Financime të gabuara
Tri shtëpi kinematografike kanë marrë buxhet nga QKK-ja dhe nuk kanë realizuar filmat. Në asnjë prej rasteve lekët nuk i janë rikthyer qendrës. Ja humbjet e milionave dhe proceset gjyqësore të Qendrës Kombëtare Kinematografike
Qendra Kombëtare e Kinematografisë është i vetmi institucion që financon prodhimin e filmave në Shqipëri. Prej afro 11 vjetësh është financuesja e pjesshme e të gjithë filmave të realizuar ne vendin tonë.
Të shumta janë problemet me të cilat ky institucion është përballur gjatë rrugës. Probleme që deri diku kanë lindur edhe prej politikës që ndjek kjo qendër, po edhe prej papërgjegjshmërisë së partnerëve apo "klientëve" të saj, shtëpive filmike (jo në të gjitha rastet rezultojnë të jenë kompani me destinacion prodhimin kinematografik).
Për të lehtësuar disi punën e producentëve kjo QKK pranon edhe projekte "jo të kopsitura mirë", e thënë ndryshe projekte që kanë të përcaktuar vetëm zërat e producentit, regjisorit dhe skenaristit.
Në rastin kur një projekt i tillë gjykohet i mirë, atëherë bordi i QKK miraton një buxhet (që është vetëm një pjesë e shumës totale që jep për prodhimin gjithë filmit) të cilin producenti mund ta përdorë për të plotësuar elementët e tjerë të filmit.
Ka raste që provojnë se një praktikë e tillë jo gjithnjë ka rezultuar efikase. Gjatë këtyre viteve ka ndodhur që producentët të marrin buxhetin e fazës së parë dhe të mos realizojnë filmin. Numërohen tri raste kur kjo Qendër ka hedhur në gjyq tri shtëpi kinematografike për mospërmbushje të kontratës, dy prej tyre janë ende në proces gjyqësor. Akuzat e ngritura nga QKK në të trija rastet kanë qenë të njëjta: mosrealizimi i produktit final.
Bëhet fjalë për shtëpitë kinematografike "Artemedia Film", "Eurofilm Barçi" dhe "Dea Shpk".
Filmi "Ne dhe Lenini" që ka pak ditë që po shfaqet në kinemanë "Millenium", ka kaluar në disa peripeci përpara se të mbërrinte ne ekranin e madh. Në vitin 2005 shtëpia kinematografike "Eurofilm Barçi" aplikon në QKK me projektin për realizimin e filmit "Mosha e Ujkut" (titulli i parë i "Ne dhe Lenini").
Producenti Bujar Barçi merr përsipër të realizojë filmin bazuar në skenarin e Ruzhdi Pulahës dhe që do të drejtohej nga Saimir Kumbaro. Pas miratimit QKK i jep "Eurofilm Barçit" 5.5 milionë lekë (të reja), për fazën e mëtejshme të filmit. Pjesa tjetër do të jepej ditën kur do të nisnin xhirimet. Një gjë e tillë nuk ndodhi.
Gjatë procesit parapërgatitës regjisori dhe skenaristi nënshkruajnë dorëheqjen nga filmi. Në një situatë të tillë, kur "Eurofilm Barçi" nuk përmbushi detyrimin kryesor ndaj QKK, pra realizimin e filmit, kjo e fundit kërkoi kthimin e shumës së financuar. Një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur, aktualisht kjo çështje është në Gjykatën e Apelit.
Ndërkohë që kjo shtëpi kinematografike vazhdonte të ishte në gjyq me QKK, projekti i filmit që "Eurofilm Barçi" nuk e realizoi aplikon sërish. Këtë herë është "S.K Film Production" që paraqet skenarin me titull "Ne dhe Lenini".
Regjisori Saimir Kumbaro merr rolin e producentit dhe realizon filmin. Sipas drejtorit juridik të QKK-së, Arben Lami ky institucion nuk parashikon ndonjë penalizim për këto raste. Një skenar mund të aplikojë disa herë në QKK. Producenti është subjekti juridik me të cilin lidh kontratën Qendra dhe ai duhet të përmbushë çdo pikë të kontratës. Në rastin e "Ne dhe Lenini" ka riaplikuar skenari, dhe jo producenti.
Ky skenar i përfaqësuar nga një tjetër shtëpi filmike fitoi sërish dhe aktualisht po shfaqet në kinema. Filmi i Kumbaros fatmirësisht u realizua, por mund të kishte ndodhur që të kalonte dhe rikalonte sërish në bordin e QKK-së i përfaqësuar nga producentë të ndryshëm.
Lami thotë se QKK nuk parashikon ndonjë udhëzim për raste të tilla. "Nuk ka ndodhur asnjëherë deri tani. Nëse një projekt do të lihej disa herë përgjysmë dhe do të aplikonte disa herë për fonde atëherë do të ndaleshim dhe do të shihnim se çfarë ka që nuk shkon te ky film" thotë ai.
Veç "Eurofilm Barçit", QKK është në proces gjyqësor edhe me "Dea Shpk" dhe "Artemedia Film". Të dy këto shtëpi filmike kanë aplikuar në qendër për realizmin e dy dokumentareve.
Në vitin 1998 "Artemedia Film" merr nga QKK 880 mijë lekë për realizmin e dokumentarit "Film i këputur". Në këtë rast producent, regjisor dhe skenarist ishte një njëri i vetëm, Kastriot Çipi.
Xhirimet për këtë dokumentar nuk filluan asnjëherë. Producenti nuk respektoi afatin dhe nuk dha asnjë arsye madhore nga ato që ishin parashikuar në kontratë. Me këto dy akuza QKK hodhi në gjyq "Artemedia Film", të cilin e fitoi.
Në vitin 2004 historia do të përsëritet në një tjetër variant. Është "Dea Shpk" që merr 1.1 milionë lekë për realizimin e dokumentarit "Franz Liszt". Në këtë rast produksioni pati të njëjtin fat si "Mosha e ujkut". Pas disa xhirimesh regjisori Kujtim Gjonaj dhe skenaristi Petrit Ruka tërhiqen. QKK hapi sërish një proçes gjyqësor ndaj producentes Dea Dizdari.
Proçese gjyqësore të QKK-së me "Dea Shpk" dhe "Eurofilm Barçi" tani kanë kaluar në Gjykatën e Apelit. I vetmi gjyq që ka përfunduar dhe e ka fituar QKK është ai kundër "Artemedia Film", por kjo shtëpi kinematografike ende nuk i ka rikthyer lekët.