E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia e Vardarit, varianti i ri për emrin

Bisedimet Vazhdojnë negociatat mes Shkupit dhe Athinës për të zhbllokuar krizën

Partitë shqiptare janë treguar të rezervuara ndaj propozimit të fundit që vendi të mbajë emrin Maqedonia e Vardarit, të cilin e publikuan mediat greke, duke u thirrur burime diplomatike. Propozimi, që thuhet të jetë përgatitur nga ana e ndërmjetësit të OKB-së Metju Nimic, është propaganduar se do të jetë i pranueshëm për të dyja palët dhe se marrëveshja e kompromisit do të ndodhë brenda verës së këtij viti. Siç lajmëruan mediat greke, Athina dhe Shkupi zyrtar do të pajtohen për këtë emër, i cili do të vlejë për përdorim ndërkombëtar dhe në pasaportat e qytetarëve të Maqedonisë. Sipas të njëjtave burime, bisedimet për këtë version janë duke u zhvilluar larg vëmendjes së publikut, por mbetet e paqartë nëse ky afrim i papritur i pozicioneve është rezultat i ndërmjetësimit të Presidentit serb, Boris Tadiç. Në qeverinë e Maqedonisë nuk dëshirojnë të japin asnjë detaj rreth propozimit të publikuar dhe nëse i njëjti është dhëna nga ndërmjetësi Nimic. Ky variant është më i pranueshëm se ai i fundit, i cili propozonte që vendi të quhej Maqedonia Veriore, por vetëm nëse mbiemri e Vardarit vendoset para emrit Republika e Maqedonisë. Përveç kësaj, burimet thonë se nuk do të pranojnë që ky emër të ketë edhe përdorim të brendshëm, që nënkupton ndryshimin e Kushtetutës dhe nëse nuk garantohet kombësia dhe gjuha vetëm si “maqedonase”. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka refuzuar ta vlerësojë propozimin e ri, kurse dy partitë opozitare, PDSH-ja dhe DR-ja nuk janë shprehur kundër. Nënkryetari i PDSH-së, Iljaz Halimi, tha se në rast se ky është propozim zyrtar, atëherë do të duhet të mblidhet kryesia partiake për të vlerësuar nëse është i pranueshëm për ato. “Nuk e di nëse ky është propozim i qeverisë greke. Në rast se ky është zyrtar, atëherë do të duhet që të debatojë partia dhe të dalë me qëndrim. Problemi është në afrimin e qëndrimeve që të gjendet zgjidhja dhe në këtë drejtim duhet të bëhen hapa konkretë, që edhe Maqedonia të ecë drejt BE-së dhe NATO-s. Unë me të vërtetë dyshoj se Gruevski është i interesuar ta zgjidhë kontestin për emrin”, deklaroi Halimi. DR-ja mban qëndrimin se emri Maqedonia e Vardarit është i pranueshëm nëse i njëjti pranohet edhe nga pala maqedonase. “çdo referencë që i shtohet Republikës së Maqedonisë për ne është e pranueshme, sepse ne konsiderojmë se zgjidhja më e shpejtë është vetëm një garanci për anëtarësimin e vendit në strukturat euroatlantike. Kjo çështje nuk është vetëm një problem bilateral mes dy shteteve, por paraqet një çështje serioze pa zgjidhjen e së cilës Maqedonia nuk do të mund të bëhet pjesë e familjes së madhe europiane. Ne gjithmonë kemi apeluar për zgjidhjen e kësaj çështje dhe se shqiptarët nuk mund të mbesin peng të kësaj politike, pasi njëqind për qind e tyre janë për anëtarësim në NATO dhe BE. Në rast se për palën maqedonase është i pranueshëm, atëherë për ne nuk do të ketë problem”, tha deputetja e DR-së, Flora Kadriu. Bisedimet për kontestit njëzetvjeçar mes Shkupit dhe Athinës po zhvillohen nën patronazh të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Deri më tani nuk ka ndonjë paralajmërim se kur ndërmjetësi Nimic do të caktojë raundin e radhës, ndërsa ende nuk dihet se a do të dalë Nimici me ndonjë propozim konkret.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›