirë përmirësimin e kushteve në fakultete, dhe në kundërshtim me Kushtetutën lejon ministrinë të ndërhyjë në përmbajtjen e universiteteve. Karaj sqaron se në këto kushte, universiteti publik e ka shumë të vështirë të konkurrojë me privatin, tek i cili ministria nuk ushtron të njëjtin kontroll.

Nga ana tjetër, dekani i Fakultetit Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj, sqaron se ky draft krijon probleme për sa i përket ciklit të diplomave. Ndryshe nga ç’thuhej në ligjin e arsimit të lartë, tashmë të gjithë studentëve që kanë përfunduar masterin e nivelit të dytë, nuk u njihet më si master shkencor. Dekanët kanë kundërshtuar këtë draft, i cili është hartuar pa u konsultuar më parë me ta dhe që është në kundërshtim me Kushtetutën. Por jo vetëm kaq. Sipas tyre, një pjesë e mirë e neneve të ndryshuara, të cilat janë dërguar për miratim pa dijeninë e tyre, krijon anomali për të gjithë studentët që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve, apo janë në proces të tij.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›