E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha – Lamers: Shqipëria, kontribut të rëndësishëm në misionet e NATO

17-11-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon Presidentin e Shoqatës së Traktatit të Atlantikut (ATA), njëkohësisht deputet i Bundestagut gjerman, Karl Lamers

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me Presidentin e Shoqatës së Traktatit të Atlantikut (ATA), njëkohësisht deputet i Bundestagut gjerman, Karl Lamers. Kryeministri e falënderoi Lamers për mbështetjen e fuqishme që ATA i dha Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Ai vlerësoi gjithashtu, kontributin e rëndësishëm të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut në promovimin e vlerave të paqes, lirisë e demokracisë, të bazuara mbi tregun e lirë, mbi të cilat u ndërtua dhe mbron NATO-n.
Kreu i qeverisë, Berisha e vlerësoi anëtarësimin në NATO si një ngjarje të një rëndësie historike për mbarë kombin shqiptar, e cila shënon fillimin e një epoke të re për Shqipërinë dhe për ndërtimin e të ardhmes së saj më të lirë e më të sigurt se kurrë.
Nga ana e tij, presidenti Lamers e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i shprehu mirënjohjen për mbështetjen që qeveria shqiptare i ka dhënë misionit ATA, çka bëri të mundur organizimin për herë të parë në Tiranë, të takimit të 56-të të Asamblesë së Përgjithshme të ATA. Presidenti Lamers vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme që ka shënuar Shqipëria gjatë viteve të fundit, në përmbushjen e standardeve, çka u konfirmua qartësisht me pranimin e saj në NATO, por edhe në ecurinë e shpejtë drejt integrimit europian. Gjithashtu, presidenti Lamers i shprehu kryeministrit Berisha mirënjohjen, për kontributin e rëndësishëm që Shqipëria jep në shërbim të paqes në Afganistan, por edhe në vende të tjera të rajonit e më gjerë.
Në takim u diskutua mbi reformat e rëndësishme të realizuara nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe, në fushën e ekonomisë, ndërtimit të veprave të mëdha infrastrukturore, arsimit, sjelljes së Shqipërisë në moshën dixhitale, në rritjen e paprecedentë të interesit dhe të investimeve të huaja direkte në Shqipëri, si dhe në transformimin e ushtrisë shqiptare në një ushtri të standardeve të Aleancës, e cila të jetë e denjë të japë kontributin në misionet e Aleancës në shërbim të paqes, por edhe në adresimin e emergjencave civile apo në përballimin e fatkeqësive natyrore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›