E Diel, 1 Nëntor 2026

Kori "Lira" merr "Emblemën e Artë"

Një nga formacionet më të hershme të qytetit të Korçës, kori "Lira", është nderuar këtë fundvit me titullin "Emblema e qytetit". Vendimi është marrë nga këshilli bashkiak me motivacionin "Për kontributin e shquar në fushën e muzikës e pasurimit të saj dhe të ruajtjes së traditës". Korça e traditës kulturore nuk mund të kuptohet pa serenatat dhe kori "Lira". Ky kor është një nga formacionet më të vjetra, pjesë e kësaj tradite me instrumentet tradicionale dhe zërat karakteristikë burrërorë që i këndojnë natyrës, bukurisë së ndjenjave dhe atdhedashurisë. Vlerat e këtij formacioni kanë bërë që kori të jetë emblemë e qytetit, ku për herë të parë formacionet muzikore lindën në këtë formë mes kitarave, mandolinave, për t‘u pasuruar më tej jo vetëm nga zërat burrërorë, por në vitet e fundit edhe përmes veglave të ndryshme, instrumente që sollën jo vetëm larminë dhe tingujt e veçantë, por që u bënë pjesë e pandashme e korit "Lira" bashkë me gratë dhe vajzat, si elemente të modernizimit të këtij formacioni. Kori "Lira", i cili aktualisht ka 35 zëra, është pasuruar edhe me formacionin e vogël akapela. Ekzistenca e gjatë në vite, një jetëgjatësi që nuk i ka ndryshuar aspak karakteristikën, por edhe përfaqësimi që i ka bërë qytetit brenda dhe jashtë vendit kanë ndikuar në akordimin e këtij titulli të veçantë. Shtimi i elementeve plotësuese në vite nuk e ka prekur anën tradicionale dhe ky kor vazhdon ende të këndojë këngët e vjetra, duke u vlerësuar edhe me çmime jashtë vendit, i cilësuar si një nga koret më të veçantë. Gjatë ceremonisë së dhënies së titullit "Emblema e Artë", muzikologë dhe kompozitorë kanë dhënë vlerësimet profesionale.

Ju. Dh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›