Epopeja e një obelisku
A ka sens që të përvuajturve politikë të një regjimi famëkeq e totalitar si ai që të gjithë shqiptarët njohin, t'u përjetësosh martirin dhe t'i ngadhënjesh, duke lartuar në kohët e sotme një obelisk? Objekti mendohet të ngrihet përkundruall një godine tjetër që në memorjen e paçrrënjosur tiranase e mbarëkombëtare njihet si piramida apo varri i ish- diktatorit
Pas hapjes së Kanalit të Suezit, Zoti i Egjiptit, Khedive Ismail, i premtoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës një obelisk. I ngarkuari i transportit, komandanti Henri Gorrige, një tenent komandant i forcave detare amerikane, i duhej të çonte peshë një gur monolit prej 50 tonësh i cili më pas do të transportohej nga Heliopolis në Aleksandri e prej këtej në Quarantine Station në Nju Jork në korrik 1880.
U deshën gjithsej 32 kuaj të shaluar në 16 çifte për të tërhequr zvarrë obeliskun rrugëve të qytetit, derisa të mbërrihej në pjedestalin e gdhendur enkas në Graywacke Knoll në Central Park të qytetit e që më pas do të çohej në drejtim të Manhatanit.
Aty udhëtoi për 112 ditë derisa u ngrit përpara 10 000 celebruesve njujorkeze në janar 1881. Në ceremoninë e ngritjes, Sekretari Shtetit William Maxuell Evarts i deklaroi turmës:
"Vërtet..., kush mund të thotë se ç'mund të bëjë një shtet n.q.s çdo lloj perversiteti ka gjasë të ndodhë? Dhe gjithsesi ky obelisk mund të na pyesë: Mendoni se do të lulëzoni përgjithmonë, pa kurrfarë rrënimi njerëzor?
A mund të pretendoni vërtet se mirëqënia vetëm do na paraprijë, dhe njerëzimi nuk do njohë humbje? A mund të plakeni ju, por kurrsesi kombi vetë? Këto janë pyetje që do të gjenin përgjigje veçse në kohëra faraonësh por kurrsesi këto kohëra nuk janë më tonat..."
Më 8 janar 2009, një e përditshme shqiptare përcillte kronikën se "Obelisku në nderim të viktimave të regjimit komunist do të ndërtohet te Piramida. Këtë e vendosi dje Kryeministri Berisha, i cili pa marrë leje nga instancat përkatëse, urdhëroi Pangon që obelisku të vendoset "te piramida e diktatorit, aty e dua..."
Është i ditur fakti që obeliskët, apo monumente monoliti në formë të stërzgjatur piramidale lëshojnë hijen e tyre mbi glob që prej qytetërimit asirian mesopotam ku i pari ndër llojin ishte kurorëzuar Obelisku i Zi i Mbretit Shalmaneser III, që në mijëvjeçarin IX para Krishtit.
Obeliskët ishin pjesë e rëndësishme e komplekseve templarë egjiptianë të cilët kishin zakonin dhe bestytninë t'i vendosnin çift në hyrje të pilonëve ose portaleve hyrëse në tempuj. Ngrehinat e tyre simbolizonin kultin e diellit-zot Ra dhe kishin shëmbëlltyrën e ngurtësuar të rrezeve të tij në tokë.
Ata mendonin dhe besonin se dielli-zot i tyre i gjithëfuqishëm, jetonte dhe ekzistonte brenda trupit të obeliskut. Kështu kulti i obeliskëve ishte asociuar me përjetësinë dhe përkujtimin.
Të parët evropianë që u magjepsën pas kultit e vizionit të këtyre "gjilpërave" të larta e të përjetshme, ishin të gjithë mbretër, pushtonjës e perandorë romakë...aq sa i zhvatën Egjiptit mijëvjeçar pothuajse gjysmën e "rrezeve të tyre hyjnore" ku edhe sot e kësaj dite sheshet romake gëzojnë në numër, dyfishin e monumenteve obeliskë që zotëron sot Egjipti, pra, gjithsej 13 copë.
Dhe jo çdo obelisk "i vjedhur" romak përfundoi në Romë. Gërmime arkeologjike dëshmojnë se vetë Herodi i madh imitoi bashkëkohësit e tij duke ngritur për vete një obelisk në qytetin e Cesarese në Palestinën Veriore.
Edhe në kohërat bizantine, perandori lindor Teodosius hodhi mbi kuvertën e anijes së tij një obelisk 25.5 m të lartë e më pas e lartoi atë në një pjedestal të skalitur në qendër të sheshit të hipodromit të Stambollit modern që asokohe vetëquhej Kostantinopojë, ku paraqitej fitimtar duke dorëzuar/shtrënguar një kurorë dafinash në dorë.
Por kryeqyteti par excellence i obeliskëve është Roma antike e perandorëve dhe papëve. Të ngritur në kohëra të ndryshme, nga sheshi Shën Pjetër ose i Vatikanit, deri tek ai në Montecitorio, ose nga obelisku i Rotondës apo Pantheonit tek ai i Minervës me elefantin berninian, fjalët e skalitura në përjetësi nën hijen e tyre kuptimplotë janë:
Caesar divi fil. / Augustus / pontifex maximus / imp.
XII cos XI trib pot XIV / Aegypto in potestatem / populi romani redacta / soli donum dedit. (Perandori Cesar, bir i zotit, Augustit, pontific i parë, i shpallur perandor për të dymbëdhjetën herë, konsull për njëmbëdhjetë herë, që ka veshur potestà tribunicia për katërmbëdhjetë herë, që ka udhëhequr Egjiptin nën pushtetin e popullit romak, ia jep (obeliskun) në dhuratë diellit.)
Të ndikuar mbase nga bëmat dhe mundimet për përjetësi të "ushtarakëve" romakë kjo lloj mode u përçua në kohë dhe në vende të tjera evropiane e mbase dhe në kryeqytete botërore që pretendoheshin të deklaroheshin si të tilla në ato kohë si psh. Parisi ose Londra.
"Nëse shkon në Tebë, mos harro të më sjellësh një obelisk". Këto ishin sipas legjendës, fjalët e Zhozefinës në përcjellje të bashkëshortit të saj Napoleon, përpara se ky të kryente tentativën e tij të dështuar për pushtimin e Egjiptit më 1798. Paçka se historia është apo jo e sajuar, njëri prej obeliskëve kulmorë të Luxorit të famshëm lartohet sot në Place de la Concorde, Paris, pas dy muajsh udhëtimi me anije, tre vjetësh mundime e stërmundime, derisa inxhinieri J. B. Lebas ta ngrinte atë në sheshin e lartpërmendur më 1831, ku Ramsesi pa atdhe, sot përkujton çiftin e lumtur perandorak që mori mundimin ta çrrënjosë dhe tempulli i tij mëmë.
Rasti në Londër ose saktësisht në Victoria Embankment është i ngjashëm, veçse obelisku i radhës qëlloi të quhej "Gjilpërat e Kleopatrës", pra ishin në çift, për t'u ndarë përfundimisht më 1870, kur njëri prej të dyve u imbarkua për në Nju Jork dhe destinacionin tjetër e njohim tashmë.
Historia moderne obeliskiane kalon në suaza kryekëput të transformuara. Rasti i kontinentit amerikan dhe ato në vijim si psh.
Nelson memorial, Springfield Park, Liverpool, më 1805, Bunker Hill Monument, Charlestoën, Massachusetts,1827-1843, The Political Martyrs monument, Edinburgh, 1844, Ëellington Monument, 1861,e si plot raste të tjerë, theksojnë një përdorim të shumtë të kultit ushtarak.
Të gjitha, pa përjashtim, datojnë shek. IX, kur gjilpërat sahariane tashmë lartojnë kulte heronjsh, ngadhnjimtarësh në mbrojtje qytetesh, luftëtarësh të rënë në betejë, martirësh politikanë, etj.
Ikontrasenjuar në vitet e fundit apo gjysmën e dytë të shek. XX një përdorim masiv i këtyre shenjuesve historikë, është verifikuar dendur në viset e demokracive të brishta me historira të dhimbshme epopesh diktatoriale siç janë psh të gjitha vendet e Amerikës Latine e Jugore.
Përmendim: Obelisk i Montevideos, Uruguaj, 1930, Obelisku i Buenos Ajresit, Argjentinë, 1936, Obelisku i Sao Paulos, Brazil, 1954, Obelisku i La Pazit, Bolivi. Pothuajse të gjithë janë banorë të përhershëm parqesh e hapësira sheshesh, aty ku edhe historia merr një dimension transhedental.
Po ka edhe raste ku herë pas here ngrejnë kokën kobshëm shenjues historish të frikshme dhe heronjsh diktatorialë edhe aty ku obeliskët pothuajse ishin zhdukur, pra në Evropën plake si psh Foro Italico në Romë (në Lungotevere Maresciallo Diaz), i ngritur për nder të Benito Mussolinit më 1932.
Është me rëndësi fakti që obeliskët në kontinent (Evropë) janë një specie në zhdukje, siç del qartë dhe nga përmbledhja më lart. Mënyra dhe kuptimi i mbivendosur tek ta si dhe arsyeja e lartësimit të tyre është një fakt sa kohor, aq edhe gjeografik e rajonal.
Theksoj se në Evropën tonë përdorimi dhe njëkohesisht moda e tyre është kryesisht një veçori mbretërish, okupatorësh, perandorësh, diktatorësh, e dhunuesish, pra simboli i tij është përjetësisht i lidhur më kultin dhe ngurtësimin e një figure të vetme podestale dhe totalitare.
E prandaj duket e pakuptimtë dhe na lë më gojen hapur fakti që as edhe ish- diktatori ynë i tejkaluar tashmë nuk i dhuroi vetes një guxim e një mbrapshti të tillë. Kulti i obeliskut për të mbase do të ishte e do t'i fliste vetëm për historira oksidentale që për një martir komunist të edukuar nga fryma e largët lindore e stepave sllave vërtet që nuk do të thoshte asgjë. Sepse pikërisht këtu është dhe nuk është arsyeja apo mosarsyeja e lartësimit të tij.
A ka sens që të përvuajturve politikë të një regjimi famëkeq e totalitar si ai që të gjithë shqiptarët njohin më së miri, t'u përjetësosh martirin, e, mbase dhe ti ngadhënjesh, duke lartuar në kohët e sotme një obelisk?
Por nuk është vetëm këtu e gjithë dilema. Ky obelisk i cili thërret kultin e të lashtëve të tij faraonë egjiptianë merr dhe gjen fytyrën e tij si të tillë vetëm kur do të mund t'i vendoset përkundruall një godine tjetër që në memorjen e paçrrënjosur tiranase e mbarëkombëtare njihet si piramida apo varri i ish -diktatorit.
Vetëm për kujtesë: këto 20 vitet e fundit është bërë çmos e për të thënë e pamundura, që për fshirjen nga kujtesa e kësaj toponimie të kobshme e të bezdisshme, vetë objekti ka ndërruar sens e destinacion disa herë.
Është munduar gjithsaherë nga organe të ndryshme ligjvënëse që t'i japin atij një përdorim gazmor, fieristik e kryekëput të kundërt me gjithfarë simbolesh me të cilat ishte rënduar në jetën e tij të shkurtër (vetëm 5 vjet) që nga dita kur u ngrit e deri në ditën kur u përçudnua.
E pikërisht kjo e fundit ka qënë edhe arsyeja për të cilën sot e kësaj dite atij i është aplikuar radhazi një keqtrajtim i qëllimshëm, një gjymtim e lënie në harresë deri kur para pak kohësh përflitej veçse shndërrimi i tij në një qendër polifunksionale që më se fundmi do ta ekzorcizonte përfundimisht.
Por nuk qenka e thënë. Për ata të cilët vërtet do të kishte nevojë për një paqe e prehje gati hyjnore, një përjetësim dhe përkujtim në gjirin mëshirëplotë të një vdekjeje dhe ngadhënjimi pasvdekësor u duhet të mbajnë serish peshën e kryqit të tyre jo gjithkund e në hapësire mundësisht, atje ku shpirtrat prehen në paqë, por pikërisht, përjetësisht e përkundruall një ish- varri që nuk është më, por që po rindillet për të dytën herë vetëm për t'i dhënë trup dhe jetë një objekti obelisk që kurrsesi nuk mund të jetë lapidari i tyre.
Obelisku ibernon vetëm kultin e atij që e ngreh, duke shprehur vetveten si një simbol thellësisht teokratik, opresiv e totalitar pra, jodemokratik.
Sot ai do të përkufizohej si një xhest anakronik i kryer në kohë dhe vende që mezi presin të çlirohen nga mbizotërime kuptimesh dhe valencash që u ka kaluar koha.
Simbolika të tilla të rëndomta e ogurzeza që funksionojnë vetëm në bazë nënkuptimesh vendore, pra që do të kishin sens vetëm në një vend që mirëfilli është quajtur piramida ose varri i diktatorit - simbolikë e cila me një sërë transformimesh kuptimplota është munduar të shqitet njëherë e përgjithmonë nga vetëdija kombëtare - shkon sot dhe përforcon kumtin e saj, e dyzon atë me kultin e "sovranit të ri", ngadhënjimtar kundrejt të shkuarit, që kurrsesi nuk mund të pasqyrohet tek kori i braktisur për vite me radhë, i të përndjekurve politikë, në memorie të të cilëve mund të ishte gjithçka, përveçse një shenjë e re totalitare që i përqesh, u tërheq forcë dhe energji për të ngritur e ngurtësuar lart pastaj frymën e re të atij për të cilin realisht do të shërbejë.
Simbolet apo shenjat kombëtare i shërbejnë gjithë komunitetit dhe kombit mbarë. Diktatura e egër ishte fati i gjithë kombit, kobi apo nderi i tij. Përjetësimi apo harresa, përkujtimi dhe nderimi na përket të gjithëve dhe të gjithë bashkë jemi zot të vendosim e duam apo jo atë kujtim.
E për më tepër kur përmendore të tilla do të jenë në sytë, respektin dhe vemendjen e të gjithëve, mbërrin natyrshëm kërkesa që vendimi apo jo ti takojë vullnetit të të gjithëve, dhe jo të na imponohet, qoftë edhe për të pavdekësuar kujtim martirësh.
Them se do të ishte pasqyrë largpamësie dhe demokracie, e mbase edhe gjest frymëzues dhe fisnik sikur një herë të vetme t'i mundësohej këtij populli të zgjedhë vetë simbolet që dëshiron t'i shkojnë për shtat.
Dhe jo rrallë herë, edhe në historinë botërore, tradita ka treguar se vendet që krijohen dhe ku natyrshëm derdhet respekti, përulja dhe përkushtimi popullor janë edhe ato ku ndihet fare qartë dimensioni populist i çliruar nga protokolle të ngurta zyrtare, pra, atje ku njeriu njehsohet me dimensionin e lirisë dhe të paqes.
Dua t'ju kujtoj edhe një herë fjalët e fundit të sekretarit të shtetit William Maxuell Evarts në ceremoninë e ngritjes se obeliskut: "Bëjani pyetjen vetes: këto janë pyetje që do të gjenin përgjigje veçse në kohëra faraonësh dhe kurrsesi këto kohëra nuk janë më tonat..."