Albtelekom dhe Eagle Mobile bashkohen
Shumë shpejt kompanitë Albtelekom dhe Eagle Mobile do të bashkohen në një të vetme. Drejtori i Përgjithshëm, Orhan Coskun, tregoi dje avantazhet e këtij vendimi. “Nga njëra anë kemi telefoni fikse, nga ana tjetër kemi telefoni celulare, por në fund të fundit të dyja ofrojnë shërbime me zë. Ky bashkim është tërësisht një ndryshim i kërkuar nga përdoruesit tanë” tha Coskun. Kompanitë nën një çati telekomunikacioni ofrojnë edhe telefoni mobile edhe fikse, në të njëjtën kohë edhe shërbim televiziv, shtoi ai. “Këtë do klienti, dhe këtë mundohemi që të bëjmë edhe ne. Qëllimi ynë është t’i ofrojmë klientit shërbim më cilësor, t’i japim atij më shumë liri”, thotë Coskun. Drejtuesit e Albtelekom thonë se që nga vitit 2007 kompania ka investuar mbi 150 milionë euro në Shqipëri, duke modernizuar tregun e telefonisë në vend dhe rritur shërbimet e ofruara. “Gjatësia e fibrave optike, kur morëm përsipër Albtelecom-in, ishte vetëm 370 km dhe tani është 1500 km, dhe po e zgjasim edhe më shumë. Kemi ndërtuar një sistem fibrash optike të mbrojtura, që mbron klientin nga çdo avari. Me investimet që kemi bërë që nga viti 2007 e rritëm shpejtësinë e internetit 8 herë, ndërsa çmimet kanë pësuar një rënie mjaft të dukshme” tha Coskun. Qëllimi është që kompania të udhëhiqet jo nga teknologjia, por nga kërkesat e klientit, ku ky i fundit të gjejë çdo shërbim nën një çati. “Pra, kënaqësia e klientit është aspekti më parimor për ne, t’i ofrojmë atij shërbimin më të shpejtë dhe më cilësor”, thotë Coskun. Së fundmi, kompania po planifikon edhe futjen e telefonave multimedial në vende publike, të cilët bëjnë të mundur, përves shërbimeve klasike, edhe përdorimin e internetit, fotokopjeve apo shërbime të tjera.