Albpetrol realizon te ardhura te larta vjetore
Albpetrol realizon të ardhura vjetore prej 70 milionë dollarësh në vit, apo më shumë se 72 miliardë lekë, duke e reditur atë në një nga kompanitë më të mëdha në vend të zotëruara nga shteti. Ndërkohë që sëfundmi Albpetrol ka nxjerrë në shitje një sasi nafte prej 30 mijë ton. Gjithashtu sipas të dhënave zyrtare të kompanisë shtetërore prodhimi vjetor i saj arrin në 2,4 milionë metër kub. Aktualisht kjo kompani shtetërore e naftës është në një tender të hapur ndërkombëtar për tu privatizuar. Sipas Ministrisë së Ekonomisë të drejtat ekskluzive të kompanisë për kërkim nafte përfshijnë zonat e Patos-Marinzës Ballsh-Hekal, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul, Delvina-Blok, Visoka, Kuçovë, Amonicë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh, Frakull, Povlec dhe Panajë. Sipas METE-s, asetet e kompanisë përfshijnë ndërtesa, mjete transporti, infrastrukturë nëntokësore dhe transportin e naftës bruto.Ndërkohë, vlera e aksioneve të Albpetrolit është llogaritur nga konsulentët e huaj në 13.3 miliardë lekë ose rreth 90 milionë euro. Këto të dhëna janë publikuar në dokumentet e tenderit për shitjen e kompanisë. Kompanitë që ofrohen për blerjen e kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës Albpetrol, duhet të kenë të paktën 80 milionë euro likuide në cach, ndërsa kapitali i tyre duhet të jetë mbi 100 milionë euro. Kryesore që duhet të përmbajnë ofertat e kompanisë që synojnë Albpetrolin është mundësia financiare e investitorit kandidat për blerjen e aksioneve si dhe përmbushja në kohë e detyrimeve që rrjedhin nga plani i biznesit. Plani i biznesit do të përmbajë zgjerimin në mënyrë substanciale të kompanisë në tregun shqiptar, rajonal dhe atë botëror. Sipas afateve zyrtare tenderi për shitjen e Albpetrolit duhet të përfundojë brenda muajit korrik.