Ljuis Hamilton, piloti i parë me ngjyrë në Formula 1

McLaren ka thyer më në fund akullin në Formula 1 duke sjellë pilotin e parë me ngjyrë në gjithë historinë e automobilizmit. Dje skuderia britanike ka konfirmuar pilotin e dytë të saj dhe ky do të jetë Ljuis Hamilton. Britaniku, kampioni i botës në kategorinë GP2 është vetëm 21 vjec dhe do të jetë përkrah kampionit në fuqi Fernando Alonso. "Është një ëndërr që u kthye në realitet. Pilotimi në Formula 1 me McLaren në këtë moshë është një moment fantastik. Që kur kam qenë i vogël qëllimi im i vetëm përfundimtar ka qenë garimi me McLaren", deklaroi piloti. Konkurenti i vetëm Hamilton për vendin e dytë te McLaren ka qenë De La Rosa. Kështu i preferuari i Ron Denis shënon një revolucion në botën e Formula 1 duke u bërë i pari pilot me ngjyrë. Hamilton me origjinë karaibo-anglez ishte vetëm 10 vjec kur u takua për herë të parë me Ron Denis në një darkë dhe e informoi atë se kishte dëshirë të pilotonte për McLaren. Pas kësaj në 1998 ai u përfshi në një program mbështetjeje për pilotët e rinj që u organizua nga McLaren dhe Mercedes-Benz. Në 2003 Hamilton ka dominuar në "British Formula Renault Championship" ku arriti të fitojë 10 nga 15 garat e zhvilluara. "Unë jam rritur me McLaren dhe Mercedes dhe nuk do të isha këtu pa mbështetjen dhe udhëzimet e drejtuesve të saj", shtoi Hamilton, prindrit e të cilit emigruan nga ishujt e Karaibeve të Grenadës në 1950. "Megjithatë jam i vetëdijshëm që kjo do të jetë një sfidë për mua dhe tani do të më duhet më shumë kujdes".
Gert Serani