Merkoçi përfundimisht te Dinamo

Ish-sulmuesi i bardhebluve të Tiranës Eldorado Merkoci ka zbritur dje pasdite në stërvitje me skuadrën e Dinamos, me të cilën pritet të nënshkruajë kontratën e plotë gjatë merkatos së janarit. Sipas drejtuesve të klubit blu, Merkoci mund të konsiderohet përfundimisht lojtar i Dinamos deri në fund të sezonit. Ish-sulmuesi bardheblu, pas disa tratativave të gjata me klubin blu, duket qartë se pranoi kushtet kontraktuale me Dinamon, e cila prej ditësh kishte kërkuar shërbimet e 30-vjecarit. Në fakt, vetë Merkoci u shpreh se kishte ardhur të bënte stërvitje me blutë dhe se për nënshkrimin e kontratës do të vendoste më vonë. Por drejtuesit e klubit, që gjendeshin dje pasdite në ndjekje të ekipit, deklaruan shkoqur se Merkoci është përfundimisht lojtar i Dinamos, por nuk mund të aktivizohet në ndeshjet e kampionatit para merkatos së janarit, kohë në të cilën mund të bëhet dhe kalimi i tij zyrtarisht nga Tirana te Dinamo. Nga ato pak fjalë që arritëm të shkëmbenim me sulmuesin kryeqytetas, arritëm të mësonim se Dinamo është një klub me emër dhe të aktivizohesh në radhët e saj është një zgjidhje e mirë për një lojtar të tillë. "Ende nuk kam firmosur, pasi merkatoja do kohë, gjithsesi unë kam ardhur të stërvitem këtu për që qenë vazhdimisht në formë. E rëndësishme është që po kuptohemi si duhet me drejtuesit e klubit të Dinamos, të cilët i falënderoj. Nuk kam komente të tjera, pasi e konsideroj një prononcim të parakohshëm", - tha Merkoci, i cili gjithsesi na la të kuptojmë se kalimi i tij te Dinamo është përfundimtar dhe pritet vetëm aktivizimi i tij fill pasi të jetë hapur merkatoja e janarit, para së cilës është e pamundur zbritja e tij në fushë. Ndërkohë administratori i klubit Ismet Salia dhe ndihmëstrajneri Bozhiqi theksuan se Merkoci është përfundimisht i Dinamos, por federimi i tij nuk mund të bëhet para janarit për arsye të rregullave. "Po, Merkoci është tashmë lojtari ynë. Pas disa tratativave kemi rënë dakord që ai të vishet blu. Sigurisht që nuk mund të aktivizohet para janarit për arsye të federimit, por që sot nisi stërvitjen me skuadrën për të qenë në formë. Besoj se kemi bërë një blerje shumë të mirë, pasi vlerat e tij si sulmues dihen tashmë. Ne kishim nevojë për të dhe besojmë se te Dinamo do të gjejë vetveten", - tha administratori i bluve Salia. Eldorado Merkoci ka qenë prej vitesh sulmues i Tiranës, por u përjashtua nga nënkampionët pas një mbledhje të donatorëve bardheblu, duke e cilësuar si të padisiplinuar. Së bashku me të u largua dhe mesfushori Sajmir Patushi, ndërkohë që të gjitha lëvizjet tek Tirana u kushtëzuan edhe nga largimi i stafit të saj teknik. Gjithsesi, nga burimet e klubit bëhet e ditur në të njëjtën kohë se pranimi i ofertës nga ana e Merkocit lidhet dhe me shkaqe të tjera, që kanë të bëjnë me afërsinë e stërvitjes dhe qëndrimin në kryeqytet. Sic duket, Merkoci ka preferuar të jetë jo larg kryeqytetit.
ADRIATIK BALLA
(Metropol Sport)