E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferexhetë që zbulojnë lakuriqësinë

Zëra femërorë

Sarkozi dhe qeveria e tij kundërshtojnë ashpër mbajtjen e shamive dhe të ferexheve në Francë, ndërkohë që prej vitit 2004 ky shtet ka ndaluar mbajtjen e simboleve fetare në institucionet shkollore dhe ato shtetërore. Ndërsa shtatëdhjetë e tre vite të shkuara, në Shqipërinë tonë, konkretisht në vitin 1937, Këshilli i Përhershëm i Komunitetit Mysliman vendosi zbulimin e fytyrës së gruas myslimane, vendim ky i mbështetur edhe nga kreu i shtetit shqiptar aso kohe, Mbreti Zog. Sot në vitin 2010 në Shqipëri nuk ka asnjë ndalim për mbajtjen e shamisë, as në shkolla e as në ambiente të tjera shtetërore. Të gjitha këto të dhëna m’u kujtuan gjatë kësaj jave, ndërsa po i hidhja një sy një stende veshjesh femërore, ku u përballa me një femër të mbuluar kokë e këmbë me të zeza, nga ku i dukeshin vetëm sytë, e cila ishte nëna e dy vajzave të vogla, rreth moshës 5 dhe 8 vjeçe, e që për çudinë time edhe atyre u ishte vendosur nga një shami në kokë. Përballë kësaj figure me të zeza që tërhiqte gjithë nxehtësinë e diellit të Tiranës, shoh edhe një vajzë njëzetvjeçare, me një minifund tepër të shkurtër, dhe me një kantiere tepër të hapur, e cila po këqyrte një fustan të gjatë shumëngjyrësh, e që më pas tërhiqet nga kërkesa e Figurës me të zeza për fustane të gjata gjithashtu. E ashtu siç ndodh rëndom në dyqanet femërore, vajza me minifund, e buzëqeshur i afron fustanin që mbante në dorë, por Figura me të zeza largohet pa folur bashkë me dy vajzat e vogla.
Sjellja e çuditshme e Femrës me të zeza më bëri më shumë përshtypje sesa veshja e saj, apo se edhe zhveshja e vajzës tjetër njëzetvjeçare. Për fenomenin e femrave të mbuluara është folur shumë vitet e fundit. Nga njëra anë qëndron e drejta e kujtdo të zhvishet dhe mbulohet sa të dojë, e në anën tjetër qëndron mospranimi që i bëhet mbulimit të kokës dhe të fytyrës me ferexhe, mospranim që ka çuar në ngritjen e kërkesave nga besimtaret myslimane, për të pasur shkollim dhe punësim të barabartë, pavarësisht shamisë në kokë. Rasti i mësipërm si dhe i disa rasteve të tjera personale kur këta besimtarë në emër të besimit nuk denjojnë as të të japin dorën, më bën të pyes, nëse është shoqëria shqiptare që po i diskriminon femrat e mbuluara dhe meshkujt me mjekër të gjatë e pantallona treçerekëshe, apo vetë këta po ngujohen në një rreth të mbyllur mendimi dhe arsyetimi? Besimtaret myslimane kërkojnë të drejtën e tyre për t’u mbuluar me shami, por ndërkohë nuk kuptoj përse e kanë të vështirë të kenë një komunikim të lirë me femrat e tjera, qoftë edhe në një dyqan veshjesh? Si do munden këto femra dhe meshkuj të një besimi islam pak të “çuditshëm” të jenë të barabartë në shkolla dhe në institucione shtetërore kur atyre nuk u lejohet t’i japin dorën, apo të flasin me një person të seksit të kundërt? A mundet vërtet një shami që mbulon fytyrën të sigurojë ndershmërinë fizike? Po atë mendore? A nuk shërben një vello në fytyrë si një mjet i përsosur mashtrimi, i cili të lejon për të hyrë kudo pa u njohur e pa u dalluar nga askush? Në emër të cilës së drejtë dhe cilës liri këta prindër dhe ky besim vendosin t’i detyrojnë vajzat e vogla për t’u mbuluar me shami? Nëse besojnë se vendosja e shamisë është zgjedhje e lirë, përse nuk i lejojnë vajzat e vogla të zgjedhin vetë pasi të mbushin moshën e lirisë, por i detyrojnë të cungohen e të diferencohen në shoqëri? Ku janë mbrojtësit e mëdhenj të të drejtave të njeriut në Shqipëri? Apo mos po qëndrojnë të kapur fort pas të drejtave të dhunuara të Klodit? Por kush më siguron se pas një fytyre të mbuluar femre, nuk fshihet një vrasës serial? Një kriminel? Një hajdut bankash? E ndërsa flasim për të drejta, ku është e drejta e fëmijës tim, për të cilin unë zgjedh të mos mbulohet, por as të mos ndikohet në shkollë nga një fëmijë i mbuluar? Besimtaret flasin për diskriminim që po u bëhet. A e dinë ato që në shkolla, në ambiente zyrtare, ndalohen veshjet provokuese, fundet e shkurtra, bluzat e hapura? Nuk ka shoqata femrash që të protestojnë për ndalim të drejtash në këto raste. Përse besimi fetar duhet trajtuar në tjetër mënyrë? Përse edhe këto besimtare të mos respektojnë rregullat e shtetit shqiptar, duke qenë njëherë shqiptare, e më pas myslimane? Por si do munden këta besimtarë të përhapin fjalën hyjnore të Zotit, ndërsa me vetëmbylljen që krijojnë, s’bëjnë gjë tjetër veçse e vendosin veten e tyre në një sferë të tejdukshme, ku ne shohim veçse frikën e tyre për t’u përballur me shoqërinë. Së fundi më kujtohet një ngjarje në kryeqytetin egjiptian, në Kajro, ku në një nga anijet restorant që shëtisnin buzë Nilit, turistët argëtoheshin nga një valltare gjysmë e zhveshur që tundej e dridhej nën kërcimin “belly dancing”. Por pas mbrëmjes, habia e të gjithëve ishte e pamat, kur kjo zonjë përpara se të largohej nga puna e saj, mbi gjysmëveshjen tunduese që kishte, hodhi një çarçaf të zi dhe u mbulua krejtësisht. S’e di çfarë emri i vendosin këtij rasti besimtaret shqiptare: valltaren e sipërpërmendur do ta quanin të shthurur, apo një besimtare të devotshme të islamit? Pikëpyetjet që na ngrenë besimtarët myslimanë shqiptarë nuk vijnë nga mbulimi i “pjesëve të turpshme femërore”, siç i quajnë ata, por nga sjellja e tyre, e cila në vend që t’i mbulojë, nuk bën gjë tjetër veçse zbulon lakuriqësinë e mendimeve të tyre, frikën dhe paaftësinë për të pasur një jetë normale në një shoqëri që evoluon përditë. Jam e sigurt se pyetjet që ngrihen janë të pambarimta dhe nuk mjaftojnë disa radhë për të ezauruar këtë problem. Por mendoj se për një herë të vetme shteti shqiptar nuk duhet të struket si struci, por duhet të ngrejë zërin dhe të vendosë veton ashtu siç po bën Sarkozy në Francë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›