Albana Vokshi: Edi Rama të më dalë përballë në Tv, do t’i zbardh gjobëvëniet e tmerrshme

Reagimi/“Nëse vërtetohen akuzat e kukuvajkave të Edi Ramës, lë mandatin e deputetit”
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka reaguar përsëri dje ndaj sulmeve të Partisë Socialiste. Deputetja demokrate u shpreh se do vazhdojë denoncimin e të tjera aferave të kryesocialistit dhe kryebashkiakut të Tiranës, korrupsionin e lejeve të ndërtimit dhe gjobat e panumërta që shantazhojnë biznesin e ndërtimit. Sipas saj, kryebashkiaku Edi Rama, mbetet gjobëvënësi më i madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë. “E kam theksuar që dokumenti i djeshëm është vetëm një prej dokumenteve të shumtë që vërtetojnë se je gjobëvënësi më i madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë. Vetëm për projektin e zonës te liqeni, i ashtuquajturi projekti “Tirana Rock”, gjoba jote shkon mbi 100 milionë euro. Zoti Rama, denoncimit tim të djeshëm, me dokumente dhe fakte konkrete, ju u përgjigjët nëpërmjet çakejve, të cilët përdorën një gjuhë që është e denjë vetëm për ju. Zoti Rama, shpifjet dhe trillimet nuk tregojnë gjë tjetër veçse fytyrën tënde të vërtetë prej bllokmeni. Zoti Rama, shpifjet dhe trillimet nuk tregojnë gjë tjetër veçse kulturën që ke marrë, me të cilën je mbrojtur, e që me asgjë ti nuk e mbulon dot. Nëse thoni që unë gënjej se nuk ka vakum ligjor në procesin e Deklarimit të Pasurisë, pse ti Edvin Kristaq Rama ke fshehur për 12 vjet me radhë pasurinë që ti vetë e ke vënë në emër të jo një por të disa partnerëve që tashmë njihen nga të gjithë”, deklaroi deputetja Vokshi.
Ajo e sfidoi kryesocialistin në një debat të hapur televiziv. “Zoti 20 përqind, nëse je burrë e të ka mbetur qoftë edhe një fije burrërie, nxirre Lepurin nga barku, dhe hajde përballemi në secilën studio televizive që mund ta zgjedhësh ti. Z. Rama, mos u fshih pas çakejve fatkeq. Unë, jam e gatshme që me dokumente dhe fakte konkrete të vërtetoj gjobat e vëna dhe pasurinë tënde marramendëse, të vënë në mënyrë të paligjshme në 12 vitet e tua në pushtet, të marrë nëpërmjet sekserëve të tu, të vënë në emër të partnereve dhe partnerëve të tu”, vijoi më tej deklaratën e saj për shtyp, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi.
Deklarata e deputetes gjatë një interviste televizive
“Nëse vërtetohen akuzat e kukuvajkave të Edi Ramës, lë mandatin e deputetit”
Deputetja e Partisë Demokratike për Qarkun Durrës, Albana Vokshi, deklaron gjatë një interviste televizive lidhur me akuzat e opozitës ndaj saj, se nëse vërtetohet qoftë edhe një prej tyre, atëherë ajo është e gatshme të dorëzojë mandatin e deputetit. Deklarata e deputetes vjen në një periudhë të nxehtë akuzash dhe kundërakuzash ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. “Nëse prokuroria dhe komisioni parlamentar do të vërtetojnë këto akuza, unë jam e gatshme të dorëzoj mandatin e deputetit”, u shpreh Vokshi.
Ajo sqaroi se Vokshi shton se Arian Tartari është kërkuar që të jetë partner lokal. Sulmi i PS është qesharak, ndërkohë që edhe firma ka bërë një prononcim publik. Vokshi e cilëson vakum ligjor faktin se në formularin e pasurisë nuk shënohet edhe personi me të cilin bashkëjeton. Vokshi premtoi se do të jetë iniciatorja e një ligji që do të detyrojë zyrtarët të deklarojnë edhe pasuritë e personave me të cilët bashkëjeton.
Shumë delikate ishte edhe çështja për akuzat familjare, për lidhjen e saj me Arian Tartarin bashkëjetuesin e zonjës Vokshi dhe pjesën e familjes. Vokshi deklaroi se opozita po bën sulme, ndërsa ajo po ndërton një mur për të mbrojtur familjen, dhe se do të shkelin në trupin e saj, në qoftë se cenohet jeta private.