E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albpetrol, rritet performanca ekonomike në prag privatizimi

Ecuria Kompania e prodhimit të naftës siguron fitime dhe likuidon borxhet e vjetra

Pas një heshtjeje gati dyvjeçare, autoritetet shtetërore publikojnë të dhënat ekonomike të së vetmes kompani nafte prodhimi në vend. Treguesit e fundit, paraqitur dje nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, deklarojnë një rritje të performancës ekonomiko-financiare të kompanisë “Albpetrol”, e cila gjendet në fazën e konsultave për privatizimin e aseteve.
Kështu, “Albpetrol” ka mundur të shlyejë rreth 8.1 milionë dollarë detyrime ndaj buxhetit të shtetit në katër muaj.

Sipas zyrës së shtypit të ministrisë, kompania shtetërore e prodhimit të naftës, “Albpetrol”, ka prodhuar 50.328 tonë naftë në katër muajt e parë të vitit 2010, nga 45.905 tonë të programuara, ose e thënë në përqindje, paraqitet me realizim 109.64 për qind.
“Kjo bëhet e ditur në një informacion që ‘Albpetrol’ i ka dërguar së fundmi Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, mbi aktivitetin e kompanisë në katër muajt e parë të vitit 2010, mbështetur në programet e miratuara nga drejtoria dhe këshilli mbikëqyrës”, sqaron ministria.
Sipas këtij informacioni, që mban firmën e drejtorit të përgjithshëm të “Albpetrol”, Ferdinand Murati, prodhimi total i naftës, përfshirë edhe atë që vetë kompania përfiton nga marrëveshjet hidrokarbure, është realizuar 78.285 tonë, nga 76.557 tonë të programuara, ose 102.26 për qind.

Mbështetur në treguesit operativë nga përllogaritjet, rezulton se kompania ka realizuar shpenzime në masën 23.15 milionë dollarë dhe të ardhura në masën 26.23 milionë dollarë, duke realizuar një fitim prej 2.08 milionë dollarë.

Nisur nga situata e mirë financiare, kompania ka mundur të shlyejë detyrimet që kishte ndaj shtetit, në formë taksash dhe faturash, rreth 8.1 milionë dollarë. Mësohet se vitin e kaluar, për të njëjtën periudhë kompania nuk kishte mundur të kryente asnjë pagesë detyrimi ndaj shtetit.
Për sa u përket marrëdhënieve të “Albpetrol” me kompanitë e huaja, në informacionin dërguar Ministrisë së Ekonomisë thuhet se raportet janë korrekte dhe palët gëzojnë një partneritet pozitiv.
Ministria e Ekonomisë ka nisur prej katër muajsh procesin e privatizimit të kompanisë, duke filluar me gjetjen e konsulentit. Mësohet se interesi ka qenë i madh, po aq edhe ankesat për mënyrën se si është zhvilluar tenderi. Dosjet po hetohen nga Avokati i Prokurimeve, proces i cili mund të pengojë zhvillimin e privatizimit.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›