E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misteri i takimeve të Essad Puskar në Azerbajxhan

Gazeta Shqip

Essad Puskar, Behxhet Pacolli

Njeriu që njihet si Fazlliçi i Kosovës bisedoi me krerë të qeverisë në Baku

Gjatë tenderimit kompania nga Singapori, Vetro Energy, përfaqësohej zyrtarisht nga Essad Puskar, një boshnjako-amerikan, mjaft i njohur jashtë Shqipërisë, sidomos në Kosovë, ku ka lidhje me politikanë të ndryshëm. Por, Puskar, përfaqësuesi Silk Road Equity, që është një fond amerikan investimesh që ka bashkëpunim me Vetro Energy, gjatë muajve të fundit mësohet të ketë pasur mjaft takime intensive në Azerbajxhan. Ky fakt u bë publik pak minuta pas përfundimit të tenderit nga deputeti socialist, Erion Braçe, i cili pohoi se Essad Puskar, kishte pasur takime në Baku të Azerbajxhanit me ministrin e Jashtëm të këtij vendi dhe zv.presidentin e kompanisë shtetërore të hidrokarubereve atje, Socar. Ndërkaq, kjo e fundit do të jetë aksionere në projektin miliarda dollarësh të transportimit të gazit nga Azerbajxhani drejt Eurpoës, projektit TAP. Burimet nga METE nuk kanë bërë të ditur nëse Vetro Energy ka ndonjë lidhje me Socar në blerjen e Albpetrol-it. Mbetet ende enigmë nëse boshnjako-amerikani Puskar ka negociuar në Azerbajxhan për një bashkëpunim të mundshëm me Socar, të kompanisë që përfaqësonte në tenderimin e shitjes së Albpetrol-it, apo thjesht është interesuar lidhur me ecurinë e projektit TAP, që do të ketë në shfrytëzim burimet më të mëdha të gazit natyror në botë që gjenden në Azerbajxhan.

Puskar njihet edhe si këshilltar i biznesmenit shqiptar, Rezart Taçi, presidentit të kompanisë, ARMO. Por, edhe Taçi nuk mbetet pa asnjë lidhje me Azerbajxhanin. Pak kohë më parë, një bankë azerbajxhanase, e kontrolluar nga qeveria e Bakusë paditi në Gjykatën e Tiranës kompaninë ARMO, për shkak të një borxhi disavjeçar prej 75 milionë eurosh. Gjykata e Tiranës vendosi sekuestro konservative për pasuritë e paluajtshme të Credins, në mbi 85% të aksioneve të kompanisë ARMO sh.a. të zotëruara nga shoqëria Amra Oil sh.a.; mbi llogaritë bankare të kësaj të fundit, mbi llogaritë bankare të shoqërisë ARMO; mbi pasuritë e paluajtshme të saj dhe mbi gjendjen e stokut. Kjo me qëllim moslejimin e tjetërsimit të tyre deri në përfundim të gjykimit.

Por javën e shkuar, pak ditë përpara zhvillimit të tenderit për Albpetrolin konflikti gjyqësor për 75 milionë euro u mbyll, sipas palëve, me marrëveshje jashtë dyerve të gjykatës.

Vetro Energy, Aktivitet në tregun kinez dhe indian

Asnjë e dhënë zyrtare nuk gjendet në internet për kompaninë Vetro Energy me seli në Singapor. I vetmi rezultat që del në motorët e kërkimit është një artikull me të dhëna ekonomike i publikuar në gjuhën angleze. Në këtë lajm përshkruhet angazhimi i kompanive të Singaporit që veprojnë në fushën e hidrokarbureve në tregun kinez dhe të Indisë, pas rritjes së kërkesës për energji të këtyre të fundit. Në këtë artikull përmenden tri kompani me seli në Singapor, më konkretisht, Singapor Petroleum Company Ltd, Vetro dhe PETROFAC.

Misteri i takimeve të Essad Puskar në Azerbajxhan burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›