Dialogu i kulturave dhe roli i artit në Evropën Juglindore
Me iniciativë të Helsinki Citizens Assembly, shoqatës franko-shqiptare Argjiro dhe Courrier des Balkans u mbajt në Gjirokastër forumi ndërkombëtar për të rinjtë Dialogu i kulturave dhe roli i kulturës dhe i artit në Evropën Juglindore.
Nga paneli i drejtimit të këtij forumi, Ilda Mara presidente e shoqatës kulturore Argjiro ftoi pjesëtarët e tjerë të panelit, studiuesin francez Bernard Dreano përfaqësues i Helsinki Citizens Assembly në Paris, politologun dhe publicistin e njohur kosovar Veton Surroi, drejtorin e Qendrës së Studimeve Shqiptaro-Amerikane pranë Universitetit Kristal Mal Berisha, drejtorin e Parkut Arkeologjik të Antigonesë z. Engjëll Serjani, filozofin kosovar Shkëlzen Maliqi dhe muzikantin e njohur dhe njëkohësisht përfaqësues e grupit muzikor klasik ballkanik Syri Blu z. Pjetër Guralumi që të sillnin opinionet e tyre rreth temës Dialogu i kulturave dhe roli i kulturës dhe i artit në Evropën Juglindore. Duke marrë fjalën i pari në këtë forum, politologu dhe publicisti i njohur kosovar Veton Surroi tha se Gjirokastër është vendi ideal për të diskutuar rreth temës së dialogut kulturor, pasi për shkak të shtresëzimit të kulturave dhe bashkëjetesës së komuniteteve dhe etnive të ndryshme këtu është vendi ku ky lloj dialogu merr kuptim më të plotë. Ky forum vazhdoi ai, ka për qëllim që të ndihmojë për të gjetur format më të reja të komunikimit ndërkulturor dhe të bashkëpunimit përtej kufitar, për forma, mundësi dhe struktura komunikimi më të qëndrueshme dhe më të pranueshme. Ndërsa për studiuesin Bernard Dreano përfaqësues i Helsinki Citizens Assembly nga Franca përgjegjësia evropiane dhe sfidat kulturore dhe tradicionale të qyteteve dhe rajoneve, roli i artit dhe kulturës krahas nismave qytetare kanë vlerën dhe peshën e tyre në ndërtimin e strukturave demokratike, mirëmbajtjen dhe zhvillimit ekonomik dhe social në Evropë. Gjatë debatit në këtë forum u nënvizua domosdoshmëria e ruajtjes dhe mbartjes të trashëgimisë kulturore materiale dhe shpirtërore tek breznitë e reja dhe njohja e këtyre vlerave kulturore edhe nga popujt e tjerë brenda dhe përtej rajonit ballkanik. Ne nuk duhet të heqim dorë kurrë nga dialogu dhe aq më pak nuk duhet ti shmangemi dialogut kulturor. Dëshmi të lashtësisë në luginën e Drinos, sikurse janë qytetet e lashtë Antigonea, Hadrianopoli, Paleokastra, Melani, Lekli, Seloja, Kardhiqi, dhe vetë qyteti i Gjirokastrës sjellin deri tek ne sot mesazhet e bashkëjetesës kulturore dhe integrimin e kulturave tek vlerat e njëra tjetrës-u shpreh drejtori i Parkut Arkeologjik të Antigonesë Engjëll Serjani. Ndërsa muzikanti Pjetër Guralumi nënvizoi se integrimi fillon nga kultura dhe arti, janë pikërisht lidhet dhe raportet shpirtërore çelësi i parë për integrimin brenda vetvetes, integrimin me fqinjët dhe integrimi më të gjerë europian dhe global. Evropa, u theksua në këtë forum është një komunitet ku kufijtë nuk janë simbolik dhe njerëzit e saj jetojnë të bashkuar. Në një të ardhme kjo duhet të jetë e vlefshme edhe për Ballkanin Perëndimor. Arti dhe kultura mund të ndihmojmë në rrugën e integrimit, gjithmonë, duke reaguar kundrejt si ndaj identiteteve ashtu edhe ndaj globalizimit.