E Diel, 1 Nëntor 2026

Argjentina në eksperimentim

26/03/2005  Në letër, ndeshja kundër Bolivisë parashikohet e lehtë për Argjentinën, ndaj trajneri Hoze Pekerman po mendon të kryejë disa prova me formacionin e parë. Pekerman tha se mbajtja e zotërimit të topit do të jetë “çelsi” drejt fitores për Argjentinën, kur ata të përballen sot me Bolivinë, në kryeqytetin bolivian La Paz, në një lartësi prej 3600 metrash mbi nivelin e detit. Trajneri i Bolivisë, Ovidio Mesa, është emri i ri i stolit “të nxehtë” bolivian, i cili do të debutojë në një ndeshje që vë përballë të parën dhe të fundit e grupit të Amerikës së Jugut. Bolivia ka vetëm 10 pikë në 11 ndeshje, ndërsa Argjentina kryesuese ka grumbulluar 22 pikë. Trajneri argjentinas Pekerman do të hedhë në fushë një skuadër me emra të rinj, duke lënë pushim lojtarët kryesorë, të cilët do të qëndrojnë në Buenos Aires, për t’u përgatitur për ndeshjen e së mërkurës së ardhshme, kundër Kolumbisë. Megjithëse pjesa më e madhe e skuadrës që është nisur për në Bolivi luan për klube të famshme evropianë, ata kanë një eksperiencë të pakët në nivel ndërkombëtar. “Kam shumë besim te këta lojtarë, sepse ata kanë shfaqur entuziazëm dhe dëshirë për fitore, pa frikë. Kjo skuadër është e përbëra nga lojtarë të njohur, por në tërësi është e re, ndaj duhet të ambientohet”, deklaroi Pekerman, i cili nuk e konsideron një pengesë faktorin e lartësisë mbi nivelin e detit: “Në La Paz, e rëndësishme do të jetë të mos humbasim topin, sepse kjo do të na detyronte të vraponim më shumë. Në këtë mënyrë do të vuajmë dhe do të humbasim organizimin, por unë jam i qetë, sepse kam në skuadër lojtarë shumë të aftë teknikisht dhe nuk do të kemi probleme fizike”. Nga ana tjetër, trajneri bolivian Mesa, deklaroi se skuadra e tij duhet të mbështetet pikërisht te lartësia: “Nëse ne luajmë me një ritëm të shpejtë, ne do t’i detyrojmë ata ta vuajnë lartësinë. Por nëse ndalojmë dhe i lëmë të luajnë, ata nuk do të ndiejnë asgjë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›