E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtarja sot për pikët e shpresës

26/03/2005  Trajneri Brigel do të zbresë skuadrën me modulin 4-4-2, me Likën në portë. Yanal përgjigjet me të njëjtin modul

Vetëm pak orë na ndajnë nga sfida e madhe që do të luhet sot, në stadiumin “Inonu” të Stambollit, ku Turqia dhe Shqipëria do të përballen mes tyre. Të dy trajnerët tashmë i kanë të qarta idetë e tyre, në lidhje me skuadrën që do të zbresë në fushë dhe tashmë janë në pritje të orës së zbritjes së tyre në fushë. Mungesat e shumta dhe të rëndësishme për shkak të dëmtimeve apo arsye të tjera kanë prekur të dyja skuadrat. Gjithsesi, arkitektët e tyre kanë punuar gjatë për të kopsitur ekipet, te të cilët do të varin shpresat për të marrë më të mirë në këtë takim. Që nga fillimi i javës e deri tani, Kombëtarja jonë ka ndenjur në Antalia. E ndarë në dy grupe arriti mesditën e djeshme, në Stamboll. Trajneri Brigel, edhe pse ka deklaruar se do të zbresë në fushë për fitore, do të mbetej i kënaqur edhe nga barazimi i mundshëm në këtë ndeshje. Pas largimit të vullnetshëm të Strakoshës nga porta kuqezi, në fushë sot trajneri gjerman do të zbresë, që nga minuta e parë, zëvendësin e tij, Ilion Lika. Po ashtu, është paralajmëruar një ndryshim në modulin e lojës. Numri “një” i pankinës kuqezi ka vendosur të luajë me katër mbrojtës. Ende nuk dihet se cilët do të jenë njerëzit që do të luajnë përkrah Aliajt e Beqirit, të cilët shikohen të pazëvendësueshëm. Gjithsesi, hipotezat janë Dallku dhe Osmani, nëse Brigel nuk vendos të kthejë prapa Canën. Po ashtu, do të kemi një mesfushë me 4 lojtarë. Ndërsa për sa i përket sulmit, më të kuotuarit janë Tare e Bushi. Morali në radhët e skuadrës është i lartë. Ndërkohë që në krahun e kundërshtarëve, duket se tensioni i vetëm ka të bëjë me faktin se trajneri aktual i vendasve, Ersun Yanal, është akuzuar për shitje ndeshjesh. Gjithsesi, kjo duket se nuk ka ulur ambiciet e turqve për ndeshjen e sotme, ku ata shikojnë si alternativë të vetme fitoren. Por, ata janë prekur nga shumë dëmtime e mungesa. Turqia nuk do të ketë në këto ndeshje, shënimin e mbrojtësit të Fenerbaches Servet Cetin, i cili ka pësuar një dëmtim në gju. Ai do të zëvendësohet nga futbollisti i Rizespor, Kursat Duymus, ndërsa sulmuesi i Real Sociedad, Nihat Kahveci do të jetë jashtë fushave deri në fund të sezonit, pas një dëmtimi të pësuar në Spanjë. Yanal nuk do të ketë në dispozion edhe dy sulmues të tjerë, Nihat dhe Hakan Shukur.

Ish sulmuesi i Istambulspor, Alban Bushi, është optimist për përballjen e sotme kundër Turqisë

Bushi: Turqi-Shqipëri, shanset të njëjta

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Alban Bushi, duke folur dje për mediat vendase ka thënë se, shanset e të dyja skuadrave për të fituar, janë të barabarta. Për ish- sulmuesin e Islambulspor në kampionatin turk, kjo do të jetë ndeshje e vështirë për të dyja skuadrat. Ai shtoi gjithashtu se, avantazhi i vetëm i turqve do të jetë mbështetja e tifozëve. Sapo ka mbërritur në Stamboll, sulmuesi i Kombëtares sonë, Alban Bushi është rrethuar nga gazetarët vendas, të cilët e kanë patur disa herë në qendër të shkrimeve të tyre, kur sulmuesi aktual i Dinamos luante për

Istambulspor. Bushi është shprehur se, për të dyja skuadrat do të ketë mundësi të njëjta për ta fituar këtë përballje. Duke u cituar nga gazetat vendase, ai është shprehur optimist se skuadra jonë mund të marrë një rezultat pozitiv në këto 90 minuta. “Të dyja skuadrat luajnë një futboll cilësor. Para se të fillonte turi eliminator, objektivi ynë ka qenë të dalim të tretët ose të katërt në grup, ndërkohë që pas fitores më Greqinë, objektivi ynë ka ndryshuar”, theksoi Bushi. “Do të jetë një ndeshje e vështirë për të dyja skuadrat, por unë jam optimist se do të dijmë

ta godasim skuadrën turke”. Duke vijuar më tej, Bushi është shprehur se nisur dhe nga rezultatet e fundit të Kombëtares turke, avantazhi i vetëm i tyre është publiku. “Mendoj se avantazhi i vetëm i skuadrës së Turqisë në këtë ndeshje, është fakti që do të kenë një mbështetje të fuqishme të tifozëve të tyre. Megjithatë, ne jemi futbollistë profesionistë dhe nuk besoj se do të ndikojë shumë”, përfundoi Bushi.

Turqi, sekret premioja për fitore

Premioja që do të marrin futbollistët turq, në rast të fitoreve kundër kuqezinjve dhe Gjeorgjisë, do të mbetet sekret. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë federata turke, e cila nëpërmjet zëdhënësit për shtyp është shprehur: “Premioja që do të jepet për lojtarët në rast të grumbullimit të dy fitoreve, nuk do të bëhet publik. Atë do ta dijnë vetëm futbollistët. Kjo për arsye se më parë janë bërë spekullime të ndryshme, në lidhje me këtë çështje. Kjo nuk ka lidhje me premiot e “miqve” të Kombëtares. Për ata, çmimi më i madh është të fitojnë ndeshjet me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë.

Shqipëria, tersi i Turqisë

Shqipëria dhe Turqia janë ndeshur deri më tani tetë herë. Në shtatë përballjet e kaluara, Kombëtarja shqiptare është mundur vetëm dy herë dhe po kaq herë kanë dalë barazim, ndërsa në tri ndeshjet e tjera, kuqezinjtë kanë fituar. Në shtatë përballje, turqit kanë shënuar pesë gola dhe kanë pësuar 11 të tillë. Në dy ndeshjet e fundit, Kombëtarja shqiptare ka fituar me

rezultatin 4-1 dhe 2-0. Ndeshja me Shqipërinë do të jetë ndeshja e 407-të zyrtare për Turqinë. Në 82 vite të jetës së saj, Kombëtarja turke ka fituar 136 ndeshje, 93 barazime dhe 177 humbje. Ka shënuar 502 gola dhe ka pësuar 646 gola. Në përballjen e fundit ka humbur 3-0, me Ukrainën. Tri ndeshjet e fundit të zhvilluara mes këtyre dy skuadrave janë miqësore. Në 23 mars 1985, Shqipëria ka barazuar 0-0, në Tiranë, me ekipin turk. Dy përballjet e tjera janë zhvilluar në Stamboll dhe në të dyja kanë fituar kuqezinjtë. Në 21 janar 1998, kuqezinjtë fituan 4-1, ndërsa në 25 prill 2001, me rezultatin 2-0.

U-21 Turqi - Shqipëri, 4-0

U-21 Turqia: Fevzi (69’ Volkan), Tayfun, Ali, Muhammet, Sabri, Mehmet Topuz, Fahri, Adem, Mahmut Hanefi, Ibrahim (76’ Bilal), Gokhan (65’ Umut)

U-21 Shqipëria: Llani, Vangjeli (76’ Llakaj), Muça, Ndreka, Allaçi, Boshnjaku, Muzaka, Tetova, Capja (70’ Barka), Salihi, Xhihani ( 67’ Hodo)

Shënues: 12’ Topuz, 24’ Gokhan, 54’ Ibrahim, 90’ Bilal

Gjyqtarë: Joan Ven De Velde, Vincent Despiegeleer, Bart Vandeëeghe (Belgjikë)

Stadiumi: “Ali Sami Yen”

Shpresa shkatërrohet në Turqi

Një ndeshje për t'u harruar ka qenë ajo, që Shpresat tona kanë zhvilluar në "Ali Sami Yen", kundër atyre të Turqisë. Për 90’ vetëm një skuadër ka qenë e pranishme në fushë, ajo turke. Që në fillim, turqit u dyndën në portën shqiptare dhe arritën në 12’, të kalojnë në avantazh, me anë të Topuz. Lojtarët shqiptarë nuk patën reagimin e duhur dhe pa kaluar 24’ lojë, turqit shënuan golin e dytë me anë të Gohkan. Ndeshja vazhdoi me dominimin e vendasve. Shpresa jonë ishte e paorganizuar dhe vazhdoi të luante dobët edhe në pjesën e dytë. Ghokan ishte një rrezik i përhershëm për portën e Llanit, duke e detyruar këtë të fundit që ta pengonte në 54’. Gjyqtari nuk heziton, duke dhënë 11-metërsh, të cilin e ekzekutoi me sukses, Ibrahim. Dhe sikur të mos mjaftonte, në minutën e fundit të ndeshjes, skuadra jonë pëson golin e katërt. Qe një paraqitje mjaft e dobët e skuadrës sonë të Shpresës, që me këtë paraqitje, vetëm “shpresë" nuk mund të quhet.

Ndeshjet e U-21

Gjeorgji-Greqi, 1-1

28’Hoxhava / 5’Gundulaqis

Turqi-Shqipëri, 3-0

12’Topuzi, 24’Gohkan, 54’Ibrahim, 90’Bilal

Danimarkë-Kazakistan, 5-1

3’, 67’Ager, 49’Dehli, 67’Rasmusen / 45’Skorykth

RENDITJA

Danimarkë 16

Turqi 10

Ukrainë 10

Greqi 8

Shqipëri 5

Gjeorgji 5

Kazakistan 0

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›