E Diel, 1 Nëntor 2026

Albanopolis i burimeve ujore

27/03/2005  Në kohën e Luftës së Parë Botërore, austriakët Kamilo Pashniker dhe Arnold Shober, arkeologë në Institutin Arkeologjik, Vjenë, gjatë shërbimit të tyre ushtarak në Malin e Zi dhe Shqipëri, i kishin vënë vetes një qëllim: hulumtimin arkeologjik të këtyre zonave, që premtonin praninë e shumë monumenteve prehistorike, antike dhe mesjetare. Rezultatet e këtij gjurmimi, që u bë në kushte lufte dhe në një terren me vështirësi të mëdha qarkullimi, janë akoma edhe sot bazë për studime arkeologjike në të dy vendet. Pashniker e Shober janë zbuluesit e disa vendbanimeve të fortifikuara, të periudhave prehistorike dhe antike të panjohura më parë. Atyre u takon merita e identifikimit dhe dokumentimit të rrënojave të Lissosit. Të dy arkeologët janë autorë zbulimesh dhe dëshifrimesh të një vargu monumentesh dhe mbishkrimesh mortore të periudhave greke e romake. Të dhënat e tyre mbi zbulimet dhe gërmimet në Shqipëri, sidomos atë të Veriut, janë përmbledhur në botimin “Kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi”, që është botim i Akademisë Austriake të Shkencave, e publikuar në vitin 1919 dhe e përkthyer në shqip nga Bashkim Lahi, në vitin 2003 nga shtypshkronja “Pegi”.

Kruja ndodhet në një krahinë, emri i sotëm i të cilës vjen nga lashtësia. Në malësinë në juglindje të Lezhës, Ptolemeu III vendos fisin ilir të albanëve dhe vendin e tyre Albanopolis. Emri Albanopolis është ruajtur në formën greko-mesjetare Bistum Albanum (Albanon), i cili është konsideruar identik me atë të Krujës, deri në shekullin XIII. Dezdevizes dëshironte ta identifikonte Krujën me Albanopolin e Ptolemeut, por pa pasur pika mbështetëse. Ne nuk kemi gjetur në Krujë asnjë gjurmë të antikitetit. Me përjashtim të dy luanëve të gdhendur në gur, ka shumë të ngjarë të jenë me origjinë nga mesjeta e hershme, të vendosur në pusin para portës së kalasë; këtu nuk ka asnjë monument të periudhës paraturke.

Megjithatë, një zonë të favorshme të vendosur në një pozicion vërtet të pamposhtur, sot të qarkuar në mure dhe bastione mesjetare, pranë burimeve të bollshme të ujit, ku ka marrë emrin edhe qyteti – Krujë, do të thotë “burime kroje”, do të dëshironim ta pranonim si një vendbanim antik, dëshmitë e të cilit duhet të jenë të shkrirë pa gjurmë në ndërtimet e mëvonshme. Gjurmë të lashtësisë i vumë re në disa varre të hapura jashtë kështjellës, mes shtëpive të shpërndara në lagjen e jashtme të qytetit, të cilat, sipas gjetjeve, duhet t’i përkasin të njëjtës periudh, si nekropoli i madh i kalasë së Dalmacisë.

Gërmadha të qytetit të Zgërdheshit

Han ka një mendim tjetër në lidhje me vendndodhjen e Albanopolis, të cilin ai e identifikon me gërmadhat e zbuluara prej tij, në Zgërdhesh, jo larg nga Kruja.

Më 13 qershor, Prashniker ka gjurmuar dhe gjetur gërmadhat e këtij vnedbanimi rreth 2 orë larg Krujës. Vendbanimi shtrihet në një kodër në rrëzën perëndimore të malit shumë të madh të Krujës, jo larg fermës së Hoshi Sheferit, të quajtur Kakariç, gjysmë ore nga fshati Zgërdhesh.

Në veri, kodra në fjalë lidhet me një kodër fqinje të lartë përmes një qafe, nga lindja ajo bie thikë në një luginë të pyllëzuar që furnizon me ujë një përrua të afërt, ndërsa nga jugu dhe perëndimi shpatet e saj zbresin butë në fushë.

Sot kodra është e mbushur me shkurre të dendura plot gjemba, të cilët jo vetëm që të pengojnë çdo çast, por vende–vende janë dhe të pakapërcyeshëm. Në këto rrethina, plani i dhënë këtu nuk mund të jetë më shumë se sa një skicë e përkohshme. Vetëm krahu lindor ofroi një farë terreni të lire, duke lejuar evidentimin e disa pikave referuese, ndërsa në pjesën tjetër, në pak vende, mund të kapeshin zona të kufizuara dhe në këtë formë ishim të detyruar të llogarisnim distancat dhe, pas kësaj, të mund të jepnim një plan të përafërt.

***

Kodra përbëhet nga një rrafsh gëlqeror me pjerrësi veri-jug, gurët e të cilit dalin në sipërfaqe në shumë vende, ndërsa në krahun lindor kemi shpatin e rrëpirtë të sipërpërmendur. Muri rrethues përfshin tërë sipërfaqen, nga maja e kodrës në qafën e përmendur më sipër, deri në shpatin perëndimor, në formë pak a shumë eliptike, 300 m të gjatë dhe 120 m të gjerë. Brenda këtij rrethimi duket se maja e kodrës ka qenë e ndarë nga pjesa tjetër përmes një linje të dytë muri fortifikues. Në krahun jugor, poshtë majës, dallohet një mur me drejtim lindje-perëndim me të njëjtën teknikë si muri perimetral, i cili mund të ndiqet mirë deri në 20 m. Sa kohë që nuk kemi gërmime, duhet menduar se nuk është fjala për një mur taracimi. Bazuar tek analogjitë që ofrojnë Apollonia dhe Lissos, duket se kjo mundësi qëndron më afër realitetit.

Një linjë tjetër fortifikimi është e sigurtë në pjesën jugore të qytetit. Këtu rreth 70 m prapa murit të jashtëm është ndërtuar me të njëjtën teknikë një linjë e dytë, e mbrojtur me kulla, gjë që bën që ideja e mundshme për një zgjerim të mëvonshëm të qyteti mos të gjejë mbështetje të drejtpërdrejtë.

Fortifikimi është ruajtur më mirë te kulla rrethore në skajin verior, si dhe në juglindje, ndërsa në pjesën perëndimore lëvizja e murit mund të ndiqet shpeshherë vetëm përmes blloqeve të shpërndarë. Materiali i ndërtimit përbëhet nga furrë vendi gëlqeror të fortë, në ngjyrë bardhë në gri, ashtu si Lissos. Teknika e ndërtimit të kujton në çdo aspekt muret e Lissosit. Si atje, edhe këtu, ne gjejmë kulla të lidhura me murin me teknikë të pastër kuadratike, me profile vertikale në qoshet e tyre si dhe trakte muresh pseudopoligonale, karakteristike në Lezhë. Në tërësi, muri të jep përshtypjen absolute të një ndërtimi unik. Për fat të keq, trashësia e murit nuk mund të matej askund. Në këndin verior të qytetit ruhet kulla rrethore në 7 radhë, e cila i përshtatet mirë terrenit dhe është ndërtuar me blloqe të latuar bukur në radhën e poshtme, të tillë prej 1.80 m gjatësi dhe 0.90 m gjerësi. Kulla duhet të ketë përforcuar njërën prej pikave të dobëta të qytetit, që ndodhej mbi qafën e shtrirë pak më poshtë. Por, ndoshta ajo do të ketë pasur detyrë të mbronte dhe një portë në juglindje të saj (në plan skicuar si kullë). Atje shfaqen gjurmë shumë të paqarta, që mund të flasin si për kullë dhe për portë, gjë që nuk mund të sqarohet pa gërmime.

Ndërkaq ka shumë mundësi që në këtë zonë të ketë qenë njëra nga hyrjet e qytetit. Muri i qytetit vazhdon, pastaj, përgjatë shpatit lindor të rrëpirtë, ku aty-këtu dëshmohet me blloqe të veçantë. Vetëm në pjesën jugore konservimi është më i mirë. Këtu dy kulla të tjera, në distanca të shkurtra mes tyre dhe pastaj një kullë tjetër, ku muri ndahet në dy degë.

Trakti i murit drejtpërdrejtë në perëndim të kullës ruhet deri në 1.90 m lartësi, me teknikën e tij pseudopoligonale, sqaron mjaft mirë dallimin mes teknikave me të cilat janë ndërtuar kullat dhe muri. Muri kapërcen pastaj shpatin jugor, ngjitet në buzën perëndimore të taracës, duke iu përshtatur terrenit, dallohet vetëm në blloqe të veçantë, për të arritur përsëri më në fund kullën rrethore, në skajin verior.

Ndërtesat e qytetit

Në lidhje me ndërtesat brenda qytetit, për fat të keq mund të flitet shumë pak. Vetëm gërmimi mund të jepte shpjegime. Masat e mëdha të tjegullave të fragmentuara dëshmojnë për banim të dendur, ndërsa në vende të ndryshme duken qartë shkëmbinj të përpunuar për vendosje banesash. Aty-këtu shfaqen gjithashtu blloqe të mëdhenj gurësh, që duket se nuk vijnë nga muri i qytetit.

E vetmja gërmadhë ndërtimore në sipërfaqe ruhet pak a shumë në qendër të buzës perëndimore të qytetit. Gjurmët dëshmojnë për një ndërtim më të vonë, të vogël kuadratik, ndoshta të një kishëze në pjesën më të madhe të ndërtuar me spolje antike.

Mosha e qytetit

Mbi moshën e qytetit mund të nxirren vetëm përfundime të tërthorta. Teknika e ndërtimit të mureve i përgjigjet atij të Lissosit; por, nëse marrim në konsideratë profilet përpendikulare të vendosura jo vetëm në qoshet e murit, por dhe në xokulaturë, mund të konkludohet për një periudhë më të re. Për fat të keq, nuk dimë asgjë mbi objektet e përdorimit të përditshëm. Diçka mund të ofrojnë fragmentet prej qeramike, të cilat gjenden me shumicë. Dëshmia më e hershme janë fragmentet e enëve të punuara me dorë, me baltë të pakulluar dhe me shumë glimë, të lëmuara me dorë nga jashtë dhe në ngjyrë të zezë nga pjekja. Sa i përket formave, mund të dallohen një çanak i sheshtë si dhe një vorbë me buzë të drejtë. Prodhimet e importit ishin mjaft të pasura; para së gjithash, enët greke me vernik të zi, mes të cialve duhet diferencuar gjysma e poshtme e një hidri të vogël, ose kane të bukur. Më se fundi gjenden dhe fragmente të qeramikës helenistike me zbukurime në reliev dhe, mes tyre, një fragment i një kupe, të ashtuquajtur megare, zbukuruar me ornament në trajtë litari. Gjetje të mëvonshme nuk përfaqësohen, çka mund të jetë rastësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›