E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Ndryshimi i buxhetit çdo vit krijon pasiguri

Qeveria duhet të jetë më konservatore gjatë hartimit të buxhetit të shtetit, për të shmangur në këtë mënyrë rishikimin e tij në mes të vitit. Ky ka qenë qëndrimi i Bankës Botërore, i shprehur dje për mediat nga përfaqësuesja në vendin tonë, Ksenia Lvovski. Sipas saj, ky është i treti vit rresht kur parashikimet jorealiste e detyrojnë qeverinë të shkurtojë buxhetin. Në vitin 2011 qeveria parashikoi një rritje ekonomike 5.5 për qind, më lart se mesatarja e pesë viteve të fundit para krizës. Lvovski mendon se qeveria duhet të njohë që realiteti ekonomik ka ndryshuar. “Disa nga sektorët nuk do të munden të kryejnë programe të rëndësishme investimesh. Për shembull arsimi. Shpenzimet e Ministrisë u shkurtuan, që do të thotë se, disa nga investimet më të rëndësishme nuk do të realizohen”, tha përfaqësuesja e Bankës në vendin tonë. Më tej, shtoi ajo, praktika e përsëritjes së këtyre rishikimeve në mes të vitit krijon të ministritë ndjenjën për të avancuar në gjysmën e parë të vitit me shpenzime, kryesisht në projektet e mëdha, duke neglizhuar mirëmbajtjen. Por neglizhimi i përsëritur i mirëmbajtjes në periudhë afatmesme do të thotë përdorim jo optimal të fondeve publike. Për më tepër është edhe faktori i pasigurisë, që ndryshimet krijojnë te biznesi, tha Lvovski. Rimëkëmbja ekonomike në Europë ka qenë më e dobët sesa pritej 2 vjet me parë, kur kriza përfundoi. “Shqipëria ndikohet, sepse partnerët e saj kryesorë Greqia dhe Italia po përballen me një krizë më të rëndë nga të gjithë. Po kështu, tani që ne flasim kemi dhe problemin e borxhit në Shtetet e Bashkuara”, tha zyrtarja e lartë e BB. Sipas saj, tani bota ekonomike po jeton në një mjedis tjetër. “Me pasiguri më të mëdha edhe për Shqipërinë, për shkak të faktorëve të jashtëm. Dhe ky mjedis i ri kërkon një qasje tjetër ndaj realitetit ekonomik, një qasje ndryshe nga ato që para pak kohesh mund të quheshin te arsyeshme” tha Lvovski. Në këto kushte, sipas saj, do të ishte e kujdesshme të përdoreshin vlerësime me konservative për rritjen ekonomike dhe parashikimin e të ardhurave. Mirëpo, ajo shton se edhe rishikimi i mesit të vitit, ku qeveria sërish e ka rritjen ekonomike në nivelin 5 për qind, komentohet si në kahun optimist. “Fjala kyç tani është pasiguria. Ne vlerësojmë rritjen ekonomike këtë vit afër 4 për qind, por sërish ka shumë gjëra që nuk i kontrollojmë dhe mund t’i ndryshojnë këto parashikime” tha ajo. “Unë mendoj se Shqipëria ka në Ministrinë e Financave ekspertë shumë të mirë, që çdo vend do të donte t'i kishte. Po kështu, Shqipëria ka performuar dhe po performon më mirë ekonomikisht se shumica e vendeve në Europë. Megjithatë, ka patur një qasje më optimiste ndaj mjedisit të jashtëm, çka u kuptua nga Ministria e Financave, tha ajo. “Ne kemi patur diskutime me ekspertët e ministrisë në lidhje me këtë dhe do të jemi të lumtur nëse ata do kërkojnë ndihmën tonë për planifikimin buxhetor për vitin tjetër”, tha Lvovski.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›