Albpetroli, Dervishaj: Kompania "Vetro Energy”, renditet e para

Kompania “Vetro Energy” ka marrë pikët maksimale në vlerësimin e konsulentit ndërkombëtar “Paton Boggs” për të privatizuar kompaninë “Albpetrol”.
Njoftimi është bërë nga Zv. ministri i Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës Sokol Dervishaj i cili ka publikuar sot para mediave ecurinë e punës të Komisionit të vlerësimit të ofertave për privatizimin e kompanisë “Albpetrol”
Sipas Dervishajt, konsulenti në raportin e tij ka vlerësuar në vendin e dytë kompaninë "Consorcium Win Bussines" ndërsa në vendin e tretë është kompania “Bankers Petrolium”
Zv. ministri theksoi se ky vlerësim i konsulentit është bërë sipas kritereve që kanë përmbushur kompanitë në garë ku 75 përqind të pikëve e ka oferta financiare dhe 25 përqind të tyre e ka oferta teknike.
Dervishaj ka theksuar më tej se 3 kompanitë e tjera janë skualifikuar nga komisioni pasi nuk i kanë përmbushur kriteret e kërkuara.
"Komisioni në mbledhjen e tij të parë pas mbylljes së procesit të dorëzimit të dokumentacionit filloi analizimin e dosjeve dhe Ecolog International nuk kishte garanci oferte, dhe ofertë financiare dhe për këtë u skualifikua. Gjithashtu “Gazprom” nuk ishte totalisht me kriteret e kërkuara dhe s`kishte garancinë bankare dhe kështu komisioni vendosi që kjo kompani të skulifikohej ” theksoi Dervishaj.
Zv.ministri i METE-s, Dervishaj ka theksuar më tej se komisioni ka kërkuar edhe informacion të mëtejshëm nga 4 kompanitë e mbetura në garë dhe pas verifikimit të dytë është skualifikuar edhe kompania "Amber Shine INC" duke bërë që në garë të mbeten vetëm 3 kompani.
Ja renditja sipas konsulentit:
1-Voltro Silkiroad Equite Ltd ofron 850 mln euro
2-Consorcium Win Bussines ofron 297 milionë e 600 mijë euro
3-Bankers Petrolium ofron 303.8 milionë euro
Ndërkohë nëse komisioni miraton rezultatet e raportit, atëherë merret vendimi dhe më pas dosja e privatizimit të Albpetrol do të kalojë në fazën e dytë, ku do shqyrtohet nga Këshilli i Ministrave, i cili do marrë edhe vendimin final.