Shitja e Albpetrolit, ja kompania që fshihet pas ofertës së çmendur
Rusja Gazprom që shihej si rivale e kompanisë amerikane bëri ofertën më të ulët: 52 mln usd
Kompania amerikane me qendër në Çikago Silk Vetro Road Equity Ltd ka ofruar 850 milionë euro për blerjen e kompanisë shqiptare të naftës Albpetrol. Kjo ishte dhe shifra më e lartë që u ofrua dje gjatë zhvillimit të tenderit ndërkombëtar për privatizimin e kompanisë shqiptare.
Ofertat
Nga 19 kompani që kanë tërhequr dokumentacionin për privatizimin e kompanisë së naftës “Albpetrol”, vetëm 6 kompani kanë paraqitur ofertë, ku ofertat e tyre financiare variuan nga 52 milionë dollarë deri në 850 milionë dollarë. Pas hapjes së zarfeve rezultoi se çmimin më të lartë e ofroi kompania amerikane Voltro Silk Road Equity Ltd, me 850 milionë euro. Surprizë ishte edhe çmimi mjaft i ulët prej 52 milionë dollarë ofruar nga kompania ruse Gazprom, e cila nuk paraqiti as garancinë e ofertës. Ndërkohë që kanadezët e Bankers Petrolium ofruan 303. 8 milionë euro. Kompania “Amber Shine” INC dha ofertën 790 milionë euro, por nuk kishte paraqitur formularin e sigurisë së saj. Konsorciumi “ËIN Bussines” dha ofertën 297,6 milionë Euro dhe sigurinë e garancisë. Kompania “JSC Gasprom” dha ofertën financiare më të ulët, 52 milionë usd dhe nuk kishte paraqitur sigurimin e garancisë. Ndërsa kompania “Ecolog International” nga Dubai nuk kishte paraqitur ofertë dhe garancinë e saj.
Komisioni i vlerësimit
Komisioni i vlerësimit të ofertave u tërhoq për shqyrtimin e dokumentacionit, ndërkohë që ende nuk është përcaktuar data e shpalljes së fituesit. Komisioni i drejtuar nga zv/ministri i ekonomisë Sokol Dervishaj përbëhej nga specialistë të Ministrisë së Ekonomisë, Financave, dhe asaj të Drejtësisë. Sipas kreut të komisionit Dervishaj të gjithë anëtarët e komisionit kanë firmosur një deklaratë që nuk kanë konflikt interesi. Gjithashtu Dervishi theksoi se në fazën e parë do të bëhet shqyrtimi i gjithë dokumentacionit.
Ligji për privatizimin
Gara për blerjen e kompanisë shtetërore “Albpetrol” është ashpërsuar me shtimin e kompanive të interesuara. Ligji për privatizimin e “Albpetrol”-it u miratua në Kuvend më 15 dhjetor 2011, i bazuar në ligjin “Për privatizimin e sektorëve strategjikë” të 1998-ës. Sipas studimeve gjeologjike, Shqipëria ka rezerva mbajtëse të naftës në nëntokë në 480 milionë tonë që kërkojnë investime për t’u bërë të shfrytëzueshme. Deri sot, vendi ka 30 milionë ton rezerva të nxjerrshme nafte.
Afati i shfrytëzimit
Paketa e aksioneve të “Albpetrolit” përfshin të gjitha asetet e ndërmarrjes, lejet dhe licencat për shfrytëzim dhe kërkim deri në një periudhë 25-vjeçare, ku përfshihet edhe ajo për transmetimin e gazit dhe shpërndarjes së tij që do të mundësohet nga ndërtimi i gazsjellësit TAP, si edhe të drejtën e blerjes së emrit për të konkurruar në treg. Pak javë më parë qeveria i dha ‘Albpetrol’ edhe dy licenca të reja për transportin dhe shpërndarjen e gazit, të cilat tani do i përkasin të gjitha privatit. Me privatizimin e ‘Albpetrol’, qeveria heq plotësisht dorë nga pronësia në fushën e naftës, që tashmë do të jetë e gjitha private, në kërkim, rafinim dhe prodhim.
Ofertat e kompanive
1-Ecolog International -pa garanci oferte, dhe as çmim
2-Gazprom- 52 milionë dollarë
3-Silk Vetro Road Equity Ltd-850 mln euro
4-Bankers Petrolium -çmimi 303.8 milionë euro
5-Consorcium Win Bussines-ofron 297 milionë e 600 mijë euro
6-Amber Shine INC -pa garanci oferte, çmimi 790 mln euro
Braçe: Këshilltari i Pacollit
në tenderin e Albetrolit
Deputeti socialist Erjon Braçe ka reaguar dje nga profili i tij në Facebook duke deklaruar se shitja e Albetrol mund të shpërthejë në si superskandal. Përfaqësuesi i kompanisë “VETRO SILK ROAD” sot në tender ishte shtetasi Essad Puskar, i cili është një boshnjako-amerikan i njohur gjerësisht në Shqipëri dhe Kosovë. Në Shqipëri është i njohur si njeri i afërt dhe bashkëpunëtor i Rezart Taçit. Në Kosovë si këshilltar i Behgjet Pacollit, ish-kandidatit për President. Në Kosovë ai ishte pritësi i sms-ve të famshme mes Pacollit dhe ambasadorit Dell në çastet e zgjedhjes së Presidentit. Essad Puskar, me profile të shumta politike njofton se javët e fundit ka punuar në Baku-Azerbajxhan për të krijuar mundësi të reja për investime, ka deklaruar Braçe.
Ja kompania që fshihet pas ofertës
së çmendur për Albpetrolin
Kompania SilkRoad Equity, e cila ka bërë ofertën më të lartë, 850 milionë euro për blerjen e Albpetrolit, është një fond investimesh privat, me seli në Çikago. Ky fond ka një portofol të larmishëm të kompanive publike dhe private. Ai është bashkëthemeluar nga Andrew Filip Filipowski dhe Mattheë Roszak në vitin 2003. Sipas përshkrimit që gjendet në faqen e saj, SilkRoad Equity investon kapitalin e vet në kompanitë me pozita të forta në treg, markave të njohura dhe kompanitë me potencial të madh rritjeje. Ky fond investimesh i ka shtrirë interesat e veta në disa fusha, si teknologji, media, shëndetësi, energji, prona të patundshme etj. Sipas përshkrimit të tyre, ata fokusohen tek privatizimet dhe rritja e perfomancës së kompanive që blejnë. Në shënimet e Komisionit të tenderit, thuhet se ky fond e ka plotësuar formularin e ofertës, por nuk e ka nënshkruar. Nuk është ende e qartë nëse kjo pakujdesi është e qëllimshme për të testuar një herë tregun, apo është një formalitet që nuk i kanë kushtuar rëndësi. 850 milionë euro janë çmim i konsiderueshëm dhe i mjaftueshëm për të nxjerrë nga kriza qeverinë shqiptare.
Reuters: Oferta amerikane, 10 % e PBB së Shqipërisë
Privatizimi i Albpetrol ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore për faktin e vetëm se të interesuara për të fituar tenderin janë kompani nga e gjithë bota. Vëmendja e Reuters është fokusuar tek oferta e kompanisë amerikane Voltro Silk Road Equity Ltd, e cila ofroi 850 milionë euro. Sipas Reuters kjo ofertë është më shumë se dyfishi i vlerës së vendosur mbi asetet e firmës së naftës që zotërohet nga shteti shqiptar. Reuters shkruan se Oferta e Voltro Silk Road Equity Ltd, e barabartë me 10 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë (PBB), ishte një nga pesë ofertat e hapura të premten përpara një audience që përfshinte gazetarët, kompanitë e tenderit, dhe anëtarët e bordit shtetëror. Reuters sqaron se blerësi do ketë mundësëi të shfrytëzojë të gjitha asetet mbitokësore të Albpetrol si dhe të drejtën për të shfrytëzuar naftën dhe gazin në territorin shqiptar për 25 vjet. Reuters e quan më tej, një marrëveshje të ëmbël, të drejtën që qeveria i ka dhënë Albeptrol-it për të ndërtuar një rafineri si dhe licencat për transportin dhe shpërndarjen e gazit natyror. Referuar burimeve zyrtare nga Ministria e Ekonomisë shqiptare, Reuters shton se ende nuk është vendosur një datë për shpalljen e fituesit.
Kriteret që duhet të plotësojë kompania fituese
Në kriteret e kualifikimit qeveria ka parashikuar që në rastin e blerësit të vetëm, kompania që do blejë Albpetrol duhet të ketë të paktën 5 vjet eksperiencë në fushën e naftës. Në rastin e bashkimit të shoqërive, njëra nga kompanitë duhet të jetë strategjike me po 5 vjet eksperiencë dhe duhet të zotërojë të paktën 30 për qind të aksioneve totale të konsorciumit. Po kështu në kriteret e kualifikimit është parashikuar që kompania të ketë një kapital të paguar prej rreth 80 milionë dollarësh dhe vlera e sa