E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia ndërkombëtare në Shqipëri e Kosovë

Sovranitete të lëvizshme, (Kujtesa, konfliktet, dhuna në Ballkanin e erës globale)", libri i antropologes dhe studiueses italiane, Mariella Pandolfi, vjen edhe në gjuhën shqipe. Libri i sjellë prej shtëpisë botuese "IDK", ka në qendër të tij të ashtuquajturën "retorikë humanitare" që vitet e fundit është shfaqur me forcë në marrëdhëniet ndërkombëtare, e mishëruar disa herë me ndërhyrje ushtarake, por më shpesh me "ndërhyrje humanitare". Fokusi i saj bie në mënyrë të veçantë në efektin që kjo strategji ndërkombëtare e ndërhyrjes humanitare ka pasur në Ballkanin Perëndimor, duke u përqendruar sidomos në rastin e Shqipërisë dhe të Kosovës që autorja i njeh më mirë. Në analizën e Pandolfit është universi kompleks i ekspertëve, ushtarakëve, OJQ-ve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë shërbyer për të vënë në jetë ndërhyrjen humanitare perëndimore si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë gjatë dekadës së fundit, strategjitë që ato kanë ndjekur dhe efektet kontradiktore që kanë pasur në kontekstin e një shoqërie paskomuniste apo paskonfliktit. Qasja e Pandolfit është kritike dhe bëhet nga këndvështrimi i një antropologeje, duke qenë ajo thellësisht e bindur se përballë këtyre shndërrimeve të thella që po ndodhin në botën e sotme... është jetike për shkencat shoqërore që të ushtrojnë funksionet e tyre kritike. Jo me qëllim që të dënojnë ndonjë operacion ushtarak të veçantë apo retorikën humanitare, po për të kuptuar atë që këto lloj mobilizimesh lënë pa thënë ose qëllimisht fshehin, për të rrokur ambiguitetin dhe kontradiktat e tyre, për të kuptuar bazat dhe se ç‘është në lojë, me pak fjalë për të marrë vesh arsyen e ekzistencës së një forme qeverisjeje ushtarake apo humanitare, e cila shpesh na imponohet, a thua se kjo është gjëja më e vetëkuptueshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›