E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turistët, të privuar prej diktaturës dhe etnografisë

Muzeu Historik Kombëtar, mbartësi dhe ruajtësi i historisë së kombit tonë, i ngjarjeve që na bëjnë të krenohemi më shumë a më pak, (por që gjithsesi mbeten të rëndësishme) ashtu si çdo institucion kryesor i kulturës vendase, në këtë fillim sezoni turistik është një nga destinacionet kryesore për të huajt, apo shqiptarët e diasporës që vizitojnë këto ditë Tiranën. Ata ngjiten shkallëve të muzeut grupe-grupe, duken të mirorganizuar dhe entuziastë për të rejat që do të mësojnë mbi Shqipërinë, ndalesën e radhës. Vijnë nga Franca, Gjermania, Finlanda, Anglia... e ndryshe nga vitet e shkuara, kanë filluar të na vizitojnë edhe shumë turistë prej vendeve aziatike. Ndalin hapat fillimisht për të vëzhguar së pari ballinën e ndërtesës së muzeut; mozaikun mural "Shqipëria". Ai vazhdon të qëndrojë ende aty, dëshmi e periudhës kur u krijua, ndonëse dy vjet më parë u shumëdiskutua nëse duhej të hiqej prej aty. Pikërisht pse ishte krijuar gjatë periudhës së diktaturës. Pas komenteve të radhës, hyjnë në ambientet e brendshme të MHK-së. Sportelistja me buzëqeshjen e impostuar, me kulturën e mësuar përmendësh, (sepse i intereson të sillet mirë vetëm me turistët) u ofron biletat dhe ja ku u bë. Ata kanë mundësi të ndjekin lektorët teksa u shpjegojnë me radhë pavijonet e muzeut: atë të Antikitetit, Mesjetës, Rilindjes, Pavarësisë, Ikonografisë, si dhe pavijonin e luftës antifashiste. Në këtë fillim sezoni turistik, Muzeu Historik Kombëtar është i mangët. Ata që vijnë në Shqipëri e zbresin në Tiranë, vendin që e kanë njohur më së shumti nga jehona e diktaturës 50-vjeçare, nuk do të mund ta shohin dot të dokumentuar këtë periudhë. As krimet e shumëpërfolura të kësaj kohe, të treguara nga dëshmitarë okularë, të shkruara në libra kujtimesh apo historikë. Pavijoni i gjenocidit, nuk është më i vizitueshëm. Materialet e mëparshme, kryesisht fotografi të shoqëruara me shpjegime, janë shpërngulur. Aktualisht janë pjesë e magazinës. I vënë në diskutim edhe më parë, pavijoni i gjenocidit është pjesë e rikonstruksionit dhe rikonceptimit të përgjithshëm të muzeut. Po ashtu edhe pavijoni etnografik, ose më mirë të themi sesioni etnografik, i realizuar në kohën e drejtorit paraardhës, Beqir Meta. Pa dyshim që etnografia është një nga aspektet grishëse për të huajt që duan të mësojnë më shumë për kulturën shqiptare. Sot, ende turistët nuk mund ta njohin këtë anë, edhe pse historia e krijimit të një pavijoni të plotë të etnografisë gjatë këtyre viteve të fundit(pas mbylljes së ekspozitës etnografike në ish-ekspozitën "Shqipëria e re") është përshkruar edhe nga mosmarrëveshje mes muzeut dhe Institutit të Kulturës Popullore, në të cilin ruhen fondet. Atyre që nuk do t‘ju bjerë më rasti që ta vizitojnë Muzeun Kombëtar do të marrin me vete vetëm këtë imazh të tij, ndonëse në shkurt të këtij viti, në një konferencë shtypi që shpalli një investim madhor për këtë institucion si pjesë e fondit spanjoll prej 3.2 milionë dollarësh për kulturën shqiptare, u premtua një vizion modern për të. Drejtori aktual, Kasëm Biçoku, e quajti si ndërhyrjen më të madhe, ndërsa atëherë Engelberd Rouse, specialist pranë zyrës së UNESCO-s në Venecia tha se do të ngrihej një bord këshillimor për të hartuar projektin i cili nuk është prezantuar publikisht. Ndërmjetësimi i UNESCO dhe PNUD kësaj here mund të japë sigurinë se ky projekt rikonceptimi nuk do të preket, siç ka ndodhur më parë, nga ndërrimi i drejtuesve të institucionit. "Çdo gjë, kërkon kohën e vet, ashtu edhe pavijonet në rikonstruksion", thotë drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Kasëm Biçoku. "Ka përfunduar faza inxhinerike, siç e quajmë ne dhe tani jemi duke vijuar më tej me detajet e tjera", shprehet ai. Në fakt, drejtori Biçoku, sipas deklaratave të tij dhënë në shtyp, ka theksuar se ky rikonceptim është i pari që kryhet kaq i plotë prej kohës së ndërtimit të MHK-së në vitin 1981. Biçoku, për gazetën deklaron se edhe pse është vetëm fillimi i sezonit turistik, nga të dhënat e shënuara (kryesisht prej sportelistes që pyetjes "sa është mesatarja e turistëve që vizitojnë në një ditë muzeun dhe si janë shifrat krahasuar me një vit më parë, i përgjigjet me një ton kundërshtues, gati në rebelim, thua se nuk kemi të bëjmë me një institucion publik) se numri i turistëve është rritur me 30 për qind në krahasim me vitin e shkuar. Shifrat e sakta mbeten për një moment të dytë, kur të bëhen bilancet, ndërsa turistët, pasi kanë bërë xhiron e pavijoneve e ndiejnë të cunguar informacionin që kanë marrë për periudhën historike të diktaturës(në mungesë edhe të një muzeu tjetër paralel për këtë periudhë) dhe pjesën etnografike.

Një çift bashkëshortësh, gruaja shqiptare dhe i shoqi italian pas një vizite te familjarët, kishin parashikuar vizita edhe në institucionet kulturore të vizitueshme në Tiranë. Teksa i takojmë pas vizitës në muze, thanë se vinin pas një vizite që kishin bërë në Galerinë Kombëtare të Arteve. "Më pëlqeu që atje pashë edhe një pikturë të madhe ku shfaqej portreti i diktatorit. ‘Ky është Enver Hoxha‘- i thashë tim shoqi. Më erdhi mirë që e gjeta atje. Është pjesë e historisë sonë. Por këtu në muze nuk munda të vizitoja pavijonin e gjenocidit komunist. Është në rikonstruksion. Dakord, por duhet të jetë patjetër, ne duhet ta shikojmë edhe atë", thotë gruaja. Ndërsa vizitori italian që doli prej hyrjes kryesore të muzeut duke thirrur: "Skënderbeu", sepse figurën e Heroit Kombëtar duket se e njihte mirë, thotë se erdhën të vizitonin Muzeun Kombëtar, si një institucion ku ruhet dhe ekspozohet historia. I kishte pëlqyer vizita në muze, por do të kishte dashur të shihte diçka edhe për periudhën komuniste në Shqipëri. "Kam dëgjuar kaq shumë për të. Kam lexuar libra e kam parë dokumentare, por është ndryshe kur i shikon në muze, që është si një pasqyrë e realitetit të asaj kohe të shkuar. Do të kisha dashur shumë ta shihja edhe këtë pjesë. Kur mund të kthehem prapë për ta parë?", pyet ai, ndërsa ne, ngremë supet dhe i buzëqeshim. Ndoshta verës tjetër, ku i dihet...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›