E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikata e Pavarur e Artistëve akuzon çmimet Kultpër abuzime

Refuzimi i kandidaturës për çmimin Kult nga aktori Mirush Kabashi, reagon SPASH me anë të një letre drejtuar MTKRS
Pas refuzimit të kandidaturës për çmimin Kult nga aktori i njohur Mirush Kabashi, ka reaguar me anë të një letre drejtuar Ministrit të Kulturës dhe Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë. Në këtë letër dërguar titullarit të kulturës, kryetari Reshat Ibrahimi shprehet se ky konkurs çmimesh nuk po i përmbahet misionit të tij, por ai sipas kryetarit të sindikatës është kthyer dhe në një biznes. Prej më se pesë vitesh, Akademia Kult po aplikon konkursin e çmimeve me të njëjtin emër, që përfshin të gjitha sferat e krijimtarisë letrare-artistike. Nënvizojmë që mbështesim çdo veprimtari apo iniciativë të tillë, që në përputhje me ligjet në fuqi dhe në përputhje të plotë me kritere të mirëpërcaktuara (që shmangin abuzimet dhe subjektivizmat e skajshme), tenton të impulsojë e inkurajoje krijimtarinë e artistëve tanë të shkëlqyer për publikun shqiptar. Por së fundmi, konstatojmë me keqardhje e indinjatë, se organizatorët e kanë kthyer këtë konkurs në një biznes, ku dukshëm abuzohet me të gjitha kriteret paraprake, imponohet e manipulohet hapur me të drejtat dhe dinjitetin e krijuesit, dhe aplikohet Pirateri Artistike, nën argumentin naiv  se kështu ndodh dhe në aktivitet e mëdha botërore, të ndarjes së çmimeve?!, shkruhet në letrën e dërguar titullarit të kulturës Ardjan Turku. Më tej në vijim të saj Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë argumenton dhe rastin e aktorit Mirush Kabashi, i cili vazhdon të publikohet si kandidat nga Kult. 1-Rasti i aktorit Mirush Kabashi (Mjeshtër i Madh i Skenës), kanditatura e të cilit vazhdon të publikohet nga revista Kult, edhe pas refuzimit të tij kategorik në masmedia, që para shpalljes se kanditaturave. 2-Sfida dhe injorimi i hapur që organizatorët i bënë dhe kërkesës zyrtare të Drejtorisë së Teatrit Kombëtar, në mbështetje të rastit të mësipërm (aktor i këtij institucioni). 3-Aplikimi cinik i imponimit , apo i faktit të kryer në marrëdhënie me krijuesit, në kundërshtim të plotë me të gjitha të drejtat e ligjet në fuqi. 4-Mungesa totale e Kontratave (apo marrëveshjeve paraprake)ndërmjet organizatorëve të konkursit dhe artistëve, për pjesëmarrjen e tyre, si dhe përzgjedhjen e produktit artistik të krijuar prej tyre. 5-Pirateria e pastër artistike apo shfrytëzimi i paligjshëm i krijimtarisë (duke filluar nga fotot, deri tek materialet e filmuara), që janë eskluzivitet ligjor i vetë krijuesit ose institucionit përkatës artistik. 6-Shkelja e kritereve bazë të këtij konkursi, siç është pjesëmarrja në të e vetëm produkteve artistike shqiptare, të destinuara (dhe të konsumuara) për publikun e gjerë, dhe artdashësit shqiptar. 7-Vendosje sistemesh dhe kriteresh formale në vlerësime, për të justifikuar çmimet e manipuluara...etj. Të gjitha këto argumente, të çojnë në përfundimin e natyrshëm që klani organizator i këtij konkursi, kërkon që nëpërmjet imponimit dhe manipulimit, të monopolizojë dhe përcaktojë tregun e vlerësimeve artistike në vend, vijon më tej në letrën e drejtuar Ministrit të Kulturës Ardjan Turku. Më tej kryetari i sindikatës Reshat Ibrahimi shprehet se ka bindjen se titullari i kulturës do të mbështesë artistët. Debati që lindi vetëm disa ditë më parë për konkursin e çmimeve Kult të këtij viti, ku aktori Mirush Kabashi refuzoi kandidaturën e tij, bëri që edhe Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë të reagojë duke i drejtuar një letër dhe titullarit të kulturës, nga i cili shpresojnë të ketë një reagim. Ndërkohë që vetë aktori Mirush Kabashi i shqetësuar për nominimin pa dëshirën e tij, në njërin prej çmimeve "Kult", e pikërisht atë për "Aktorin më të mirë të vitit", disa ditë më parë në media ka deklaruar se: Askush nuk mund të më përdorë mua dhe punën në time për interesat e veta. Jo vetëm që kanë injoruar kërkesën time për të më hequr nga lista, por edhe mua si artist e si njeri. I shqetësuar dhe mjaft i prekur nga kjo gjë e pakëndshme siç ai e cilëson, ai ka pohuar se nuk kërkon të dëmtojë imazhin e revistës e as të Akademisë "Kult", por nuk do të jetë viktimë e interesave të të tjerëve. Ndërkohë që nesër Akademia Kultdo të shpallë dhe fituesit e këtij viti.

Last Updated on Tuesday, 09 June 2009 09:18

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›