Restaurimi i Kullës së Sahatit, kontribut i Withers
u desh ndërhyrja e ambasadorit amerikan John Withers, që ora të punonte. Në fjalën e tij ambasadori John Withers duke i bërë një përmbledhje historisë së kësaj kulle theksoi se shpreson që të ketë sa më shumë projekte të tilla, që i shërbejnë kulturës shqiptare. Që prej ndërtimit të saj, ndryshe nga Xhamia e Ethem Beut, që i është nënshtruar disa herë restaurimit, edhe në Kullën e Sahatit janë bërë disa projekte për ndërhyrje restauruese, por jo të gjitha kanë qenë rezultateve. E ndërtuar në vitin 1822 nga Haxhi Ethem Beu, i cili kishte parashikuar ndërtimin e një ore monumentale para xhamisë së ngritur prej tij, në të vërtetë ndërtimi i plotë i Kullës së Sahatit u bë vetëm rreth vitit 1840 nga organizata e zejtarëve dhe tregtarëve të Tiranës, të njohur me emrin esnafët. Ora ishte në modelin kullë, me një mjedis për mekanizmin e orës dhe një kambanë në majë. Në modelin e saj të vjetër ora e Tiranës jetoi deri në vitin 1928, por që nga Lufta e Parë Botërore ajo nuk funksiononte më, për shkak se mekanizmi i saj shumë i vlefshëm u çmontua dhe u grabit nga pushtuesit. Në vitet 1927-1928 komuniteti katolik i Shkodrës i dhuroi Mbretërisë Shqiptare për Tiranën, tashmë kryeqytet i Shqipërisë, një mekanizëm të ri kohëmatës, i cili kishte edhe kohëmatësin në fushë shikimi. Kjo kërkoi një transformim të kullës në përshtatje me funksionin e sahatit dhe projekti i hartuar për këtë qëllim paraqet pamjen e sotme. Për projektin e kësaj kulle thuhet se ishte kryer dhe zbatuar nga arkitekt Dhespoti. Kulla e Sahatit ka 90 shkallë në formë spiraleje dhe është 35 metra e lartë. Deri në vitin 1970 ajo ka qenë ndërtesa më e lartë e kryeqytetit. Kullat e orës, si elemente origjinale të qytetit shqiptar të shek. XVII-XIX, janë vënë në mbrojtje shtetërore si monumente kulture. Megjithatë, disa nga këto orë-monumente sot janë rrënuar. Një rast është kulla e Sahatit në Korçë, e shembur nga tërmeti i vitit 1961, e cila po restaurohet për herë të tretë pas 140 vjetëve, bashkë me minaren e Iljaz bej Mirahorit. Ndërkohë mund të përmenden disa orë sahati të shkatërruara, si ajo e Beratit, e shembur në muajt e revolucionit kulturor të vitit 1967, kullat e Sahatit në Gjirokastër e Libohovë etj.