E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albtelecomi 8-fishon shpejtësinë e internetit

I pyetur nga gazetarët lidhur me një iniciativë private publikuar sot në Tiranë (lidhur me shtrimin e një kablli për shtimin e internetit), Drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom, Sevket Acar, sqaroi se “Albtelecom-i zotëron tashmë një linjë fibër optike që lidh Italinë me Shqipërinë e cila zotërohet në bashkëpronësi nga kompania jonë dhe Telecom Italia e cila është nja nga kompanitë lider në fushën e telekomunikacionit në botë. Kapaciteti aktual i kësaj linje është 2 500 Megabit. Me anë të kësaj linje, ne ofrojmë shërbimet voice dhe internetit jo vetëm për Shqipërinë, por mundësojmë edhe lidhjen e Kosovës me Italinë.”

Acar konfirmoi se për momentin kjo linjë endë nuk është përdorur 100 për qind, megjithatë Albtelecom po punon me Telecom Italia për të rritur më tej kapacitetet pasi parashikohet kërkesë e madhe për përdorimin e internetit në Shqipëri.

“Ne mendojmë të hapim Shqipërinë drejt botës nëpërmjet internetit dhe e kemi shpallur vitin 2011 si vit të internetit për vendin tonë. Në një kohë shumë të shkurtër, kapaciteti i linjës me Italinë do të rritet në 20 000 Megabit dhe kjo do të thotë një rritje prej 800 për qind ose 8 herë më shumë”, njofton Acar.

Me investimet e kryera nga Albtelecom, Shqipëria është pikë transiti për Ballkanin dhe Evropën juglindore në fushën e telekomunikacionit gjë e cila rrit edhe më tej rëndësinë e Shqipërisë.

Në këtë drejtim, Drejtori i përgjithshëm i Albtelecom shprehet se kompania që ai drejton është plotësisht gati t’i japë përgjigje rritjes së kërkesës nga konsumatorët vendas dhe rajonalë.

“Me rrjetin e fibrës optike që ne kemi aktualisht me të gjitha vendet fqinje, mund të sigurojmë lidhje mes Tiranës dhe çdo vendi tjetër në Evropë dhe botë. Për më tepër, së shpejti Albtelecom finalizon projektin për ndërtimin e centralit të parë të internetit (Internet Exchange) në Ballkan dhe më pas interneti dhe e-maili do të jenë shumë më të shpejtë për trafikun kombëtar të përdoruesve. Mbi të gjitha ne po punojmë për të ndërtuar një Qendër të Dhënash (Data Center) në Tiranë dhe në këtë mënyrë do të sigurojmë shërbim për bizneset në Shqipëri dhe vendet e rajonit”, shprehet Acar.

Acar është i mendimit se investimet alternative në këtë drejtim nuk do të sjellin asgjë të re ndërkohë që Albtelecom prej vitesh ka ofruar këto shërbime në kualitet të lartë për konsumatorin shqiptar dhe po përmirëson në vazhdimësi cilësinë duke rritur kapacitetin më shumë se 8 herë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›