E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy premiera për shikuesit e cirkut

Cirku shqiptar mbërriti në stacionin e tij të 50-të. Artistët e arenës, akrobatët, ekuilibristët, zhonglerët dhe artistët e ajrit e pritën këtë ngjarje artistike me shfaqjen më të re të Cirkut të Metropolit, të titulluar "Të kapërcesh ylberin". Një shfaqje, e cila që në javën e parë u ndoq nga shumë shikues dhe po tregon njëherësh ndryshimin dhe zhvillimet më të reja, të ndodhura këto vitet e fundit në këtë arenë. "Jemi krenarë që në këtë premierë të 50-vjetorit kemi prezent legjendën e gjallë të cirkut shqiptar, Telat Agollin, dhe njëherësh edhe shpresën që na falin talentet e reja si akrobatet e studios së cirkut, që tregojnë vazhdimësinë, pasionin, ëndrrën, që nuk u ka munguar asnjëherë artistëve të këtij arti. Jetë të gjatë Cirkut të Metropolit dhe suksese të mëtejshme në punën e tij artistike", u shpreh në fillim të premierës drejtori i Qendrës Metropolitane, z. Kiço Londo. Ajo që vlen të përmendet në këtë premierë është gërshetimi i refleksioneve personale, eksperiencës artistike të mjeshtërve të arenës me elementet dramaturgjike, me skenografinë, krijimet muzikore dhe ndriçimin, që shënon hapa në rritje në këtë art të lartësisë, rrezikut dhe sfidave të reja. Kjo premierë do të ndiqet nga shfaqja "Qielli pikon yje". Premiera e re do të realizohet në një regji të përgjithshme nga Kiço Londo, ku elementi dramaturgjik do të mishërohet në një fëmijë, që do të simbolizojë fillesën, vazhdimësinë dhe shpresën e cirkut shqiptar, ndërthurur me elementet artistike. Shfaqja do të ofrojë numrat "Vertikale me rrëshqitje" nga mjeshtri Fatos Alla, "Litari" nga Fitnete Duro, "Zhongler me topa" nga Sokrat Buza dhe Haki, "Shkalla e ekuilibrit" nga Xhejms Kodra, "Dyshe force" nga Fiqiri Luli dhe Sabina Troshku etj. Numrat artistikë janë realizuar nga Mjeshtrit e Merituar: Fatos Roshi, Kujtim Duni, Pavli Sallata, Ali Jucja. Elementet e lartësisë do të sillen nga akrobatët Klaudia Duro, Loreta Lika, Brunilda Koka, të ndihmuar nga ekuilibristi dhe artisti i numrave-bazament, Rubin Zuna. Nuk do të mungojnë numrat me kafshë, klounët e njohur dhe numrat e realizuar nga fëmijët. Dy premierat do të vazhdojnë të shfaqen të ndërthurura, çdo të shtunë dhe të diel në orën 11.00 në arenën e cirkut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›