Administrata, 7 të larguar në Ministrinë e Arsimit
Largimet, shkarkimet, dorëheqjet apo sistemimet e punonjësve në administratë nuk do të jenë më temë diskutimi për këtë verë. Megjithatë, dje në ditën e parë të javës, ndërsa një pjesë e mirë e punonjësve janë larguar me pushime verore, në Ministrinë e Arsimit është komunikuar një vendim jo shumë i këndshëm për pesë punonjës, si dhe një masë tjetër administrative për një tjetër përgjegjëse sektori. Konkretisht, 7 punonjës në dikasterin e Shkencës janë larguar përfundimisht nga detyra që kanë kryer.
Pesë prej tyre u është komunikuar largimi nga puna, ndërkohë që një prej përgjegjëseve të sektorit është ulur në detyrë, duke u emëruar specialiste. Po ashtu, një tjetër punonjëse është larguar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, por jo me urdhër për largim, por me motivacionin e mbushjes së vjetërsisë në punë dhe daljes në pension. Sakaq, mësohet se të larguarit kanë punuar për një kohë të gjatë pranë dikasterit të Shkencës, dhe kanë disa vite që ushtrojnë detyrën në drejtoritë e këtij institucioni.
Duke nisur nga sot, ata nuk mund të jenë më pjesë e kësaj administrate. Mësohet nga të larguarit se njëri prej tyre do të ankimohet për urdhrin e largimit nga puna. Kjo pasi e ka marrë këtë informacion në mungesë, pasi prej disa ditësh ai ka marrë pushimet verore. Në këtë rast, sipas Kodit të Punës, një masë e marrë në mungesë paraqet parregullsi, prandaj dhe ligji njeh të drejtën e ankimimit. Ministria e Arsimit nuk ka parashikuar asnjë reformë në burime njerëzore, shkarkime apo zëvendësime, por për vendet vakante priten emërime të reja.
#