Politika, e ndarë për Nënë Terezën

Presidenti Topi së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, prezantojnë projektin mbi shenjtoren
Kryeministri Berisha dhe kryeparlamentarja Topalli marrin pjesë në meshën e Katedrales "Nënë Tereza"
TIRANË - Politika shqiptare ka qenë dje e ndarë për sa i përket përkujtimit të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Marrëdhëniet e acaruara midis palëve të ndryshme politike ka reflektuar në mënyrën që aktorët politikë kanë zgjedhur për të përkujtuar humanisten dhe bamirësen shqiptare.
Por, përveç përplasjes së njohur Rama - Berisha, kohët e fundit është vënë re edhe një tjetër përplasje, Berisha - Topi. Mazhoranca ka rrëzuar kandidaturat e presidentit për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, si dhe e ka sulmuar haptazi për qëndrimet e tij.
Nga ana tjetër, presidenca ka rrëzuar ligjin për pronat, si dhe ka dalë hapur kundër ndryshimeve në ligjin e SHISH. Dy ditë më parë, kryeministri Berisha dhe presidenti Topi duhet të ishin në një takim me ambasadorët, por protokolli arriti që të rregullojë gjithçka në një mënyrë që Topi të mos ishte në pjesën e parë kur do fliste Berisha dhe ky i fundit të mos qëndronte në sallë kur do të fliste presidenti.
Pas këtyre kontradiktave, edhe dje është vënë re ndarja e krerëve të shtetit shqiptar. Nga njëra anë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, ka organizuar në presidencë një takim ku prezantoi projektin "Rruga e Mijëvjeçarit për Paqen" në nderim të kujtimit të Nënë Terezës, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj. Në këtë takim ishte i pranishëm dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, si pjesëmarrës në realizimin e këtij projekti.
Gjithashtu, në ceremoninë e zhvilluar dje në Presidencë ishin të pranishëm dhe personalitete të kulturës, anëtarë të kabinetit të Presidentit, etj. Por ajo që u vu re ishte edhe mungesa e përfaqësuesve të mazhorancës në lançimin e këtij projekti të veçantë dhe me interes për Shqipërinë.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, njëherësh kryetari i mazhorancës, së bashku me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ishin dje të pranishëm në meshën e mbajtur në nderim të 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, në Katedralen "Nënë Tereza", në Vaun e Dejës.
Në këtë mënyrë, kreu i qeverisë ka zgjedhur qytetin e Shkodrës, ku shoqërohej edhe nga zonja Liri Berisha, për të zhvilluar ceremoninë përkujtimore për humanisten dhe bamirësen shqiptare.
Përveç kryetares së Kuvendit, në këtë ceremoni ishte i pranishëm dhe ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri, deputetë të Partisë Demokratike të qarkut Shkodër, qeveritarë vendorë dhe kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama, apeloi për zbatimin e dokumentit të Parlamentit Europian
LSI: Politika shqiptare të zbatojë rezolutën e PE
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, deklaroi dje se nisja e sezonit të ri politik e vë natyrshëm politikën shqiptare në mënyrë të veçantë Kuvendin e Shqipërisë përballë përgjegjësisë për të realizuar dhe përmbushur disa detyra të rëndësishme që kanë të bëjnë me zhvillimin apo ecurinë e mëtejshme të vendit në rrugën e pakthyeshme të integrimit europian.
"Domosdoshmëria e zbatimit të rezolutës së Parlamentit Europian është një çështje prioritare, përmendim rastin edhe një herë që për shkak të përgjegjësisë që duhet të respektojë politika shqiptare ndaj stadeve të interesave të vendit t'i shtojë aktorët politikë, në mënyrë të veçantë të ftojë Partinë Socialiste që të jetë pjesë e angazhimit për ta zbatuar këtë rezolutë, pasi në të janë të shprehura qartë, saktë dhe pa ekuivokë detyrat që duhet të përmbushen me qëllim që vendi të mos jetë jo vetëm pre e trilleve politike që burojnë, apo interesave që s'kanë të bëjnë me interesat e vendit", apeloi Rama.
Sipas tij, të gjithë aktorët politikë, në mënyrë të veçantë ata parlamentarë, të japin kontribute pozitive dhe të dëshmojnë kështu realisht që janë në kahjen e interesave të vendit që janë rrjedhën e zhvillimeve europiane të vendit dhe që realisht duan të jenë pjesë e këtij kontributi që lidhet me këto interesa madhore.
Natyrisht që, nënvizoi zyrtari i LSI, domosdoshmërisht duhet shkuar te reforma zgjedhore, tek reflektimi në draftet që e përmirësojnë tërësinë e korpusit ligjor, mbi të cilat zhvillohen zgjedhjet të gjitha sensibiliteteve, prioriteteve, për të cilat është folur shumë, por në fakt është bërë shumë pak, ose s'është bërë asgjë deri tani.
I pyetur mbi deklaratën e PS që kërkon të zbatohet rezoluta dhe a ka ndonjë lëvizje për t'i bashkuar këto qëndrime në sesionin e ri parlamentar, Luan Rama, tha se nëse rezolutën e lexon me ndjenjën e përgjegjësisë dhe të angazhimit për të reflektuar me përgjegjshmëri nuk ka vend për spekulim, por ka vend për angazhim real.