E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Albpetroli" hedh në rrugë 75 punonjës

Ndërmarrja shtetërore e nxjerrjes së naftës pushon nga puna punonjësit pa u dhënë shpjegime për veprimin


Sot punonjësit do të protestojnë para zyrave të Albpetrolit në Kuçovë, kërkojnë arsyet e largimit nga puna


Ndërmarrja e vetme shtetërore e Nxjerrjes dhe Përpunimit të Naftës në vend, "Albpetrol" u ka komunikuar pushimin nga puna dje rreth 75 punëtorëve në qytetin e Kuçovës. Sipas punonjësve, ky komunikim ka ardhur pa asnjë paralajmërim nga ana e autoriteteve. . I çuditshëm ka qenë edhe komunikimi për largimin nga puna.


Punonjësit nuk janë lajmëruar, ashtu siç e do zakoni nga drejtori, por ka qenë një punonjës i çfarëdoshëm, i cili me një listë në dorë ka mbledhur të përzgjedhurit dhe u ka komunikuar pa asnjë shpjegim pushimin nga puna.


Në fillim të muajit qershor zëdhënësja e kompanisë "Albpetrol", Enkelejda Troka, nëpërmjet një komunikate për shtyp deklaroi shkrirjen e uzinave mekanike të Naftës në Kuçovë e Patos në një të vetme.


Deklarata e Trokës është bërë më 12 qershor dhe gjatë kësaj kohe punonjësit nuk janë vënë në dijeni për shkurtimin e vendeve të punës, si dhe për kriteret që do të përdoreshin për përzgjedhjen e atyre që do të largoheshin. Nën zë ata pohojnë se arsyet mund të jenë politike, por për sa kohë që nuk kanë një version zyrtar, vetëm mund të hamendësojnë.


Sot të 75 punonjësit e larguar nga puna kanë paralajmëruar një protestë përpara zyrave të kësaj ndërmarrjeje në Kuçovë. "Shekulli" kontaktoi me një nga të pushuarit nga puna për të zbuluar më tej rreth kësaj çështjeje.


Intervistën po e botojmë pa emrin apo inicialet e personazhit, për shkak se ai si gjithë të tjerët që janë larguar nga puna, i trembet pasojave që mund të ushtrojë më tej ekzekutivi ndaj tij apo familjes së tij.


Zotëri, cili është funksioni juaj në ndërmarrjen "Albpetrol" në Kuçovë?


Jam elektricist në këtë ndërmarrje. Madje, jam i vetmi elektricist në zonën ku punoj. Nuk kam as ndihmës dhe asnjë njeri që të më zëvendësojë.
Sa vite punë keni kryer?


Po bëhen afërsisht 48 vite punë.


Kur ju komunikuan largimin nga puna?


Sot (dje). Nuk kishim marrë asnjë paralajmërim më parë për shkurtime në vendin e punës. Gjatë ditës së djeshme një nga inxhinierët e sektorit erdhi me një fletë në dorë ku ishin emrat tanë dhe na tha se "Që tani e tutje ndërmarrja ka ndërprerë marrëdhëniet financiare me ju. Nuk erdhi asnjë epror apo ndonjë përfaqësues i "Albpetrolit" që të na komunikonte arsyet e pushimit nga puna.


A ju kishin paralajmëruar më parë për shkurtime të vendeve të punës?


Jo, nuk kemi marrë asnjë lloj paralajmërimi. Sot (dje) na kanë thënë që jemi të pushuar nga puna dhe në rast se kemi ankesa, duhet që të drejtohemi në zyrën juridike të ndërmarrjes për të bërë një ankesë me shkrim ndaj pushimit nga puna.


Ju keni një kontratë pune me "Albpetrol"-in?


Po, por kjo kontratë nuk është zbatuar. Në fund të vitit 2009 duhet të merrnim një pagë shpërblim, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Për më tepër "Albpetroli" prej tre muajsh nuk na jep pagat. Jemi në qershor dhe ende nuk kemi marrë rrogën e marsit.


Sa punonjës janë pushuar?


Gjatë ditës së sotme (dje) janë lajmëruar për pushimin nga puna rreth 75 punonjës, por nuk mund të them nëse do të pushohen të tjerë apo jo.


Mendoni se pushimi nga puna ka motivacion politik?


Ndoshta mund të ketë. Mund t'ju them se i kanë shpëtuar spastrimit punonjës tepër të rinj apo të tjerë që figurojnë vetëm në borderotë e ndërmarrjes e që nuk shkelin asnjëherë në punë. Por ka edhe fshatarë të cilët kanë toka dhe të ardhura të tjera, të cilët gjithashtu nuk janë pushuar nga puna, ndërkohë që kanë hequr njerëz si puna ime që kanë vetëm këtë rrogë si të ardhur financiare.


Ju thatë se kjo rrogë është e vetmja e ardhur për ju. Tani që jeni sërish në tregun e punës, sa mundësi keni që të gjeni një punë të re?


Unë jam 58 vjeç, nuk ka asnjë lloj pune për mua në këtë moshë. Kam rreth 35 vite punë mbi shpinë dhe më duhen edhe 7 të tjerë në mënyrë që të përfitoj një pension minimal.
A ju ka premtuar "Albpetroli" ndonjë rimbursim pas largimit të parakohshëm nga puna?
Jo, asgjë. Ata nuk na kanë shpjeguar arsyet e pushimit, jo më pastaj të na premtojnë ndonjë gjë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›