I kam paguar të gjitha detyrimet ndaj bashkisë
Pas ministrit të Shëndetësisë dhe zv/ministrit të Brendshëm, Ferdinant Poni, ka reaguar dje ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Pas deklaratës zyrtare të Bashkisë së Tiranës se disa prej institucioneve i janë borxh bashkisë, pasi nuk kanë shlyer detyrimet, Ministria e Transporteve sqaron se ka qenë shumë
korrekte dhe nuk i ka asnjë haraç për të paguar "fqinjës" përballë.
"Në mënyrë të paturpshme, dje Bashkia e Tiranës në një prononcim për mediat ka gënjyer qytetarët e saj dhe mbarë publikun, se disa institucione shtetërore, dhe konkretisht MPPTT-ja, janë debitore ndaj saj, pasi nuk kanë paguar taksat dhe tatimet vendore", sqaroi Ministria e Transporteve. Sipas njoftimit zyrtar, MPPTT-ja i ka paguar të gjitha detyrimet e saj.