Albin Kurti: Nuk e harrojme 28 Nentorin

Është tërësisht fyerje e identitetit kombëtar dhe bie në kundërshtim me vullnetin e popullit të Kosovës. Kështu e ka komentuar vendimin e qeverisë së Kosovës, për mospërfshirjen e 28 Nëntorit në projektligjin për festat zyrtare të republikës kreu i lëvizjes “Vetëvendosja”, Albin Kurti. Në një intervistë ekskluzive për “Korrierin”, ai shprehet se vendimi i djeshëm i qeverisë “Thaçi” është antikombëtar dhe nuk respekton historinë e popullit shqiptar. “Kjo është një pavarësi nga Shqipëria, e jo nga Serbia. Askush në Kosovë nuk është dakord me këtë vendim, megjithëse ka kohë që liderët nuk e përfillin vullnetin e popullit të Kosovës”, - tha Kurti. Sipas kreut të “Vetëvendosjes”, kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, e mori këtë vendim vetëm për të kënaqur ndërkombëtarët, megjithëse nuk ka pasur ndonjë kërkesë prej tyre në lidhje me këtë. “Thaçi kërkon t’u serviloset të gjithë përfaqësuesve ndërkombëtarë, do që t’i kënaqë të gjithë, edhe pse për një pjesë prej tyre, zyrtarizimi i 28 Nëntorit nuk do të ishte aspak problem. Por ai kërkon që të jetë i mirë me të gjithë, sepse falë tyre, ai dhe të tjerët qeverisin sot Kosovën, e jo prej vullnetit të popullit”, - shtoi Kurti. I pyetur nëse vendimi i djeshëm i qeverisë do të marrë miratimin e parlamentit, ai tha se tashmë prej kohësh askush nuk i pyet deputetët në Kuvendin e Kosovës. “Çdo projektligj po miratohet vetëm me aklamacion, e më pas deputetët thirren nga sekretaria e kryeministrit për t’u pyetur se i votuan. Askush nuk i pyet deputetët e Kosovës, e me këtë ligj do të veprohet ashtu si edhe me të tjerët që janë miratuar veç sipas qejfit të Thaçit e qeverisë së tij”, - tha kreu i lëvizjes “Vetëvendosja”. Ai konfirmoi për “Korrierin”, se lëvizja që ai drejton bashkë me organizata dhe shoqata të tjera që kundërshtojnë këtë vendim të qeverisë së Kosovës, do të organizohen së shpejti, për të kundërshtuar dhe protestuar ndaj këtij vendimi antikombëtar, siç e quajti ai.
Edhe Lëvizja për Bashkim kritikoi vendimin e djeshëm të qeverisë së Kosovës për mospërfshirjen e 28 Nëntorit, ditës së shpalljes së pavarësisë në kuadër të festave kombëtare. LB-ja e konsideroi këtë vendim si një poshtërim dhe fyerje të ndjenjës kombëtare, si hap kundër historisë dhe ardhmërisë, si hap i radhës drejt shkombëtarizimit të popullit shqiptar dhe reagon ashpër ndaj këtij projektligji. “Thërrasim të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos e miratojnë një projektligj të tillë antishqiptar. Lëvizja për Bashkim do t’i përdorë të gjitha mjetet e mundshme për pengimin e miratimit të këtij projektligji”, thuhet në reagimin e Lëvizjes për Bashkim, e nënshkruar nga Avni Klinaku. Kjo lëvizje gjatë fundjavës promovoi themelimin e saj si një subjekt që ka si qëllim bashkimin e trojeve shqiptare. Qeveria “Thaçi” miratoi dje projektligjin për festat zyrtare të Republikës së Kosovës, ku parashikohen gjithsej 11 festa zyrtare, ndërkohë që në këtë projektligj nuk u përfshi 28 Nëntori, dita e Flamurit Kombëtar Shqiptar. Kryeministri Thaçi përmendi 11 festat shtetërore: Dita e shpalljes së pavarësisë, 17 shkurti, dita e miratimit të Kushtetutës, Dita ndërkombëtare e Punës - 1 Maji, Dita e Evropës, 9 maji, Festa e Bajramit të Madh, ajo e Bajramit të Vogël, Krishtlindjet më 25 dhjetor, Krishtlindjet Ortodokse më 6 janar, Pashkët Katolike dhe Ortodokse, ndërkohë që nuk e ka përmendur 28 Nëntorin e as Ditën e Çlirimit të Kosovës, që do të jetë 11 dhe 12 qershori. Duke e justifikuar mospërfshirjen në kalendarin e festave Ditën e Flamurit Kombëtar, kreu i qeverisë së Prishtinës tha se Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe shumetnik, me territor të garantuar. Kosova është shtet, i ka festat shtetërore, por natyrisht që respektohen edhe festat kombëtare.