Legalizimi i shtesave të pallateve, ALUIZNI zvarrit 600 objekte
Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë është shprehur dje pesimiste në lidhje me problematikën që po përballet sektori i ndërtimit. Ndër të tjera janë
edhe 600 dosje të ndërtimeve, që “flenë” në sirtarët e Agjencisë së Legalizimit, bashkisë apo në hipotekë, tha dje nënkryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Ilir Hebovija. Ato janë objekte me leje ndërtimi, por nuk kanë respektuar projektin, pasi janë bërë shtesa katesh. Sipas ligjit të legalizimeve, këto ndërtime duhet të marrin leje shfrytëzimi dhe të hipotekohen. Por kanë kaluar 3 vjet dhe nuk është bërë asnjë hap më tej. Arsyet e “ngecjes” së këtij procesi janë burokratike. Institucionet nuk bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për t’i dhënë zgjidhje problematikës që kanë këto objekte. Firmat e ndërtimit kanë paguar të gjitha detyrimet financiare, që dikton Ligji i Legalizimeve, që janë arkëtuar nga Agjencia përkatëse 3 vite më parë. Mirëpo procesi më së shumti për arsye burokratike gjendet i bllokuar. Shumica e atyre që kanë blerë shtëpi në pallatet e ndërtuara pas viteve ‘90 në Tiranë, nuk disponojnë dokumente pronësie, sepse pallatet nuk janë regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Arsyeja kryesore kanë qenë shkeljet e bëra nga ndërtuesit në projektet e miratuara në lejet e ndërtimit, apo mosplotësimi i standardeve të vendosura nga bashkia për marrjen e lejeve të shfrytëzimit. Për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi edhe këto ndërtime u përfshinë në skemën e legalizimeve, por fillimisht pati një rezistencë nga ana e ndërtuesve, me argumentin se penalitetet e vendosura në ligj për legalizimin ishin shumë të larta.