E Diel, 1 Nëntor 2026

Valbona Kapllani, një ekspozitë pikture në fundvit

Ekspozitën e parë personale, piktorja durrsake Valbona Kapllani ka zgjedhur ta hapë këtë fundvit. Ish-liceistja e shkollës artistike "Jan Kukuzeli" i është kthyer pasionit të hershëm përmes ngjyrave të ngrohta. Ky aktivitet ka mbledhur dashamirës të pikturës, artistë dhe emra të njohur nga Tirana e Durrësi, mes të cilëve piktorët Nikolet Vasia, Lume Blloshmi, rektori i Akademisë së Arteve Petrit Malaj, Neritan Ceka etj. Peizazhet dhe natyrat e qeta të ekspozuara në ambientet e galerisë së arteve "Jozef" vijnë të ngrohta dhe plot jetë përmes penelit të piktores durrsake, duke dëshmuar edhe për këndvështrimin optimist me të cilin ajo e sheh natyrën, njerëzit dhe botën që e rrethon. Piktorja e njohur durrsake, Shpresa Beqiri, ish-pedagoge e Kapllanit, ka mbajtur fjalën hyrëse të ekspozitës, që do të qëndrojë e hapur gjatë kësaj jave. "Dashuria për pikturën, e kultivuar që nga fëmijëria në kurset e pikturës në shkollën artistike nuk u zbehën kurrë. Te pikturat e saj ka shpirt, ka ngjyrë, dritë dhe një këndvështrim interesant, pra ka elementet që e bëjnë një tablo të jetë e bukur dhe autoren një piktore shumë të pëlqyeshme", tha Beqiri. Neritan Ceka ka vlerësuar origjinalitetin me të cilin vjen autorja, ndërsa durrsaku Antonin Gjeluci vlerëson thjeshtësinë si një tipar që e përshkon krejt ekspozitën që duhet përshëndetur. Gjithsesi, në ekspozitën që vjen me 36 punime të ndryshme, kompozime, akuarel, grafikë nuk i qëndron besnike një linje. Kapllani është në të parën ekspozitë personale dhe ambicia e saj synon rritje profesionale në vazhdim.

V.Qyrfyçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›