Albpetrol do të shndërrohet në magazinë për gazsjellësin TAP
Një vendim i kësaj vere i kaloi kompanisë së naftës të drejtat e shfrytëzimit të kriporeve të Dumresë, që administroheshin deri në këtë kohë nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore
Qeveria i ka dhënë kompanisë kriporet diapire në zonën e Dumresë
EDMOND HOXHAJ
Askush nuk e priste ofertën prej 850 milionë eurosh të dy ditëve më parë për blerjen e kompanisë së vetme shtetërore naftënxjerrëse Albpetrol. Por, ndërkohë duket se gjithçka ka qenë e mirëpërgatitur kohë më parë dhe është mbajtur në fshehtësi. Edhe pse ofertuesi 850 milionësh, Vetro Energy, është një kompani që operon në fushën e hidrokarbureve me qendër në Singapor, ajo është përfaqësuar nga dy amerikanë të konsorciumit Silk Road Equity, ku edhe bën pjesë. Shifra e paparashikuar e cila u oferta i ka çuditur gati të gjithë, por duket se asetet e Albpetrol e meritojnë këtë. Kjo, për shkak të mbingjitjeve të licencave, të drejtave juridike e ekonomike dhe të pasurive të tjera natyrore në varësi të Albpetrol-it, që qeveria e kreu pak muaj para privatizimit të tij.
Paketa
Në paketën që u përgatit për tiu ofruar blerësve të Albpetrol-it u parashikua që privatizuesit ti jepet kompetenca që ka shteti sot në shfrytëzimin e hidrokarbureve në gjithë territorin shqiptar. Por, pasi u konstatua se pjesa më e madhe e vendburimeve të hidrokarbureve ishin dhënë me koncesion dhe Albpetrol-it nuk i kishin mbetur më shumë se 5 për qind e tyre, atëherë qeveria vendosi që në paketë të parashikojë edhe licencën e ndërtimit të një rafinerie nafte. Por, ajo që duket se ia ka rritur mjaft vlerën e aseteve të mbetura Albpetrol-it, është rikthimi i gjithë kriporeve diapire që ndodhen në zonën e Dumresë, të cilat deri para pak muajsh i zotëronte AKBN-ja.
Bëhet fjalë për një numër të madh minierash kripe të nëntokës, shfrytëzimi i të cilave nuk do të bazohet në tregtimin e kripës që përmbajnë. Burimet pohojnë se ato do të përdoren si depozita të gazit që pritet të mbërrijë në vitet e ardhshme prej Azerbajxhanit, nëpërmjet linjës së transportimit që do të ndërtohet nga projekti Trans-Adriatik, TAP, që tashmë është konfirmuar se do të kalojë edhe nëpërmjet Shqipërisë.
Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), të cilat sqaruan se kjo mënyrë e depozitimit të gazit aplikohet edhe në Gjermani. Kështu, kjo nuk sjell humbje financiare të aksionerëve të TAP gjatë muajve të verës, kur gazi nevojitet më pak dhe ulet çmimi.
Ndërsa privatizuesi i Albpetrol-it do të sigurojë të ardhura të mëdha dhe të qëndrueshme në kohë, vetëm duke i lëshuar TAP-it me qira kriporet e boshatisura diapire. Burimet sqarojnë se për boshatisjen e këtyre kriporeve nuk nevojiten shpenzime të mëdha apo teknologji e avancuar. Kjo pasi nevojitet vetëm hapja e puseve dhe injektimi i ujit me solucione të caktuara e më pas thithja e tij për ta nxjerrë gjithë kripën jashtë. Ndërkaq, këto kripore të boshatisura kthehen në megacisterna ideale për krijimin e stoqeve të gazit natyror, pohojnë burimet. Ndërkaq, një tjetër përparësi që ka kompania e naftës e Singaporit, Vetro Energy, është edhe vendimi i posaçëm me numër 107, i nxjerrë nga qeveria në shkurt të këtij viti, ku paracaktohen edhe kriteret e vlerësimit për shitjen e Albpetrol-it. Sipas këtij vendimi, oferta financiare do të ketë 75 për qind të pikëve, ndërsa garancitë teknike kanë 25 për qind të pikëve.
Tenderi
Vetëm gjashtë kompani morën pjesë në tenderimin e shitjes së Albpetrol-it. Kompania Vetro Energy me qendër në Singapor, e përfaqësuar nga Silk Road Equity (SHBA), në konsorciumin e së cilës bën pjesë, ofroi shifrën më të lartë prej 850 milionë eurosh. Kompania Amber Shine INC me seli në Dubai ofroi 790 milionë euro, Bankers Petroleum (Kanada) 303.8 milionë euro, Win Business (Kina) 297.6 milionë euro, Gazprom (Rusia) 40 milionë euro, ndërsa Ecolog International (Dubai) nuk paraqiti ofertë financiare.
Kriporet
Kriporet diapire, kur boshatisen kthehen në cisterna ideale të gazit natyror. Privatizuesi i Albpetrol-it do tia japë me qira TAP-it këto depozita gjatë muajve të verës, kur kërkesa e gazit në Europë bie e për pasojë edhe çmimi
Albpetrol do të shndërrohet në magazinë për gazsjellësin TAP burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip