E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alban Hajdinaj, ekspozitë në Venecia

Artisti shqiptar, Alban Hajdinaj, ka çelur në Venecia të Italisë, ekspozitën e tij të parë personale, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 25 korrik. Për dashamirësit e artit në vendin ku ka zgjedhur të ekspozojë, Hajdinaj propozon vepra të punuara mes viteve 2003 - 2009. I njohur në vendin fqinj edhe për pjesëmarrjet e tij në aktivitete ndërkombëtare të organizuara aty, siç është manifestimi "Manifesta 4" apo ekspozita kolektive "Eurasia", Hajdinaj ka marrë pjesë edhe në Bienalen e Venecias në edicionin e 52 të saj në vitin 2007. Punët e tij, janë ekspozuar në galerinë bashkëkohore. Ato shpërfaqin në mënyrë thelbësore natyrën e imazhit: mënyra se si përdoret prej botës së konsumit dhe të publicitetit në ndërveprim me sjelljet sociale dhe aftësitë për t‘u transformuar. Në shkrimin kritik kushtuar ekspozitës së tij thuhet se interesante për t‘u parë janë pikturat në pastel, ku shpërfaqen vende dhe imazhe të produkteve të konsumit, të cilat përcillen në mënyrë paradoksale me një sfond komunikimi artistik, ku duket se ky komunikim është legjitim dhe tërësisht i nevojshëm. Në punimet e tij tepër të kujdesshme, ndien se duhet të shikosh se çfarë fshihet përtej imazhit. Edhe videot e prezantuara në këtë ekspozitë synojnë të shpërfaqin të njëjtën problematikë. Në videon e titulluar "Alisa dhe Sarah" - (2006), një revistë me imazhe nga kampionët amerikanë të sportit të wrestling, shfletohet prej dy vogëlusheve që shoqërohet në mënyrë të paperceptueshme prej lojërave dhe komenteve që ato zhvillojnë me njëra-tjetrën, gjeste dhe komente që shtojnë tensionin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›