Alban Bushi: "Pikë me Panathinaikos? Përse jo..."

Sulmuesi shqiptar i Apolon Kallamarja, Alban Bushi vlerësohet si një nga futbollistët më të rëndesishëm të skuadrës greke të Superligës, që renditet në vendin e 14 nga 16 ekipe që ka kampionati mamskimal i vendit fqinjë. Në 11 javë, Apolon Kallamarja ka mundur të grumbullojë vetëm 10 pikë, po aq sa skuadra tjetër selanikase, Aris, dhe 4 pikë më shumë se Iraklisi i Indrit Fortuzi, skuadra e tretë e Selanikut.
Në prag të ndeshjes me Panathinaikos (ditën e dielë, ora 19:00), sulmuesi tiranas, që pritet të luajë nga minuta e parë, pohoi në faqen e klubit të tij se Apolon është përballur me shumë probleme: "Ne kemi përballuar shumë probleme, për shkak të dëmtimeve por dhe të ndëshkimit tim. Cdo lojtar mund të kontribuojë për ekipin. Do të përpiqemi të japim më të mirën tonën. Ne do të luftojmë për të mos humbur me kundërshtarin lehtësisht, nga ana tjetër përse jo, të mos pretendojmë për rezultat pozitiv", përfundon 31-vjecari, Alban Bushi, i mbërritur te Apolon Kallamarja nga Levadiakos.
Apolon Kallamarja do të ketë një tjetër sfidë me Panathanaikos për turin e 5-të të Kupës së Greqisë, ndeshje që do të luhet më 20 dhjetor 2006 në Athinë (ora: 19.00).
Mina Petro