E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albano Carrisi nderohet me urdhrin Nënë Tereza

Këngëtari i njohur italian Albano Carrisi është nderuar dje nga presidenti Bamir Topi me urdhrin Nënë Tereza, i cili iu dha një prej këngëtarëve të parë ndërkombëtarë që këndonte Liberta në vitin 1989 në Tiranë. Motivimi i këtij urdhri ndalej në vlerat e humanizmit dhe të lirisë që ky personalitet i muzikës italiane ka përçuar tek publiku në të gjithë botën dhe tek ai shqiptar. Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës, pas ekzekutimit të himnit kombëtar, Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Aleksandër Flloko, lexoi dekretin e Kreut të Shtetit. "Personalitetit të shquar të muzikës italiane, që me artin dhe talentin e tij të rrallë evidentoi dhe përçoi tek publiku vlerat e mëdha të humanizmit, lirisë dhe të një shoqërie më të drejtë, mikut të çmuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve, dashuria për të cilët u bë pjesë e jetës së tij", ishte motivacioni me të cilin Kreu i Shtetit dekoroi këngëtarin e njohur italian. Nga ana e tij, këngëtari Carrizi shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim, duke shtuar se ka qenë dëshmitar i një ndryshimi pozitiv në Shqipëri. "Për mua është më e lehtë të këndoj se të flas, mbi të gjitha pasi dëgjova motivacionin e këtij takimi emocionues. Për Shqipërinë kam dëgjuar qëkurse isha i vogël, e më pas kuptova se më parë vinte Shqipëria (Albania) e pastaj Al Bano", u shpreh z. Carrizi. Duke e konsideruar emocionues takimin e parë me Shqipërinë në vitin 1989, këngëtari i njohur italian u shpreh se e përkufizon raportin me Shqipërinë "thjesht të bazuar tek emocioni i përmasave të jashtëzakonshme nga koncerti i dhënë në stadiumin e Tiranës dhe në Pallatin e Kongreseve, në 19 shtator 1989". "Kam dëgjuar gjithnjë valët muzikore Shqipëria nëpër botë e më kujtohej se që fëmijë sintonizohesha me radion e vogël që im atë kishte blerë, e cila kapte tinguj që vinin nga Shqipëria, këngë e pjesëza, falë afërsisë mes dy vendeve tona", vijoi më tej z. Carrizi. "Pasi pësoi infarkt, im atë më kërkoi: Përpara se të vdes, ti duhet të më çosh në Shqipëri. Ishte im atë që më nxiti të vij këtu, vizitë që për të dhe për mua ishte emocion tepër i madh. Vura re një reagim shumë të madh e të bukur nga ana e tij që më tregonte se ku duhej ta çoja dhe që gjithçka ishte siç e kishte lënë ai", vijon më tej kujtimet e tij këngëtari italian, Carrizi. Duke shprehur konsideratat më të larta për popullin shqiptar, z. Al Bano Carrizi theksoi se "Shqipëria zë një vend shumë të veçantë në jetën dhe historinë e familjes së tij". Më pas, Presidenti i Republikës zbuloi dhuratën simbolike të bustit të këngëtarit me famë botërore dhe shumë të dashur për shqiptarët, Al Bano Carrizi, dhuratë për të cilën vetë kantautori italian u shpreh i impresionuar. Në përfundim të ceremonisë zyrtare të dekorimit, Presidenti Topi zhvilloi një takim të shkurtër me z. Al Bano Carrizi, i cili është i pari këngëtar perëndimor që ka dhënë koncert në Shqipëri që në vitin 1989. Gjatë këtij takimi, kreu i shtetit shqiptar vlerësoi lart kontributin e këngëtarit të mirënjohur italian dhe mikut të shqiptarëve në forcimin e lidhjeve kulturore dhe shpirtërore mes dy vendeve tona.  Në ceremoninë e dekorimit të këngëtarit të njohur italian ishin të pranishëm miq të z. Carrizi, përfaqësues të Shoqatës Al Bano, artistë, si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›