Ia hodhëm UNMIK-ut

Ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, deklaroi dje, se kuvendet komunalë do të jenë organet më të larta të komunave, ku serbët votuan në 11 maj për zgjedhjen e organeve të tyre të pushtetit lokal. Në një konferencë për shtyp, ai tha se përpos kuvendeve, në strukturat komunale do të formohen edhe këshillat ekzekutivë (qeveritë vendore). “Tani serbët do të kujdesen vetë për problemet e tyre”, - tha Samaraxhiç, duke shtuar se efekti i këtyre zgjedhjeve do të jetë pikërisht dallimi se kush e ka pushtetin mes serbëve të Kosovës dhe kush i përfaqëson ata. “Zgjedhja e organeve lokale të pushtetit është me rëndësi të veçantë, për shkak të komunikimit me UNMIK-un. Deshi s’deshi UNMIK-u, në fund të fundit do të komunikojë me përfaqësuesit e zgjedhur serbë dhe me ta do t’i zgjidhë problemet lokale”, - tha Samarxhiç. Megjithatë, ministri serb për Kosovën tha pas mbajtjes së zgjedhjeve nuk do të ketë asnjë ndarje mes serbëve të Kosovës. Ai sqaroi se udhëheqjet komunale do të veprojnë sipas Kushtetutës së Serbisë dhe ligjeve në fuqi, ndërsa problemet e tyre do t’i zgjidhin në mënyrë të pavarur, ose në marrëveshje me Beogradin. Samarxhiç përsëriti se, pavarësisht se Komisioni Zgjedhor Republikan nuk i ka publikuar zyrtarisht rezultatet, mund të thuhet me siguri se në zgjedhjet lokale në Kosovë, përfshirë edhe personat e zhvendosur në Serbi, ka fituar rreth 45 për qind e elektoratit. Sipas tij, në 15 komuna Partia Radikale Serbe ka fituar më shumë këshilltarë, në 6 komuna shumicën e ka fituar Partia Demokratike e Koshtunicës, ndërsa në gjashtë tjera mbisundojnë listat e qytetarëve. Samarxhiç vlerësoi se zgjedhjet me vetëmbajtjen nuk do t’i zgjidhin problemet e serbëve të Kosovës, por tani ata e dinë se kush do të marrë pjesë në zgjidhjen e tyre.