Albana Vokshi: Në LDGSH, pjesa më aktive e shoqërisë

Lidhja Demokratike e Gruas, zgjedh strukturat e reja drejtuese në Lezhë
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, njëkohësisht deputete në Parlament, Albana Vokshi, deklaroi në Lezhë se forumi i gruas në Partinë Demokratike po riorganizohet në çdo degë, duke bërë pjesë të saj pjesën më aktive të shoqërisë.
Duke analizuar zgjedhjet në LDGSH-së, Vokshi veçoi se i gjithë procesi bazohet në parimin një anëtare një votë dhe se LDGSH po shndërrohet në një faktor përcaktues në rritjen e rolit të gruas në politikë dhe vendimmarrje. Përfshirja e grave në listat për deputete, këshillat bashkiakë dhe komunalë, deklaroi Vokshi është një fillim i mbarë në zbatimin e politikave gjinore dhe se zëri i gruas po dëgjohet më shumë.
Deklaratat e Vokshit u bënë gjatë Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Gruas, dega Lezhë , ku u zgjodhën forumet drejtuese të kësaj organizate. Për postin e kryetares kandiduan zonjat; Margerita Trashaj dhe Shpresa Hoti. Me shumicë votash , kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas Lezhë u zgjodh Margerita Trashaj, ish kandidate e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 2009. Punimet e Kuvendit u ndoqën nga afër dhe nga përfaqësues të Partisë Demokratike, dega Lezhë. Kryetari i PD, Zef Gjoka vlerësoi rolin e LDG-së në proceset elektorale duke theksuar se aktivizimi i gruas në politikë ka ndikuar në rritjen progresive të rezultatit të Partisë Demokratike në të gjitha njësitë vendore të qarkut Lezhë. Lidhja Demokratike e Gruas, dega Lezhë numeron mbi 350 anëtare dhe ka ngritur struktura në të gjitha njësitë administrative.