E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albafilmi: Çfarë do të ndryshojë

Drejtori i Albafilm Studios, Fatmir Musaj, dy muaj pas marrjes së postit tregon për projektet që premtojnë ndryshime: krijimi i studiove të reja dhe "pastrim të rekuizitës"


Albafilm Studio është institucioni që trashëgoi pas viteve '90 atë që mbeti nga ish Kinostudio "Shqipëria e Re".

Nuk ishte pak por produkti i 40 viteve punë.
Prej dy muajsh, në krye të këtij institucioni është Fatmir Musaj. Nuk e ka gjetur në kushte shumë të mira Albafilm Studion por kjo nuk e ka demoralizuar.


Hapi i parë i punës së tij ka qenë përballja me probleme të trashëguara nga administrata e mëparshme dhe më pas projektimi i disa ideve ku mund të ndërhyhet në terren. Musai nuk premton se do të bëjë mrekullia por thotë se ka për synim t'i kthejë ambientet e Albafilm Studios në vende normale pune. Aktualisht ky institucion administron një sipërfaqe rreth 57 mijë metra katrorë.


Janë 6 objekte mediatike që shfrytëzojnë kundrejt qirasë këto ambiente dhe sipas drejtorit të ri shumë shpej ky numër do të rritet. "Ne kemi shumë sipërfaqe të lira ku mund të ndërtohen studio të mëdha, që më pas mund t'ia lëshojmë me qira kompanive të huaja që janë të interesuara, pasi shteti ynë i favorizon me qira më të ulëta nga ato që janë në Perëndim.


Bëhet fjalë për kompani të interesuara për të bërë në këto mjedise xhirimin, montazhin apo shërbime të tjera",- thotë Musaj. Një ide kjo që mendon ta shtjellojë së shpejti.
Ish- Kinostudioja "Shqipëria e Re" sot është kthyer në një qytet mediatik ku zhvillojnë aktivitetin e tyre një sërë mediash dhe një nga projektet që synon të realizojë Musai gjatë kohës së funksionit të tij si drejtor i Albafilmit është shndërrimi i këtij "qytetit" në një vend normal pune.


"Ne po përpiqemi që të krijojmë një mjedis normal, ku dikush të hyjë dhe të dalë pa u përplasur. Dua që ky vend të mos vazhdojë të jetë më një katrahurë, por një vend normal pune" shprehet drejtori i Albafilmit.


Por në këto dy muaj ai nuk ka menduar vetëm për ndryshimin e ambienteve të jashtme të Albafilmit. Edhe pasuritë e tjera do të rishikohen. Tashmë është ngritur një komision që po punon për vlerësimin e gjithë rekuzitës. Janë të shumta materialet që janë përdorur për prodhimin e filmave përgjatë katër dekadave, por që tashmë shumë prej tyre mund të mos hyjnë në punë për asgjë.


"Rekuizita është mjaft e pasur, por nuk mund të them që është në kushte optimale",- thotë Musaj. Ai tregon se gjithçka do të rishikohet dhe do të seleksionohet. "Rekuizita e veshjeve nuk është shumë komode por jemi duke punuar që ato të mblidhen dhe të bëhet një sistemim cilësor, sepse të them të drejtën ka veshje pa fund.


Do të heqim ato që nuk janë më funksionale, veshje nga më të çuditshmet që kanë mbaruar dhe si kohë. Objekte pastaj janë ato që janë, mbajnë aq sa mbajnë, të rrinë aty ku janë",- shpjegon drejtori.


Ai do do t'i paraqesë Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Ekomomisë si dhe Kryministrisë një projekt ide për restaurimin e godinës së Albafilmit, që është një kompleks i rrallë përsa i përket stilit të ndërtimit.


Ka vite që Albafilmi është një institucion që edhe si qendër servisi nuk po funksionon më. Nuk prodhon asgjë dhe ekziston vetëm falë të ardhurave që merr nga dhënia me qira e ambienteve. sipërfaqe këto që një vit më parë u reduktuan nga qeveria.


Këshilli i Ministrave me vendim nr. 233 i dha për administrim Radio Televizionit Publik Shqiptar objektin "Atelie e re" me një sipërfaqe prej 3804 metra katrorë. Pra atelieri i famshëm ka për t'i kaluar TVSH-së.


Më 1996, ashtu si shumë institucione shtetërore në Shqipëri, ish -Kinostudio "Shqipëria e Re" reshti së qëni, dhe prej saj mbeti ajo që quajt Albafilm Studio me idenë për të shërbyer si një qendër servisi për kinematografinë. Në të njëjtin vit, u krijua dhe Qendra Kombëtare Kinematografike si një institucion që parashikonte mbështetjen për projektet filmike me buxhet të pjesshëm ose të plotë nga shteti.


Kinostudioja "Shqipëria e Re" u themelua më 10 Korrik 1952, pesë vjet para hapjes së Universitetit të parë shqiptar. Mbështetja e parë strukturore dhe teknologjike sigurisht që i erdhi nga Lindja, kryesisht nga Bashkimi Sovjetik.


Hap pas hapi ajo u pajis me laborator, sheshe xhirimi, studio zëri, dhoma montazhi, pra aty filmi kishte kushtet të kryente ciklin e plotë të realizimit. Numri i të punësuarve arriti në 700, kurse kulmi i prodhimit të filmave në një vit, ishte 14 artistikë, 16 të animuar dhe tetëdhjetë dokumentarë.


Në afro 50 vjet, Shqipëria kishte prodhuar 270 filma artistikë, me mijëra dokumentarë, mbi 180 filma të animuar, pa përfshirë këtu kinoditarët.
Dhe në 1996 kjo traditë sasie dhe e të bërit kinema nën presionin e propagandës, do të përmbysej për t'ia lënë vendin bashkëprodhimeve me vendet e huaja.


Artistët emergjentë, pjesa e tretë
Galeria Kombëtare e Arteve njoftoi dje krijimin e fondit publik për "Artistë emergjentë". Për të tretën herë në harkun kohor të një viti, termi "artist emergjent" ka përfaqësuar një tip aksioni që GKA me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka ndërmarrë pro të rinjve. Kujtojmë "Onufrin 2008", një edicion që i kushtohej artistëve të rinj shqiptarë.


Kështu u shpall dje konkursi për Projektin "Krijimi i Fondit Publik për Artistë Emergjentë në Galerinë Kombëtare të Arteve" që ka për qëllim "krijimin e një perspektive për të ardhmen e artistëve të rinj, të cilët, pas studimeve aspirojnë karrierën në të gjitha drejtimet e spektrit të artit pamor (histori dhe teori arti, kurim aktivitetesh artistike, menaxhim, koordinim, restaurim etj.)."

Do të përfitojnë vetëm 6 të rinj, të cilët do të bëhen pjesë e grupeve organizuese në GKA dhe do të marrin pjesë rregullisht në të gjitha projektet e planifikuara për vitin 2009, si ekspozita me koleksionin e GKA-së dhe ekspozitat e axhendës së këtij institucioni.
Një juri do të vlerësojë fituesit nga projekti "Krijimi i Fondit Publik për Artistët Emergjentë" i cili do të shtrihet në shkurt-qershor 2009.


Disa nga kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët janë një CV e pasur me aktivitete të skenës së Artit Bashkëkohor. Fituesit shpallen më 23 shkurt.
Re.ku


Tarifa me Analiza Sociologjike
Universiteti Europian i Tiranës prezanton sot "Institutin e Studimeve Sociale dhe të Politikave" (ISSP) si numrin e ri të revistës akademike ndërkombëtare "Sociological Analysis", e botuar nga ky universitet.

Drejtori i këtij Instituti dhe Kryeredaktor i revistës në fjalë, Dr. Fatos Tarifa, do të jetë i pranishëm në takimin e sotëm që do të zhvillohet në orën 17.00, në sallën Aula Magna, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›