Punime të tjera në kalanë e Gjirokastrës
Nis hidroizolimi i tarracës së kështjellës së Gjirokastrës. Prej vitesh godina tri katërshe, e cila qëndron në pjesën e djathtë të kalasë së qytetit, ka qenë e pambrojtur nga shirat dhe faktorët e tjerë atmosferikë çka ka bërë që gati 2/3 e tarracës së saj të dalë jashtë përdorimit. Në kohën kur Kalanë e Gjirokastrës e administronte Bashkia e qytetit, qeveria shqiptare gjatë viteve të fundit, nuk delegoi fonde për rigjenerimin e saj.
U desh që kështjella të kalonte në varësinë e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në varësi direkt nga Ministria e Kulturës që fondet të mos vononin. Investimi prej 17.5 milionë lekësh nga buxheti i qeverisë shqiptare, do të përdoret nga firma fituese e tenderit për rimbushjen e zonës së tarracës në pjesën ekstreme të saj si dhe veshjen me material të padepërtueshëm nga uji të afro 5500 metra katrorë të të gjithë mbulesës. Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Spartak Drasa investimi do të shndërrojë në mënyrë perfekte pjesën e sipërme të godinës tri katëshe të kalasë brenda të cilës ndodhen Muzeu i Armëve, dhe Galeria Gjin Zenebishti duke evituar përfundimisht depërtimin e shiut në zonat më të frekuentuara të Kalasë së Gjirokastrës nga turistët e ndryshëm. Sipas zotit Drasa krahas kësaj ndërhyrjeje, pritet që fondi i dhënë të mjaftojë edhe për rehabilitimin e pjesës së sipërme të sahatit të kalasë në të cilën nuk është vënë dorë qysh në vitin 1967. Ndërkaq nga fondi i mirëmbajtjes së drejtorisë që administrohet nga zoti Drasa, mendohet që të ndërhyhet edhe në zonën karakteristike të qytetit. Këto investime do të përfundojnë para startimit të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar që pritet të zhvillohet në fund të shtatorit të këtij viti në epiqendër të së cilës do të jetë Kalaja e qytetit.