Korçë, shënohet viktima e dytë nga vapa
Regjistrohet viktima e dytë e vapës në juglindje. Një 34 vjeçar nga qyteti i Korçës ka mbetur i vdekur gjatë mbasdites së kaluar, teksa një atak kardiak e ka lënë të vdekur në vend. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të mbasdite së kaluar në një banesë në lagjen 2 të qytetit juglindor.
Duke iu referuar të dhënave të policisë lokale e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes mësohet se 35 vjeçari Altin Kole ka shkuar në shtëpi gjatë drekës si çdo ditë tjetër, ndërkohë që nuk është ndierë mirë, ndërsa iu ka kërkuar familjarëve ti japin ndihmë se ishte në gjendje të rënduar shëndetësore. Vetëm në pak minuta ai ka vdekur, ndonëse është transportuar nga të afërmit në spitalin e Korçës. Sipas mjekëve të këtij spitali, Kola ka shkuar i vdekur në spital. Shkaku i vdekjes sipas mjekëve është një atak kardiak, që mendohet të jetë nxitur nga vapa e pazakontë që ka mbërthyer ditët e fundit qarkun e juglindjes. Viktima kishte qenë jashtë në diell deri para se të mbyllte sytë, ndërsa ka përjetuar një vapë të madhe. Edhe disa ditë më parë një 28 vjeçar ka vdekur në të njëjtën formë dhe sipas mjekëve shkaku mund të ishte vapa. Gjatë ditëve të fundit temperaturat në qarkun e Korçës janë rritur ndjeshëm. Gjatë 24 orëve të fundit termometri ka regjistruar 28 gradë celsius. Këto temperatura janë të pazakonta për këtë periudhë në Korçë, ndërsa duket se kjo nuk përballohet nga banorët e qytetit juglindor të cilët janë mësuar me klimën e freskët të kësaj treve.