E Diel, 1 Nëntor 2026

Albpetrol pranë privatizimit, ministri Prifti përgatit një kompani fantazmë

Prifti anulon tenderin për kompanitë konsulente


E vetmja kompani shtetërore e naftës Albpetrol sha pritet të privatizohet brenda  gjashtëmujorin e dytë të vitit 2010 nga një firmë fantazmë të cilën e njeh vetëm ministri e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës Drita Prifti. Burime pranë administratës së kompanisë Albpetrol pohuan për gazetën se emri i kompanisë që do ta privatizojë gjigandin shtetëror

të naftës nuk i është bërë i ditur as drejtorit të kompanisë Albpetrol dhe stafit të tij më të ngushtë të cilit i ishte lënë detyrë që brenda datës 11 shkurt të kishte përfunduar së përgatituri të gjithë dokumentacionin e plotë për privatizimin. Dokumentacioni është përgatitur por asnjëri prej tyre nuk mundi të mësonte qoftë edhe gërmën e parë të firmës fatlume që do të mund të bëjë të veten kompaninë e naftës Albpetrol. Fshehtësia me të cilën po punon ministri Prifti për privatizimin e kësaj kompanie, ka të bëjë me interesat e tij personale si dhe të klanit me të cilin ai bashkëpunon. Burime të besueshme për gazetën Sot bëjnë të ditur se ministri Prifti jo vetëm ka përzgjedhur kompaninë së cilës do tia dhurojë këtë kompani, por madje ka përfunduar dhe pazaret me përfaqësuesin e saj.

Ndërhyrjet e Priftit në procedurat e privatizimit
Për të mbyllur me sukses privatizimin e kësaj kompanie dhe në përputhje me interesat e tij personale, ministri Prifti po bën të mundurën që të ndërhyjë në të gjitha procedurat ligjore, në mënyrë që të përzgjidhet pikërisht firma me të cilën ai ka rënë dakord për tia shitur sa më lirë këtë kompani që në të vërtetë është një thesar që kushton qindra miliona euro. Hapi më i fundit i ministrit Prifti është pezullimi i tenderit për përzgjedhjen e kompanive konsulente për privatizimin e Albpetrol. Vetëm pak ditë më parë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, përmes këshillit mbikëqyrës të kompanisë, hodhi hipotezën e kalimit të Albpetrol-it te privati, përmes koncesionit, duke ndryshuar planin e mëparshëm të privatizimit. Duket se tenderi i anuluar nga Agjencia e Burimeve Natyrore ndikoi në ndryshimin e skenarëve. Në tenderin e zhvilluar më 11 shkurt, morën pjesë 6 kompani të cilat ishin të interesuara për të kryer shërbimin e konsulencës për privatizimin e Albpetrol-it, kundrejt shumës prej 300 mijë dollarësh. Por ndërhyrjet e Priftit çuan në gjykimin e Agjencisë së Burimeve Natyrore se asnjëra nga firmat nuk rezulton me ofertë të rregullt. Tenderi u anulua por nuk mbeti jashtë vëmendjes së Avokatit të Prokurimeve, i cili duke qenë në varësi të Kryeministrit, i ka kërkuar Priftit të shpjegojë rreth anulimit të 6 ofertave. Tenderi për të përzgjedhur konsulentin e huaj për privatizimin e Albetrol është ndjekur dhe nga Avokati i Prokurimeve, sipas të cilit janë kërkuar informacione shtesë rreth shkaqeve që çuan në dështimin e procedurave. Sipas informacionit të dërguar nga autoriteti kontraktor (Agjencia e Burimeve Natyrore), rezulton se në procedurën e prokurimit shprehën interesin gjashtë operatorë ekonomikë, duke dërguar dokumentacionin përkatës në mënyrë elektronike. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shqyrtuar dokumentacionin e konkurrentëve dhe ka konkluduar se asnjë nga operatorët ekonomikë nuk ka plotësuar kriteret kualifikuese të dokumenteve të tenderit, prandaj në kushtet e mungesës së konkurrencës, ka marrë vendimin për anulimin e procedurës së prokurimit, ka shpjeguar Ministria e Tregtisë dhe Energjetikës, duke shtuar se midis mangësive të tjera është konsideruar mospërmbushje e kritereve kualifikuese fakti që shoqëritë e huaja kanë paraqitur dokumente pa vulën apostile. Por sipas Avokatit të Prokurimeve një gjë e tillë nuk është e cilësuar si kërkesë në dokumentet e tenderit. Gjithashtu, sipas METES-s është konsideruar mospërmbushje e kritereve kualifikuese fakti se disa dokumente nuk ishin origjinale apo fotokopje të noteruara. Por edhe këtë pikë Avokati i Prokurimeve e ka kundërshtuar, me sqarimin se në formatin elektronik dokumentet mund të jenë skanuar pa ngjyra apo shpesh herë nuk dallohet qartë noterimi, prandaj autoriteti kontraktor duhet të kërkojë sqarime nga ofertuesit përpara se ti refuzojë ofertat.

Last Updated on E Enjte, 18 Mars 2010 23:57

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›