Fier, në spital mungojnë ilaçet dhe shiringat
Drejtoresha e spitalit të Fierit, Donika Alushani, pranon se vonesat e medikamenteve kanë sjellë shqetësim
FIER - Mungesa e disa barnave në spitalin e Fierit është ndier prej disa javësh. Pacientët tregojnë për gazetën "Shekulli" se përveç ilaçeve në spital, mungojnë deri dhe shiringat e injeksioneve, për të cilat infermieret u thonë pacientët që t'i sigurojnë vetë.
Mungesa e medikamenteve pranohet edhe nga drejtoresha e spitalit rajonal të Fierit, Donika Alushani, e cila shprehet se shkak është bërë vonesa e regjistruar nga grosistët farmaceutikë, që duhet të kishin realizuar tashmë furnizimin e depos së spitalit.
Drejtoresha Alushani thotë gjithashtu se një pjesë të ilaçeve si dhe shiringat i ka siguruar me blerje të drejtpërdrejtë nga drejtoria e spitalit. Të ardhurat e këtyre blerjeve janë siguruar nga faturat që vilen prej vizitave dhe recetave që ofrojnë mjekët e grupit spitalor Fier.
"Vonesat e medikamenteve në spital duhen pranuar që kanë sjellë shqetësim. Kanë qenë disa ilaçe që nuk u janë dhënë pacientëve, pasi mungonin. Antibiotikët nuk kanë munguar. Disa qetësues si dhe disa kategori ilaçesh me të vërtetë që nuk ka pasur për disa ditë. Mungesat kanë ardhur si rezultat i vonesës së grosistëve", thotë drejtoresha Donika Alushani.
Ajo pranon se ka pasur mungesa të pjesshme edhe të shiringave. "Për shiringa ka pasur mungesa të pjesshme. Na kanë munguar për ditë me radhë. Javën e fundit këto kanë mbaruar dhe pritet që shumë shpejt të vijë furnizimi me shiringa", shprehet drejtoresha Alushani. Gjithsesi ajo siguron se mungesa e medikamenteve në spital nuk ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.